Çelësi i fjalëve të Kishës: pse Papa i vë në qendër të varfërit?
R.SH. - Vatikan
“Sa do të doja një Kishë të varfër për të varfërit”.
Me këto fjalë, shqiptuar menjëherë pasi u zgjodh Papë, Jorge Mario Bergoglio vuri në dukje një temë, që vazhdon të jetë në vendin e parë e në qendër të papnisë së tij. Siç pritej, shumë e interpretuan këtë deklaratë, duke thënë se Papa Françesku u kërkon katolikëve të angazhohen më tepër kundër varfërisë. E natyrisht, ky interpretim është i drejtë, por nuk e përfshin kuptimin më të thellë, që Ati i Shenjtë i jep varfërisë. Sot, në prag të Ditës VI Botërore të të Varfërve, që kremtohet të dielën, më 13 nëntor e që është themeluar pikërisht nga Papa Françesku më 2017, do të thellohemi pak më tepër në mënyrën si e koncepton ai varfërinë.
Nuk duhet të habitemi kur e dëgjojmë Papën të flasë kaq shumë për varfërinë materiale. Në fund të fundit, vjen nga Argjentina. Çdo njeri shkandullohet nga kontrasti ndërmjet lagjes së mrekullueshme Recoleta të Buenos Ajresit, që i jep qytetit emrin “Parisi i Jugut”, dhe mjerimit të basifondeve, si zona Villa Rodrigo Bueno.
Para këtyre pabarazive, të krishterët nuk mund të jenë indiferentë. Por për të kuptuar fjalët e Papës Françesku, duhet të kujtojmë se kur Ati i Shenjtë flet për varfëri materiale, nuk është materialist, as konkretisht, as nga pikpamja filozofike, por katolik i vërtetë. Kjo do të thotë se interpretimi i tij shkon përtej këndvështrimit laik të zakonshëm mbi varfërinë e s’ka të bëjë vetëm me mungesën e ushqimit e të veshjes.
Gjatë një takimi të disa viteve më parë me lëvizjet e reja kishtare, në të cilin Papa iu përgjigj pyetjeve të të pranishmëve, Ati i Shenjtë foli mbi krishterimin e varfërinë, duke theksuar:
“Për ne të krishterët, varfëria nuk është çështje sociologjike, filozofike apo kulturore. Jo, është çështje teologjike. …Biri i Zotit, duke u përvuajtur, u bë i varfër për të ecur me ne përgjatë rrugës sonë. E kjo është varfëria jonë: varfëria e mishit(korpit) të Krishtit, varfëria që solli Biri i Zotit me Mishërimin e vet. Një Kishë e varfër për të varfërit fillon nga mishi(korpi) i Krishtit. Nëse prekim mishin(korpin) e Krishtit, atëherë nisim të kuptojmë diçka, të kuptojmë ç’është kjo varfëri, varfëria e Zotit”.
Me një fjalë, kjo mund të quhet “përvujtëri”. Siç ka shkruar një jezuit i vjetër, Philip Caraman, përvuajtëria është “virtyti me të cilin kuptojmë vërtet kush jemi para Zotit, duke pasur parasysh gjithçka na ka dhënë Hyji, gjithçka ka bërë për ne e çfarë pret prej nesh”.
Shpjegim tjetër për mënyrën si e përdor Papa Françesku fjalën “varfëri” na vjen nga Ungjilli sipas Mateut (5,3), ku përdoret fjala “të varfër në shpirt”. Fjala greke e Ungjillit do të thotë të përulesh deri te lypësi, të jesh si lypës. Pra, “të varfërit në shpirt” mund të jenë të varfër, të pasur, të klasës së mesme, mund të jemi të gjithë ne që pranojmë mëkatet tona dhe “lypim” shëlbimin e Krishtit.
Kjo është themelore në konceptimin e Kishës së varfër. Një Kishë e përvuajtur në këtë mënyrë përbëhet nga njerëz, që i nënshtrohen lirisht Krishtit, sepse vetëm Ai mund të na shpëtojë. Janë të njëjtat reflektime, që i vijnë ndërmend njeriut kur lexon jetën e shën Françeskut, gjë që tregon se Papa aktual nuk e ka zgjedhur më kot këtë emër. Ashtu si shenjti i madh, edhe Jorge Mario Bergoglio, kur flet për varfëri, nuk e ka fjalën për mjerimin, por as nuk kërkon aktivizim politik të Kishës për zhdukjen e varfërisë, pavarësisht se bën thirrje për përgjegjësinë e shteteve e të politikanëve. Por Kisha nuk është organizatë jo qeveritare, siç thekson shpesh. Papa Françesku dëshiron që katolikët të sjellin përmasën e krishterë në përballimin e problemeve të varfërisë, e konsideron të varfërin subjekt të fatit të vet e jo si objekt të asistencializmit shtetëror. Por, thotë se po të marrim parasysh vetëm “efikasitetin e kësaj bote” me të cilin maten gjërat, ka rrezik të harrojmë dashurinë e krishterë.
Për ta kuptuar qartë këtë mjafton të kujtojmë se s’kishte asgjë “efikase” në sjelljen e Nënë Terezës për t’u marrë me më të varfërit e botës. Shenjtja shqiptare e bamirësisë u kritikua nga disa, që i thoshin se s’kishte bërë asgjë për zhdukjen e varfërisë…asgjë, që të përfshinte vendime politike, natyrisht. Por puna e saj nuk ishte politike. Ka diçka që qëndron mbi politikën e kjo është: t’u çosh dashurinë e Krishtit atyre, në të cilët, vetë Krishti na pati thënë se do të shohim fytyrën e Tij. Zoti nuk na e kishte për borxh të na dërgonte Birin e Tij. Prandaj, koncepti katolik për varfërinë na kujton se është Mëshira Hyjnore ajo, që na shpëton, më shumë se sa drejtësia.