Fjala e Zotit e së dielës së 32-të gjatë vitit kishtar “C”
R.SH. - Vatikan
Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 32-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.
Liturgjia e Fjalës së Zotit e së dielës së 32-të gjatë vitit kishtar “C”
Pas kremtimit të Solemnitetit të të Gjithë Shenjtërve e Përkujtimit të Besimtarëve të vdekur, në dy ditët e para të nëntorit, këtë të diele Fjala e Zotit na fton të reflektojmë gjithnjë mbi realitetet e fundit të ekzistencës sonë njerëzore, e në mënyrë të veçantë mbi ringjalljen përfundimtare të trupit tonë, siç recitojmë e rrëfejmë në Besojmën e fesë së krishterë në Meshë.
Leximet biblike të kësaj së diele, pra, na ftojnë e na ndihmojnë të meditojmë, të shpresojmë e të hyjmë në misterin e jetës përtej vdekjes. Njëra prej lutjeve për të vdekurit që na ofron Meshari Romak na kujton se: “Jeta nuk na është marrë, por është shndërruar”. Prandaj, Jeta e pasosur është jetë tjetër dhe vdekja është prapa, e jo përpara nesh. Në muajin nëntor kushtuar të shuarve, Kisha nuk flet për të vdekurit, por për të ringjallurit.
Jeta e pasosur është një jetë tjetër, në një përmasë tjetër. Të ringjallurit do të jenë si engjëjt e do të jetojnë në një gjendje të ndryshme, të cilën tani nuk mund ta provojmë, madje, as ta përfytyrojmë. Kështu, na mëson Fjala e Zotit, posaçërisht fragmenti i Ungjillit të kësaj së diele të 32-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë 'C', nga Luka (20,27.34-38), ku Jezusi, duke iu përgjigjur saduçenjve, që donin të talleshin me besimin në ngjalljen e të vdekurve, pohon se “Zoti nuk është Hyj i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse të gjithë jetojnë për Të. Para nesh është Zoti i të gjallëve. Kisha e shikon me optimizëm fundin e jetës tokësore dhe fillimin e asaj, që e quajmë: “Jeta e amshuar”. Ajo është disfata e plotë e mëkatit dhe e vdekjes, fillesa e një kohe të re, në gëzimin dhe dritën e pambaruar.
Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë 2 Mak 7, 1-2.9-14
Lexim prej Librit të dytë të Makabenjve
Në ato ditë, ndodhi që të kapen edhe shtatë vëllezër së bashku me nënën e tyre, të cilët mbreti, duke i rrahur me frushkuj e dej qesh, donte t’i shtrëngonte të hanë mishin e thiut, të ndaluar izraelasve. Njëri prej tyre e mori fjalën në emër të tyre e tha: “Çka do të kërkosh e çka dëshiron të mësosh nga ne? Jemi të gatshëm të vdesim më parë se t’i shkelim ligjet e të parëve tanë!”
Atëherë mbreti, i hidhëruar, urdhëroi që ky të vritet. Pastaj e vunë në mundime të dytin. Ndërsa ky po lëshonte ofshamën e fundit, tha: “Ti, o i pashpirt, mbi të pashpirt, po na e merr jetën e tashme, por Mbreti i botës e di se po vdesim për ligjet e Tij, do të na ngjallë për jetën e pasosur.”
Pas këtij e munduan të tretin. Kur kërkuan, vrik e qiti gjuhën dhe trimërisht i shtriu duart e foli me zë të lartë: “Këto gjymtyrë i kam prej qiellit, e, për shkak të ligjeve të tija, i përbuz, por shpresoj se prej Tij do t’i fitoj përsëri.” Kështu, mbreti, dhe ata që ishin me të, mbetën të habitur për guximin e djaloshit sesi i bënte në asgjë mundimet.
Mbasi ky dha shpirt në këtë mënyrë, nisën ta copëtojnë edhe të katërtin në të njëjtat mundime. Kur ishte në grahmat e fundit të vdekjes, tha kështu: “Është gjë e mirë të vdiqët nga dora e njerëzve me shpresë të gjallë në Hyjin se do të ngjallemi përsëri! Por, ti nuk do të ngjallesh për jetën e pasosur!” Fjala e Zotit.
Psalmi 17
Të thërras në ndihmë, o Zot, ti më vështro
----- ----- ----- -----
Dëgjoje, o Zot, çështjen time të drejtë,
vështroje lutjen time.
Vëri vesh lutjes sime
që del nga buzët joshtiracake.
----- ----- ----- -----
Mbaj hapat e mi brenda shtigjeve të tua,
që këmbët të mos më marrakoten.
Në ndihmë të thërras ty, o Hyj,
e më vështro,
ma prir veshin tënd e dëgjo fjalët e mia.
----- ----- ----- -----
Më fsheh nën hijen e krahëve të tu,
e unë në pafajësi do ta shikoj
fytyrën tënde,
e një ditë, kur të zgjohem,
do të kënaqem me praninë tënde.
----- ----- ----- -----
Leximi i dytë 2 Sel 2, 16 – 3, 5
Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Selanikasve
Vëllezër, vetë Zoti ynë Jezu Krishti dhe Hyji, Ati ynë, që na dëftoi dashuri dhe na dhuroi me anë të hirit të vet ngushëllimin e amshuar dhe shpresën e lume, Ai i ngushëlloftë zemrat tuaja dhe i forcoftë në çdo vepër dhe fjalë të mirë.
Mandej, o vëllezër, lutuni për ne që fjala e Zotit të vrapojë e të nderohet porsi ndër ju dhe që të shpëtojmë prej njerëzve të mbrapshtë dhe të këqij: sepse të gjithë nuk kanë fe! Por Hyji është besnik dhe Ai do t’ju forcojë dhe do t’ju ruajë nga i keqi.
Ne jemi plotësisht të bindur në Zotin se ju i zbatoni porositë tona dhe se do t’i zbatoni. Vetë Zoti i drejtoftë zemrat tuaja në dashurinë e Hyjit dhe në qëndrueshmërinë e Krishtit! Fjala e Zotit.
ALELUJA, aleluja.
Unë jam ringjallja dhe jeta, thotë Zoti;
kush beson në mua edhe nëse vdes do ta ketë jetën. Aleluja.
Ungjilli Lk 20, 27-38
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Në atë kohë, Jezusit iu paraqitën disa saducenj. Saducenjtë thonë se nuk do të ngjallen të vdekurit. Ata i bënë këtë pyetje: “Mësues, Moisiu na urdhëroi: ‘Nëse ndokujt i vdes vëllai i martuar e nuk lë fëmijë, i vëllai le ta marrë gruan e tij dhe le t’i lindë trashëgimtarë. Tashti, ishin shtatë vëllezër. I pari u martua e vdiq pa fëmijë. Edhe i dyti edhe i treti e mori atë e kështu me radhë të shtatë nuk lanë fëmijë e vdiqën. Në fund vdiq edhe gruaja. Tashti, kjo grua, në ringjallje, gruaja e të cilit do të jetë, sepse të shtatë e patën grua?”
Jezusi u përgjigj: “Bijtë e kësaj bote marrin gra ose burra. Kurse, ata që e gjetën të denjë të kenë pjesë në atë botë e në ringjallje të të vdekurve, as s’marrin gra as s’marrin burra. Ata as që mund të vdesin më: janë porsi engjëjt e, për arsye se e rifituan jetën me ringjallje, janë bijtë e Hyjit. E se të vdekurit do të ringjallen, vetë Moisiu e shënoi në fragmenti mbi kaçubën, në të cilin e quan Zotin ‘Hyji i Abrahamit, Hyji i Izakut, Hyji i Jakobit’. Hyji nuk është Hyj i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse të gjithë për të jetojnë.” Fjala e Zotit.
Homelia nga dom Dritan Ndoci:
E DIELA XXXII GJATË VITIT: HYJI NUK ËSHTË HYJI I TË VDEKURVE, POR I TË GJALLËVE.
(2 Mak 7, 1-2.9-14; Ps 17 (16); 2 Sel 2, 16 – 3, 5; Lk 20, 27-38)
Shkrimi Shenjt na flet sot për ngjalljen e të vdekurve në fundin e kohëve. Qëllon shpesh të vërejmë dyshim tek shumë të krishterë në këtë pikë të besimit tonë, për të mos folur për mosbesimin e plotë të jo të krishterëve në këtë aspekt. E pra, e vërteta është kjo: të vdekurit do të ngjallen një ditë. Shenjtërit e Parajsës do ta gëzojnë lumturinë e pasosur edhe fizikisht, kurse ata që gjenden në Ferr, do të vazhdojnë ta vuajnë edhe fizikisht atë gjendje të përjetshme të mungesës së Hyjit.
Shkrimi Shenjt sot na ndihmon të hyjmë edhe më fort në këtë të vërtetë të madhe. Leximi i parë sot është shkëputur nga Libri i dytë i Makabenjve. Makabenjtë ishin një fis i famshëm në shekullin e katërt para Krishtit, që u bënë prijës të një qëndrese të fortë në Izrael ndaj pushtimit të perandorisë maqedonase. Pjesa e sotme na flet për martirizimin e katër prej shtatë vëllezërve që u vranë në një ditë. Ata, për të mos e ngrënë mishin e thiut, gjë e cila për një izraelitas ishte e ndaluar nga Ligji i Moisiut, pranuan më parë të vdisnin mizorisht. Ajo që këta martirë përmendin shpesh në ato çaste të vështira, është shpresa që kanë se një ditë i Gjithëpushtetshmi do t’ua ngjallë trupin: «Ti, o i pashpirt mbi të pashpirtët, po na e merr jetën e tashme, po Mbreti i botës e di se po vdesim për ligjet e Tij dhe do të na ngjallë për jetën e pasosur.» – tha njëri. Një tjetër: «Këto gjymtyrë i kam prej Qiellit e, për shkak të ligjeve të tija, i përbuz, por shpresoj se prej Tij do t’i fitoj përsëri.» E po ashtu edhe një tjetër, ndërsa po e copëtonin, i thotë mbretit: «Është gjë e mirë të vdiset nga dora e njerëzve me shpresë të gjallë në Hyjin se do të ngjallemi përsëri. Por, ti nuk do të ngjallesh për jetën e pasosur.»
Prekëse këto fjalë, por edhe më prekëse është të dimë se, ndërkohë, e ëma (pjesë të cilën teksti i sotëm nuk e sjellë), i nxiste ta pranonin vdekjen, e bindur se kështu do t’i rifitonte plotësisht të bijtë në ditën e ngjalljes. Kemi të bëjmë pra me guxim të madh dhe shpresë të madhe. Guxim i madh, që vjen nga shpresa e madhe.
Në një formë shumë poetike, me shpresën në ngjallje, psalmisti sot i drejton Hyjit këtë lutje: «Më fsheh nën hijen e krahëve të tu / e unë, në pafajsi do ta shikoj fytyrën tënde / e një ditë, kur të zgjohem, / do të kënaqem me praninë tënde.»
Por ai që na e sqaron më së miri se çfarë është ngjallja nga të vdekurit në fundin e kohëve, është Jezusi në Ungjillin e sotëm kur, me lehtësi të jashtëzakonshme, ua argumenton saducenjve mosbesues se «Hyji nuk është Hyji i të vdekurve, por i të gjallëve.»
Por, këto fjalë Jezusi i kishte thënë në fund të një debati që kishte filluar në mes Tij dhe disa teologëve të sektit të saducenjve. Këta nuk besonin në ngjalljen e të vdekurve në fundin e kohëve. Prandaj, për ta zënë ngusht Jezusin, i kishin paraqitur atij rastin e një gruaje e cila kishte qenë martuar me një burrë e nuk kishin pasur fëmijë nga kjo martesë. I kishte vdekur i shoqi dhe, sipas Ligjit të Moisiut, atë grua duhej ta merrte i vëllai i tij, nëse e kishte ndonjë të tillë. Shtatë vëllezër me radhë e morën atë për grua dhe vdiqën pa lënë fëmijë. Në fund vdiq edhe gruaja. E pyetja e saducenjve ishte kjo: «Tashti, kjo grua, në ringjallje, gruaja e të cilit do të jetë, sepse të shtatët e patën për grua?»
Jezusi u përgjigjet: «Bijtë e kësaj bote marrin gra ose burra. Kurse, ata që u gjetën të denjë të kenë pjesë në atë botë e në ringjallje të të vdekurve, as s’marrin gra as s’marrin burra. Ata as që mund të vdesin më: janë porsi engjëjt e, për arsye se e rifituan jetën me ringjallje, janë bijtë e Hyjit.»
Para se të hyjmë më në thellësi të këtij teksti, na duhet të bëjmë një parashtesë.
Ne njerëzit, në gjërat fetare, shpesh degjenerojmë duke e zëvendësuar shëmbëllesën me realitetin. Përshembull, të qenit prind, është shëmbëllesë e Hyjit, prindit absolut. Por, shpeshherë, nuk bëhet ky kalim logjik. Ose, të qenit bari shpirtëror i një bashkësie të caktuar, është shëmbëllesë e Bariut të vërtetë që është Jezusi. Është si të ngatërronim një fotografi të dikujt me njeriun për të cilin fotografia të bën të mendosh.
E thamë këtë sepse edhe martesa është shëmbëllesë e një realiteti tjetër, e atij realiteti për të cilin Shën Gjoni i Kryqit thoshte: «Është më real se vetë realiteti». Ky realitet më real se vetë realiteti, është marrëdhenia e njeriut me Hyjin Triní, pra me Hyjin Dashuri.
Kjo lidhje logjike, në teologjinë e krishterë, nuk është diçka e mjegullt, por shumë e gjallë dhe reale. Njeriu është krijuar që të zhytet i tëri në këtë lidhje dashurore me Hyjin e vet. Njeriu është i krijuar për Hyjin dhe Hyji është qëllimi i tij. «Të gjithë për të jetojnë», thotë Jezusi sot në Ungjill.
Çdo lloj tërheqjeje të brendshme që ndien njeriu për të dashur krijesat e tjera, është tregues se ai e realizon vetveten në tjetrin. Kjo tërheqje del në pah më tërë forcën e vet në lidhjen martesore mes burrit dhe gruas, tërheqje e cila njeriut i imponohet vetvetiu. Aty tregohet shumë dukshëm se njeriu e gjen vetveten në tjetrin. E, tjetri më absolut, është Tjetri me «T» të madhe: Hyji. Martesa është shëmbëllesë e faktit se jemi bërë për Hyjin.
Ta kuptojmë drejt: edhe martesa është një realitet i madh, por njëkohësisht mbart në vetvete misterin e shenjtë të të qenit edhe shëmbëllesë e një realiteti tjetër «më real se vetë realiteti», siç thamë se shprehej mistiku i famshëm spanjoll.
Kur njeriu vdes, shkon tek Hyji, për të cilin ishte krijuar. Kështu misioni u plotësua dhe shëmbëllesa e arriti qëllimin e saj e, si pasojë, duhet t’ia lëshojë vendin plotësimit të saj. Kjo është arsyeja për të cilën vetëm kur vdes njëri nga bashkëshortët, martesa zgjidhet.
Prandaj rasti që i paraqesin Jezusit sot në Ungjill, nuk ka kuptim. Ajo grua ishte gruaja e secilit, sa ishte e martuar me të. Por nuk ishte më e asnjërit nga çasti kur vdekja i kishte ndarë, sepse ai kaloi nga shëmbëllesa tek realiteti, tek Hyji-Dashuri. U braktis fotografia dhe u shkua tek Ai të cilin fotografia e simbolizonte.
Jezusi në fund të përgjigjes së tij thotë për ata që ringjallen: «Ata... për arsye se e rifituan jetën me ringjallje, janë bijtë e Hyjit». Bijtë e bijat e kësaj bote martohen, por jo ata që do të ringjallen në lumturi. Ata kanë arritur atje tek Ai për të cilin ishin krijuar. Qëllimi i kuptimit të jetës së njërit prej bashkëshortëve nuk ishte tjetri, por Hyji. Prandaj edhe nuk e gjejnë lumturinë në njëri-tjetrin, por në Hyjin. Kjo mëson fuqishëm edhe se, në martesën e tyre, lumturinë (për aq sa mund të jemi të lumtur në këtë botë) të martuarit e gjejnë kur e jetojnë në shpirt dashurinë bijësore për Hyjin. Kjo bijësi, pastaj, do të përmbushet në njeriun trup e shpirt vetëm me ngjalljen nga vdekja në fund të kohëve. Prandaj edhe nuk martohen më, sepse plotësisht tashmë «janë bijtë e Hyjit».
Një shenjë tjetër edhe më të fortë ka dashur Hyji t’i dhurojë botës, për të treguar se jemi të krijuar vetëm për Të: janë ata që në këtë jetë, vullnetarisht dhe me bujari të zemrës, zgjedhin t’i kushtohen Hyjit në jetë beqarie. Këta e mishërojnë qysh në këtë botë, atë çka do të jemi në ngjalljen e të vdekurve: tërësisht të Hyjit.
Ata që nuk e përjetojnë aspak në mënyrë personale besimin e tyre në Hyjin, patjetër që gjithë këto gjëra që thamë, i shumëzojnë me zero. Për këta njerëz nuk është çudi që lumturia e Parasjës, nëse e besojnë, t’u duket diçka e mërzitshme. Në kësi rastesh Jezusi do të thoshte: «Kush ka veshë (pra kush ka fe), le të dëgjojë!» Të tjerët, le të qeshin e të tallen sa të duan.
Shën Pali i fton Selanikasit që të forcohen në fe e të luten që të mos ndikohet asnjë i krishterë nga fjalët e atyre që nuk e kanë fenë: «Vëllezer, lutuni për ne që fjala e Zotit të vrapojë e të nderohet porsi ndër ju dhe që të shpëtojmë prej njerëzve të mbrapshtë dhe të këqij, sepse të gjithë nuk kanë fe! Por Hyji është besnik dhe Ai do t’ju forcojë dhe do t’ju ruajë nga i Keqi.»
Prandaj t’i kërkojmë Hyjit që të na bëjë çdo ditë e më tepër të vetëdijshëm se thirrja e të gjithë neve është që të jemi krejtësisht të Tijtë, «sepse të gjithë për të jetojnë». T’i lutemi që shpresa në ngjalljen e të vdekurve ta përshkojë tërë jetën tonë, ashtu siç dëgjuam se kishte përshkuar jetën e shtatë vëllezërve me nënën e tyre në leximin e parë dhe që, në përballje me martirizimin, kjo shpresë ishte bërë edhe më e flaktë në ta. Mbi të gjitha, një shpresë e një siguri të tillë na e jep Jezusi, i vetmi që mund të na e garantojë ngjalljen nga të vdekurit dhe që këtë shpresë na e ka bërë të prekshme me Ngjalljen e vet.
Sa të jemi në këtë botë, të kemi kujdes që të mos i ngatërrojmë shëmbëllesat me realitetin!
Dom Dritan Ndoci