Kërko

Ukraina në flakë Ukraina në flakë 

Fjala e Zotit, spirancë shpëtimi për ata, që e besojnë!

Ukraina në flakë na kujton se çasti i vuajtjes, i dhimbjes, i plagosjes, mund të shndërrohen në çast dëgjimi të jashtëzakonshëm të Zotit, të nevojës për fjalën e Zotit, në Ungjillin Krishtit, spirancë shpëtimi për ata, që e besojnë! Atëhere njeriu merr guxim e forcë për ta mundur sëmundjen e vdekjen!

R. SH. - Vatikan

Edhe në fund të kësaj jave, nuk munguan njoftimet e Kishës së Ukrainës për vendin në flakë. Kujtohet se kaluan 260 ditë nga fillimi i luftës së tmerrshme, e cila çdo ditë vret dhjetra njerëz, ‘prodhon’ qindra të plagosur! Se vijojnë beteja të reja gjatë gjithë frontit të vendit të vaditur me gjak, sidomos në Luhansk e në Doneck. Se mbi qytetet e fshatrat paqësore dynden armë ruse të të gjitha tipeve…E popullsisë nuk i mbetet tjetër, veçse të falënderojë Zotin dhe forcat e armatosura, që është ende gjallë.

Më pas, dëshira për t’i kujtuar Ukrainës dhe mbarë Botës se rezistenca vijon. Ukraina lufton! Lutet. E, natyrisht edhe vuan!

Vuajtja në Ukrainë e në botë

Vuan Ukraina, por edhe mbarë bota - shkruhet - për të shpjeguar më pas ç’do të thotë “vuajtje njerëzore”. Në botën moderne, posaçërisht në atë virtuale, vuajtja njerëzore, plaga, dhimbja, sëmundja shndërrohen në spektakël, në shfaqje. Kohët e fundit të gjithë mbetën të çmeritur nga historia e një njeriu, që po mbytej në plazh, ndërsa shumica e njerëzve, në vend që ta shpëtonin, ndaloheshin për ta filmuar me celularët e aparatet fotografike njeriun që vuante e mbytej! Derisa u zhduk nën ujë! Ndërsa të gjithë duhet ta dinë  se psikologjia e vuajtjes, e dhimbjes, e plagës, kërkon praninë e njerëzve të tjerë!

Zoti kërkon të jemi pranë njeriut, që vuan e vdes!

Kur një njeri vuan, kur është i sëmurë ose i plagosur, thërret sakaq Zotin a  njeriun. Prej këndej, çasti i vuajtjes, çasti i dhimbjes, i plagosjes, mund të shndërrohen në  çast të dëgjimit të jashtëzakonshëm të Zotit, të nevojës për fjalën e Zotit, në Ungjillin e Krishtit, e cila vijon të jetë spirancë shpëtimi për ata, që e besojnë! Atëhere gjithçka ndryshon. Njeriu merr guxim e forcë për ta mundur sëmundjen e vdekjen!

 

11 nëntor 2022, 15:13