Bartolomeu I: me Papën, për një datë të përbashkët të Pashkëve
R. SH. - Vatikan
Patriku Ekumenik i Kostandinopojës Bartolomeu I priti dje, në selinë e Patriarkanës në Stamboll, grupin e priftërinjve dhe gazetarëve, të cilët, me nismën e Veprës Romake të Shtegtimeve, po vizitojnë prej disa ditësh vendet e shenjta të Turqisë, në gjurmët e Shën Palit, duke rinisur, kështu, rrugën e shtegtarëve pas mbylljeve për shkak të pandemisë. Në fjalën e tij të mirëseardhjes, Patriarku i drejtoi, para së gjithash, një mendim tejet të dëshiruar të Papës, “vëlla në fe”, me të cilin u takua disa ditë më parë në Bahrein, shoqëruar me përshëndetjen e përzemërt Presidentit të Republikës Italiane, Sergio Mattarella dhe me fjalë të mira për qeverinë e re italiane dhe për botën politike, shoqëruar me inkurajimin për të punuar për të mirën e përbashkët.
Në Qipro, për varrimin e Kryepeshkopit Chrysostomos
Bartolomeu I, më pas, njoftoi se do të shkojë nesër në Qipro për të marrë pjesë në salikimet e kryepeshkopit ortodoks Chrysostomos II, i cili ndërroi jetë pas një sëmundjeje të gjatë më 7 nëntor. Udhëtim veçanërisht i rëndësishëm gjatë të cilit, pohoi, do të takohet me përfaqësuesin e Papës, kardinalin Kurt Koch, kreu i Dikasterit për nxitjen e bashkimit të të krishterëve.
Vetëm një datë për Pashkët Katolike dhe Ortodokse
Më pas, Patriku Ekumenik u përqendrua në angazhimin, me Papën Françesku, lidhur me përvjetorin e Koncilit të Nikesë, mbledhur nga Perandori Konstandin në vitin 325.
Shenjtëria juaj, çfarë mund të na thoni për këtë angazhim të përbashkët?
“Koncili Ekumenik i Nikesë ishte shumë i rëndësishëm për të rregulluar përmbajtjen e besimit tonë të krishterë, por edhe për datën e Pashkëve, si dhe kur duheshin kremtuar. Fatkeqësisht, ne nuk i festuam së bashku për shumë vite, për shumë shekuj. Pra, në kuadër të këtij përvjetori, objekti i përpjekjeve të përbashkëta me Papën është gjetja e një zgjidhjeje për këtë. Ndoshta tani nuk është koha për të dhënë hollësira, por dua të theksoj se nga ana ortodokse dhe nga ajo katolike ekziston një qëllim i mirë për të caktuar përfundimisht datën e përbashkët për kremtimin e Ngjalljes së Krishtit. Shpresojmë të marrim një rezultat të mirë këtë herë”.
Me ç’sy i shikoni shpresat për paqe përballë luftës shkatërruese, që vijon në Ukrainë?
“Kjo luftë nuk mund të përligjet në asnjë mënyrë. Kohët e fundit fola edhe për këtë kur isha në Angli. Fola ashpër, por duhej ta bëja, në emër të besimit tonë të krishterë, e edhe më gjerë. Më duket se të gjithë njerëzit që kanë pikëpamje të drejtë për gjërat, nuk mund të mos e dënojnë këtë luftë. Vetë Papa dëshiron ta sensibilizojë të gjithë botën për paqen. Në një nga mesazhet e tij, më 1 janar të disa viteve më parë, Papa pati thënë se nuk mund të ketë paqe, pa drejtësi. Fjalë shumë e drejtë, kjo: nuk mund të kemi paqe, pa drejtësi. Kjo vlen gjithmonë dhe në predikimet e mia! I përsëris këto mesazhe nga Papa, nga të gjithë Papët, çdo vit më 1 janar, ditë e lutjes për paqe. Janë mesazhe shumë të rëndësishme, me përmbajtje tejet të mençur.
Nga ana ime, uroj kthim të mbarë dhe mos harroni Turqinë, Anadollin, ku ka shumë kujtime të së kaluarës sonë të krishterë, veçanërisht të shekujve të parë të krishterimit, të koncileve ekumenike... Isha me hierarkinë katolike të Vendit tonë para disa javësh në Efes, ku nunci apostolik i Ankarasë dhe ipeshkvijtë katolikë kremtuan Meshën në katedralen e Koncilit III Ekumenik e, me këtë rast, më kërkuan të predikoj. Jo vetëm Koncili i Kalcedonisë, vendet e Koncileve Ekumenike, Kostandinopoja, por edhe monakizmi, arti i shenjtë, teologjia, baballarët e Kapadokies datojnë në atë kohë ... frymëzohesh, duke u kthyer në shekujt e kaluar, në të cilët lutesh dhe mëson më shumë për popullin turk, tejet mikpritës. Të gjithë të huajtë, që vijnë këtu, e kanë këtë përshtypje”.
Patriarkana Ekumenike ka spikatur prej vitesh për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe jetës njerëzore. Përballë dixhitalizimit, a nuk ekziston mundësia që dinjiteti njerëzor të rrezikohet duke ia dorëzuar makinerive? Ju, çfarë mendoni?
“Ne respektojmë shkencën, respektojmë teknologjinë. Këshilli Pan-Ortodoks i Kretës, në vitin 2016, pohoi se shkenca, teknologjia, kërkimi shkencor janë dhuratë nga Zoti, por nga ana tjetër e kuptojmë se ka përmbysje. Ndërsa ne e vendosim dinjitetin e personit njerëzor në qendër të gjithçkaje. Sigurisht që në shkolla përdoret shumë teknologjia moderne, dixhitale, por kjo metodë e re nuk mund të zëvendësojë metodën e lashtë të mësimdhënies bazuar në vlerat shpirtërore, në etikë. E përsëris: në qendër të gjithçkaje është dinjiteti i njeriut, rreth të cilit duhet të bëjmë zgjedhjet tona, duke respektuar pikërisht lirinë e njeriut”.