Kërko

 Cristo - artemosaico di Rupnik sj Cristo - artemosaico di Rupnik sj

Fjala e Zotit e dielës së 34-të gjatë vitit, festa e Krishti Mbret ‘C’

Festa e Krishtit Mbret është solemnitet, që kremton Krishtin, Zot të kohës e të historisë, fillimi e fundi i të gjitha gjërave, të cilit i nënshtrohen mbarë njerëzit e krijesat. Kjo festë përkon me të dielën e fundit të vitit liturgjik, duke treguar se Krishti Shëlbues është Zoti i historisë dhe i kohës, është Alfa dhe Omega, siç lexohet në Librin biblik të Zbulesës. Mbretëria e Tij është “shpirtërore dhe ka të bëjë me gjëra shpirtërore”, duke iu kundërvënë asaj të djallit dhe të fuqive të errës

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të dielës së 34-të dhe të fundit gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjik, të cilën, Kisha katolike ia kushton solemnitetit të Krishtit Mbret.

Solemniteti Krishtit Mbret

Kjo festë liturgjike e re (siç dihet është themeluar nga Papa Piu XI më 1925) e mbyll vitin kishtar me një vizion madhështor të harmonisë e të paqes. Një harmoni që nuk është  realizuar përmes planeve të superfuqive apo të ekuilibrave të terrorit, por përmes dashurisë. Në qendër të skenës së Ungjillit të kësaj feste, kemi Jezu Krishtin mbi kryq, që Luka ungjilltar e vendos, si aktin e mbramë të mbretërisë së Tij tokësore, e si gjestin e parë të Mbretërisë së Tij të lavdishme hyjnore, që ofron falje e shpëtim.

Mbretëria e Hyjit, siç thoshte Jezusi, nuk është e kësaj bote e vetë Krishti nuk e pranoi titullin e mbretit në kuptimin politik të kësaj fjale, por kjo mbretëri realizon gjithçka të mirë që ekziston në zemrën e njeriut e në histori. Kështu, Kisha, këtë të diele, kumton të vërtetën e Krishtit Mbret, shpallur në Kryq nga akti më heroik i dashurisë që njeh historia.

Vdekja e Jezus Krishtit në kryq është akti më i madh i dashurisë që njihet në të gjithë historinë e njerëzimit: këtë të vërtetë, që i është dorëzuar, Kisha e ruan plot përvujtëri, pa hijen e mburrjes ose të arrogancës dhe shpall në solemnitetin e Krishtit Mbret. Ai është i vetmi Zot, e përballë tij të gjithë jemi vëllezër.  Duke iu drejtuar hajdutit të mirë, Jezusi shqipton një fjalë të vetme: fjalën e faljes, jo të dënimit: "Për të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë”. Sepse kur njeriu merr guxim të kërkojë ndjesë, Krishti nuk e bën veshin të shurdhër, nuk ia mohon kurrë faljen. Kështu Kisha katolike e mbyll vitin liturgjik.

Solemniteti i Krishtit Mbret është pra, një ftesë e fuqishme për ta kthyer zemrën gjithnjë kah mbretëria e Zotit, duke pranuar sundimin e Hyjit, që sjell të Vërtetën në jetën tonë. E kërkojmë këtë përditë në lutjen “Ati ynë” me fjalët “Ardhtë mbretëria jote”.  Në se vemë në jetë dashurinë për të afërmin, sipas lajmit ungjillor, atëherë i hapim rrugën sundimit të Zotit e mbretëria e tij vjen mes nesh.

                                                     Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë 2 Sam 5, 1-3
Davidi ka fituar famë si luftëtar i pathyeshëm. Fiset e veriut duan një kryetar që i mbron dhe i kërkojnë Davidit nëse do të jetë mbreti i tyre. Ai pranon, por nuk ka asgjë fetare në këto ngjarje. Megjithatë Hyji nëpërmjet lojës së ngjarjeve politike, përgatit ardhjen e Mesisë.

Lexim prej Librit të dytë të Samuelit
Në ato ditë, erdhën të gjitha fiset e Izraelit te Davidi në Hebron dhe i thanë: “Ja, ne jemi ashti yt dhe mishi yt. Po edhe më parë, kur Sauli ishte mbreti ynë, ishe ti ai që i drejtoje të gjitha lëvizjet e Izraelit.
Edhe Zoti të ka thënë: ‘Ti do ta kullotësh popullin tim Izraelin dhe ti do të jesh prijës mbi Izraelin’.” Po ashtu erdhën edhe të gjithë pleqtë e Izraelit te mbreti në Hebron, dhe Davidi mbret lidhi besëlidhje me ta në Hebron në praninë e Zotit. Ata e lyen Davidin mbret përmbi Izraelin. Fjala e Zotit.
 
Psalmi 122
Ku është Zoti, aty mbretëron paqja

----- ----- -----
Sa u gëzova kur më thanë:
“Eja të shkojmë në Shtëpinë e Zotit!”
Ja, tashmë këmbët tona shkelën
në dyert e tua, o Jerusalem!
----- ----- -----
O Jerusalem, qytet i ndërtuar me mjeshtëri,
thuaj se i tëri një copë të vetme je!
Atje ngjiten fiset, fiset e Zotit,
sipas rregullores në Izrael,
për të kremtuar Emrin e Zotit.
----- ----- -----
Atje janë selitë e gjykatores së drejtësisë,
selitë e shtëpisë së Davidit!
Lutuni për paqen e Izraelit:
“U priftë e mbara atyre që të duan ty!”
----- ----- -----
 
Leximi i dytë Kol 1, 12-20
Kolosianët imagjinonin se energjia hyjnore përhapej nga Hyji tek engjëjt, njerëzit, lënda dhe mendonin të vendosnin Krishtin në këtë shkallë hierarkike. Pali kundërshton dhe dënon këtë konceptim mbi krishterimin. Edhe sot rikthehet tundimi për të futur Krishtin në një filozofi njerëzore, të ndërtuar jashtë Ungjillit. Krishti vendoset në një nivel tjetër: Ai është i Parëlinduri i njerëzimit dhe e shpëton prej vdekjes.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Kolosianëve
Vëllezër, ta falënderojmë Atin, i cili ju bëri të aftë të keni pjesë në trashëgimin e shenjtërve në dritë. Ai na nxori nga pushteti i errësirës dhe na kaloi në Mbretërinë e Birit të vet të dashur, në të cilin kemi shpërblimin, faljen e mëkateve.
Ai është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm, i parëlinduri, para çdo krijese. Sepse në Të u krijua çdo gjë në qiell e në dhe, çka shihet e çka nuk shihet: qoftë fronet, qoftë zotërimet, qoftë principatat, qoftë pushtetet: gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të. Ai është para çdo gjëje dhe çdo gjë qëndron në Të. Ai është Kryet e Trupit, Kishës; Ai është fillimi, i parëlinduri ndër të vdekurit, që të jetë në gjithçka i pari. Sepse Hyjit i pëlqeu të banojë në Të e tërë plotësia dhe, me anë të Tij, duke vendosur paqen me anë të gjakut të kryqit të Tij, të pajtojë me vete gjithçka, qoftë në tokë qoftë në qiell. Fjala e Zotit.
 
ALELUJA, aleluja.
Qoftë bekuar Ai që vjen në Emër të Zotit!
Qoftë bekuar Mbretëria e Tij që po vjen.
Aleluja.
 
Ungjilli Lk 23, 35-43
Mundimet e Krishtit te Luka janë përshkruar me optimizëm. Ndërsa kryetarët e popullit shprehin urrejtje dhe ironi, populli qëndron i pa gojë duke e kundruar. Është shumë domethënës dialogu i Jezusit me dy hajdutët: Krishti, megjithë mundjen, madje nëpërmjet saj, triumfon mbi të keqen dhe dhuron mëshirën e tij, duke u bërë kështu Zot i qiellit dhe i tokës, burim i shpëtimit për të gjithë.
 
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Në atë kohë, populli rrinte aty e po kundronte. Anëtarët e Këshillit të Lartë e përqeshnin duke thënë: “Tjerët i shpëtoi, le ta shpëtojë vetveten, nëse është Mesia i Hyjit, i zgjedhuri!” Edhe ushtarët e vinin në lojë. Iu afruan për t’i dhënë uthull dhe i thanë: “Nëse je ti mbreti i judenjve, shpëto vetveten!” Mbi të ishte edhe mbishkrimi: “Ky është mbreti i judenjve.”
Njëri nga kriminelët e kryqëzuar e fyente: “Po a nuk je ti Mesia?! Shpëto veten edhe ne!” Por ai tjetri e qortoi shokun: “As ti nuk e druan Hyjin që po vuan të njëjtin dënim si ai? Sa për ne kjo është drejtësi: po marrim ndëshkimin e merituar për veprat tona! Por ky – ky s’bëri asnjë të keqe!”
Dhe tha: “Të bie ndër mend për mua, o Jezus, kur të arrish në Mbretërinë tënde!” E Jezusi i tha: “Për të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë.” Fjala e Zotit.

Homelia nga dom Dritan Ndoci:

Homelia nga dom Dritan Ndoci:

E DIELA XXXIV GJATË VITIT, JEZU KRISHTI, MBRET I GJITHËSISË:HYJI NA NXORI NGA PUSHTETI I ERRËSIRËS NË MBRETËRINË E BIRIT TË VET TË DASHUR.     

(2 Sam 5, 1-3; Ps 122 (121); Kol 1, 12-20; Lk 23, 35-43)

Na duhet ta lodhim pak kokën sot duke përmendur njërën prej pyetjeve që shpesh teologët e ndryshëm kanë parashtruar pse pikë­risht Biri ishte Ai që u mishërua? A do të kishte mundur të bëhej njeri edhe Ati apo Shpirti Shenjt? Pse pikërisht Biri?

Është një pyetje të cilën, tani që e dëgjuam, mbase edhe ne do të kishim shumë dëshirë t’ia dinim përgjigjen. Patjetër që përgjigjen e saktë nuk mund të themi se e dimë, sepse, në lirinë e Tij, Hyji-Triní mund të bëjë gjithçka. Por, duke u bazuar në Shkrimin Shenjt, duket sikur një farë përgjigjeje edhe mund ta kemi.

Le t’i hedhim një shikim leximit të dytë, të shkëputur nga Letra e Shën Palit apostull drejtuar Kolosianëve. Aty apostulli e falë­nderon Hyjin se na ka kaluar nga pushteti i errësirës në Mbretërinë e Birit të vet të dashur. E fill pastaj, me ngjyra vërtet solemne, tregon se kush është Biri: «Ai është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm, i Parëlinduri, para çdo krijese. Sepse në Të u krijua çdo gjë në qiell e në dhé, çka shihet e çka nuk shihet: qoftë Fronet, qoftë Zotërimet, qoftë Principatat, qoftë Pushtetet.» Dhe ja ku vjen tek pohimi që na intereson për atë pyetjen tonë: «Gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të.»

Ndonjëri prej etërve të Kishës e shpjegonte këtë të vërtetë (pra, se nëpër Krishtin dhe për Krishtin u krijua gjithçka) duke thënë se, kur Ati po krijonte gjithësinë, ishte duke shikuar kah Biri i vet: shikonte kah Ai dhe krijonte. Etërit e Kishës bënin shpesh këso shpjegi­mesh simpatike, por me plot realizëm e me baza të shë­ndo­sha teologjike.

E vërteta, pra, është se nëpër Birin u krijua gjithësia dhe se u krijua në përngjasimin ndaj Tij. Aq më tepër njeriu. Kur Bibla thotë se njeriu, me mëkatin e parë, e dëmtoi rëndë (por nuk e humbi) përngjasimin ndaj Hyjit, dashka të thotë, pra, se dëmtoi rëndë sidomos përngjasimin me Birin. Në fakt, njeriu u plagos dukshëm në mënyrën bijësore të të jetuarit me Hyjin. Prandaj i takonte pikërisht Birit që të vinte e të na e kujtonte edhe një herë se cila është mënyra e duhur për ta jetuar jetën tonë me Hyjin dhe, si pasojë, edhe me njëri-tjetrin e me gjithësinë.

Ja, pra, përgjigjja që teologët i japin pyetjes që shtruam në fillim: meqë Biri ishte modeli sipas të cilit qemë krijuar, i takonte pikërisht Birit që të vinte e ta ndreqte dëmin e shkaktuar nga mëkati.

Shumë teologë pastaj thonë edhe diçka tjetër shumë të bukur (po na takon ta lodhim përsëri kokën sot me gjëra të vështira): edhe sikur njerëzit e parë nuk do të kishin mëkatuar, prapëseprapë Biri do të bëhej njeri. Kjo do të thotë se krijimi ishte fillimi i një plani të gjatë të Hyjit në lidhje me njeriun. Sipas disa të dhënave të Shkrimit Shenjt, por disomos të Traditës së Kishës më vonë, ishte sidomos kjo gjë ajo që Luciferin (atë që pastaj do të njihej si djalli) e shumë djaj të tjerë i mbushi me xhelozi edhe më fort dhe i bëri ta humbisnin plotësisht lumninë e Parajsës. Nuk mund ta dimë sesi do të kishte qenë mishërimi dhe jeta e Birit të Hyjit nëse mëkati nuk do të kishte hyrë në botë, por kjo na bën të mendojmë se sa e madhe ishte dashuria e Hyjit ndaj nesh kur Biri, gjithsesi, nuk e ndryshoi planin e Tij që të vinte në mesin tonë, edhe atëherë kur kjo ardhje e Tija rrezikonte të pritej keq, sikurse edhe ndodhi. Por pikërisht edhe aty Jezusi veproi si Bir i Hyjit, duke na dëshmuar se, edhe në mundime, në përndjekje të padrejta dhe në vdekje, ne mund të jetojmë si bij e bija të Hyjit.

E Ungjilli i sotëm na tregon disa detaje të dëshmisë që Jezusi na ka dhënë për të jetuar si bij e bija të Hyjit, se si ta shërojmë egoizmin tonë dhe ta “fitojmë” edhe një herë përngjasimin që natyrës njerë­zore i qe dëmtuar rëndë nga mëkati.

Ungjilli i sotëm na flet pikërisht për çastet kur Jezusi është i kryqëzuar. Ndërsa është ndër grahmat e thekëta të vdekjes, anë­tarët e Këshillit të Lartë nuk ngurojnë ta përqeshin: «Të tjerët i shpëtoi, le ta shpëtojë vetveten, nëse është Mesia i Hyjit – ‘i Zgjedhuri’!» Por Jezusi hesht. Hesht dhe vuan. Po na shëron. A nuk është e vërtetë se pikërisht nga frika se të tjerët mund të na përqeshin, na vjen tundimi të tregojmë se dimë të bëjmë edhe ndryshe? Jezusi, edhe në ato rrethana, e vazhdon dhe e çon drejt plotësimit veprën e Tij shëlbimprurëse.

Pastaj ushtarët, duke e ftuar Jezusin që ta vërtetonte se i fortë ishte, e vinin në lojë duke i thënë: «Nëse je mbreti i judenjve, shpëto vetveten!» Por «emri i Hyjit nuk është “Sukses”», thotë një proverb. Ushtarët po e nxisnin që të bënte të kundërtën e logjikës Hyjnore. E as këtu Jezusi nuk thotë asgjë. Ai thjesht duron me përvujtëri të skajshme.

«Po a nuk je ti mbreti i judenjve?! Shpëto veten edhe ne!», është pastaj britma e njërit prej të kryqëzuarve, britmë e cila mund të përfaqësojë edhe britmat e të gjithë të kryqëzuarve të botës nga sëmundjet apo kryqet e tjera të jetës. Patjetër që mund t’i lutemi Hyjit për shërime e për mrekulli, por duhet ta pranojmë se ato ndodhin vetëm brenda një feje të gjallë e brenda logjikës së Hyjit për të arritur shëlbimin tonë. Prandaj duhet të ruhemi fort kur mendojmë se fjala “Hyj” është e barabartë me “mirëqenie” e jo me “dashuri”. Vetëm logjika e përsosjes në dashuri i jep shpjegim deri diku vuajtjes, kryqit. Shpeshherë pikërisht nëpërmjet tyre ne mund ta rifitojmë atë përngjasim të cilin mëkati na e kishte dëmtuar rëndë.

Dhe ja ku vërtetohet kjo gjë tek i kryqëzuari tjetër. Ai e kupton se ky i dënuar pa faj është Hyj. Çfarë Hiri i madh iu dhurua këtij njeriu në atë çast të skajshëm?! Prandaj ai e qorton shokun tjetër duke i thënë: «As ti nuk e druan Hyjin që po vuan të njëjtin dënim si ai? Sa për ne, kjo është drejtësi: po marrim ndëshkimin e merituar për veprat tona. Por ky, ky s’bëri asnjë të keqe.»

E pastaj i drejtohet Jezusit: «Të bjerë ndër mend për mua, o Jezus, kur të arrish në Mbretërinë tënde!» Fjalë mallëngjyese. Aq mallë­ngjyese, saqë prekin edhe Hyjin. Prandaj Jezusi i mbledhë edhe një herë ato pak forca që i kishin mbetur në trupin e Tij të sfilitur dhe i premton me fjalë po aq prekëse: «Për të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në Parriz.» Ja fryti i parë i mundimeve të Krishtit.

Këto janë vetëm disa prej detajeve të kryqëzimit të Jezusit, Birit të Hyjit, detaje me anë të të cilave Biri i Hyjit e shëron natyrën tonë. Është interesante të shohim se pikërisht këtë pjesë po e lexojmë sot, në këtë të kremte ku Krishtin e quajmë Mbret të Gjithësisë. Por kështu është: Është e vërtetë se Jezusi është Mbreti që mban gjithë­sinë (Shën Pali në letrën e sotme thotë: «Ai është para çdo gjëje, dhe çdo gjë qëndron në Të.»), por nuk sundon pa dashuri. Ai është Mbreti i dashurisë, i paqes, i drejtësisë dhe i së vërtetës. Kështu do të duhej të ishte çdo mbretëri në këtë botë dhe bota do të kishte padyshim një fytyrë tjetër. Nga errësira e egoizmit, bota do të kalonte në dritën që sjellë Mbretëria e Birit të Hyjit, që është Mbretëri dashurie.

Leximi i parë sot, në mënyrë shumë interesante, shkon e na sjellë një tekst që flet për shugurimin e Davidit si mbret të Izraelit. Jo më kot e bën këtë, sepse në Izrael mbreti duhej të ishte përfaqësuesi i Hyjit në mesin e popullit të Tij; duhej të sillej me popull ashtu si Hyji do të ishte sjellur. Ajo shprehja që ne e dëgjojmë shpesh «Zoti në qiell e qeveria në tokë!» do të ishte shumë e saktë sikur të mos mendohej se Zoti ka punët e veta në qiell, kurse në tokë vendos qeveria se çfarë duhet bërë apo jo, por sikur të kuptohej se qeveria do të duhej të ishte përfaqësuese dhe përçuese e vlerave që Hyji na mëson: dashuri, harmoni, vërtetësi, paqe, drejtësi, përparim. Nga kjo lloj teokracie bota nuk ka pasur kurrë të keq. Vetëm duke shikuar kah mënyra se si Jezusi është Mbret, edhe mbretërit e kësaj bote do të dinë të mbretërojnë si duhet.

T’i kërkojmë, pra, Jezusit që vazhdimisht ta ndreqë e ta shërojë atë që mëkati ka plagosur e shëmtuar në ne. Kështu do ta kuptojmë se gjëja vërtet madhështore është që të jetojmë si bij dhe bija të Hyjit e kjo është e mundur edhe në mes të vuajtjeve dhe poshtërimeve. Atëherë do ta falënderojmë vazhdimisht Jezusin që nuk është kursyer për të na e dëshmuar dhe mundësuar këtë.

Kështu, tani e kuptojmë galdimin e zemrës së Shën Palit kur u thotë të krishterëve, atyre që e kishin pranuar Jezu Krishtin me fe të gjallë në jetën e tyre: «Vëllezër, ta falënderojmë Atin, i cili ju bëri të aftë të keni pjesë në trashëgimin e shenjtërve në dritë! Ai na nxori nga pushteti i errësirës dhe na kaloi në Mbretërinë e Birit të vet të dashur, në të cilin kemi shpërblimin – faljen e mëkateve.»

Dom Dritan Ndoci

 

19 nëntor 2022, 10:04