Kërko

Arminda  Barelli me drejtuesit e Rinisë  Femrore të Veprimit Katolik  dhe me At Gemellin,  më 25 tetor  1928. Arminda Barelli me drejtuesit e Rinisë Femrore të Veprimit Katolik dhe me At Gemellin, më 25 tetor 1928.  

Kardinali Parolin kremtoi kujtimin e parë liturgjik të së Lumes Arminda Barelli

Në Romë, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Parolin, kryesoi Meshën në kujtimin e parë liturgjik të Armida Barelli-t, lumnuar më 30 prill 2021. Grua – shkroi për të Françesku - që e bëri laicitetin ilaç kundër vetëvlerësimit”.

R. SH. - Vatikan

Me rastin e kujtimit të parë liturgjik të së Lumes Armida Barelli, dje pasdite, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, kremtoi një Meshë në kishën romake të Domus Mariae. Organizohej nga presidenca kombëtare e Veprimit Katolik Italian dhe nga komiteti i kanonizimit. Pas Eukaristisë, një relike e gruas, lumnuar më 30 prill në Katedralen e Milanos, do të vendoset në kishën kushtuar Zojës së Papërlyer.

Kushtimi, në Asizi

Ishte data 19 nëntor 1919 kur në kishën e vogël të Shën Damianit, në Asizi, bashkë me grupin e parë të Misionarëve të Krishtit Mbret, u kremtua kushtimi i së Lumes Armida. Në mënyrë domethënëse, ajo datë u zgjodh për të kremtuar edhe kujtimin liturgjik të themelueses së të Rejave të Veprimit Katolik, bashkëthemelueses së Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit, me Atë Gemellin, të Institutit laik të Misionarëve të Mbretërisë së Zotit tonë Jezu Krishtit dhe të Shoqatës së Mbretit Hyjnor për liturgjinë.

Parathënia e Papës për librin "Ciganja e Zotit të mirë"

“Ndër intuitat e Armida Barellit – thuhet në një deklaratë të lëshuar nga Veprimi Katolik Italian – është ajo e një laikati të arsimuar, të aftë për të sjellë vlera ungjillore në botë, laikat jo vetëm mashkullor por edhe femëror. Në vitet e vështira, si ato të pas Luftës II Botërore, ajo parashikoi protagonizmin e gruas në Kishë dhe në shoqëri. E që vajzat e reja të përfshiheshin aktivisht në realitetin e kohës së tyre, Barelli iu kushtua formimit dhe edukimit të tyre. “Të jesh, për të vepruar; të edukohesh, për të edukuar; të shenjtërohesh, për t'u shenjtëruar ishin fjalët që iu propozuan të rinjve dhe që u konkretizuan në një sërë nismash kishtare, kulturore e shoqërore”.

Mrekullia, që i atribuohet ndërmjetësimit të Armida Barellit, u njoh më 20 shkurt 2021: është shërimi i një gruaje asokohe 65-vjeçare, Alice Mascini, e rrëzuar më 5 maj 1989 nga një kamion teksa ishte në biçikletë dhe e katandisur në prag të vdekjes. E mbesa, anëtare e Veprimit Katolik, iu lut me gjithë shpirt Arminda Barellit. Dhjetë ditë më vonë gruaja u shërua, plotësisht.

Laike e shenjte

Dje, në orën 12.30, në Shenjtëroren e Shën Damianit, në Asizi, u kremtua një meshë, kryesuar nga Imzot Claudio Giuliodori, asistent i përgjithshëm kishtar i Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit. I kushtohej Armida Barellit e cila - siç shkruan Papa Françesku në parathënien e librit "Ciganja e Zotit të Mirë - ndryshoi një epokë. Me veprën e saj kontribuoi vendosmërisht në promovimin e grave të reja të krishtera, në gjysmën e parë e shekullit të njëzetë. Përvoja e së Lumes - sipas Papës - ishte hap vendimtar për vizionin e laikëve, që nuk jetojnë më në kushtet e pakicës, “mbasi zbuluan se përvoja laike, në gjirin e popullit të Zotit, është mënyra më e mirë për ta jetuar Shenjtërinë”.

20 nëntor 2022, 12:29