Kërko

Asambleja e Eprorëve të Jetës së Kushtuar rregulltare në Shqipëri

Situata që po përjeton sot Jeta e Kushtuar Rregulltare në Shqipëri, ishte ne qender te Asamblese se përgjithshme te Keshillit të Eprorëve të lartë dhe delegatëve te tyre qe u mbajt me 12 netor në Tiranë pranë Universitetit Katolik 'Zoja e Këshillit të Mirë' mbi temen marrë prej Librit të Mbretërve, fjalët e Engjëllit të Zotit drejtuar Elisë:,,Çohu e ha sepse të duhet të bësh rrugë të gjatë”.

R. SH. - Vatikan

Situata që po përjeton sot Jeta e Kushtuar Rregulltare në Shqipëri, ishte ne qendër te Asamblesë së përgjithshme të Këshillit të  Eprorëve të lartë dhe delegatëve të tyre që u mbajt me 12 nëntor  në Tiranë pranë Universitetit Katolik 'Zoja e Këshillit të Mirë'  mbi temën marrë prej Librit të Mbretërve, fjalët e Engjëllit të Zotit drejtuar Elisë: "Çohu e ha sepse të duhet të bësh rrugë të gjatë”.  Në Shqipëri, sot nuk janë të pakta Kongregatat rregulltare që vitet e fundit  janë larguar nga vendi, të tjera janë gati të largohen dhe të tjerë akoma mendojnë për këtë. Kjo nisur nga mungesa e thirrjeve të reja të jetës rregulltare dhe avancimi në moshë i atyre rregulltarëve që janë në këtë vend, po me hollësisht nga Shkodra të ndjekim njoftimin e at Artan Seli, rregulltar shqiptar salvatorian, nga famullia e Koplikut dhe kancelar i kuries sё kryedioqezёs sё Shkodёr-Pultit:

Nga Shkodra të ndjekim njoftimin e at Artan Seli

Të shtunën me 12 nëntor u mbajt në Tiranë pranë Universitetit Katolik 'Zoja e Këshillit të Mirë'. Asambleja e përgjithshme e Këshillit që është konferenca e Eprorëve të lartë dhe delegatët e tyre të pranishëm në Shqipëri. Si Konferencë funksionon që në vitin 1996 ka lind si qëllim që si rregulltarë të ecim së bashku dhe po së bashku ti japim zgjidhje sfidave të cilat i takojmë gjatë misionit të ungjillëzimit dhe nevojave të Kishës në Shqipëri. Një vit pas themelimit pra në 1997 u pranua si konferencë nga  Dikasteri të Jetës së Kushtuar. Këtë vit mbush plot 25 vite.

Gjatë këtyre viteve të shumta kanë qenë sfidat të cilat i ka kaluar Kisha në Shqipëri kështu që edhe jeta rregulltare duke patur parasysh se kur kanë mbërritur institutet e ndryshme në Shqipëri i është dashur që të fillojne gjithçka nga zero kjo për faktin se siç e dimë Shqipëria në vitet 90 ka dalë nga regjimi. Siç thashë më lart të shumta sfidat por të pafundme bekimet dhe të mirat që si kishë dhe si popull i kemi patur dhe i kemi nga prania e jetës Rregulltare në Shqipëri. Aktualisht në Shqipëri janë 90 kongregata mes të cilave 67 kongregata femërore   dhe 23 kongregata  mashkullore.

Duke ju kthyer Asamblesë së fundit- Rreth 130 rregulltarë morën pjesë në këtë Asamble, nga të cilët më shumë se tridhjetë eprorë të lartë të ardhur nga jashtë Shqipërisë pikërisht për këtë rast.

Këshilli Kombëtar i Kishes donte para së gjithash të përfshinte Eprorët e lartë për të nisur së bashku një rrugëtim shqyrtues në nivelin ndërkongregacional, duke pasur parasysh situatën që po përjeton Jeta e Kushtuar Rregulltare në Shqipëri. Në fakt, nuk janë të pakta Kongregatat që janë larguar nga vendi vitet e fundit, të tjera janë gati të largohen dhe të tjerë mendojnë për këtë. Kjo nisur nga mungesa e thirrjeve të reja dhe avancimi në moshë i atyre që janë në këtë vend.

Përveç eprorëve të lartë, në këtë asamble  ishin të pranishëm ipeshkvij të dioqezave të ndryshme ku veprojnë rregulltarët, imzot Arjan Dodaj, Imzot Simon Kulli, Imzot Gjergj Meta, Imzot Giovanni Peragine dhe  Nunci Apostolik në Shqipëri, Imzot Luigi Bonazzi, i cili kujdeset dhe shoqëron jetën rregulltare në Shqipëri dhe për këtë e falënderojmë.

Tema e asamblesë ishte e marrë prej librit të Mbretërve, fjalët e Engjëllit të Zotit drejtuar Elisë:,,Çohu e ha sepse të duhet të bësh rrugë të gjatë” (Mbr. 19,7b)

Dita nisi me lutjen dhe më pas përshëndetja e presidentit të Këshillit Kombëtar At Artan Seli SDS, Arqipeshkvit të Arkidioqezës Tiranë – Durrës imzot Arjan Dodaj, gjithashtu u lexua letra përshëndetëse e dërguar nga  kardinali João Braz de Aviz, prefekti i Kongregates se Vatikanit për jetën e Kushtuar dhe shoqërive apostolike.

Më pas prof. Ardian Ndreca, prof. Histori filozofi moderne në Universitetin Urbaniana, dhe gjithashtu i emëruar kohët e fundit si  rektor i universitetit katolik Zoja e Këshillit të Mirë prezantoi Situata e sotme socio-politike dhe fetare në Shqipëri, duke na ftuar të shikojmë të ardhmen me shpresë.

Dom Mark Shtjefni, Rektori i Seminarit Ndërdioqezan Nëna e Këshillit të Mirë në Shkodër prezantoi dokumentin final sa i përket rezultateve të punës së sinodit që po bëhet si Kishë në Shqipëri.

Imzot Giovanni Peragine, Ipeshkëv i Administraturës së Jugut dhe përfaqësues i KISH pranë KSHEL paraqiti disa sfida të jetës rregulltare gjatë këtyre 30 viteve në Shqipëri.

Asambleja ka vazhduar punimet pas një pushimi të shkurtër ku ishte mundësia e ndërhyrjeve me pyetje në lidhje me atë që paraqitën tre relatorët gjatë ligjëratave të tyre. Në momentin e mbërritjes në asamble pjesëmarrësit u regjistruan në tre grupe të tre fushave të ndryshme që përfshijnë ato sektorë në të cilat rregulltarët veprojnë në Shqipëri, në fushën e punës ku veprojnë sipas karizmës së çdo Kongregate.

Saktësisht:

1.     Ungjillëzimi dhe Baritorja familjare, rinore…;  

2.     Ungjillëzimi dhe Asistenca sanitare dhe jo vetëm...  

3.    Ungjillëzimi dhe Edukimi formal dhe jo formal  

Pasdite u bë prezantimi i punës në grup dhe gjatë ditës u gjetën disa pika të përbashkëta për të punuar në të ardhmen:

1.    Të punohet në bashkësi në mënyrë sinodale

2.    Të investohet në formimin dhe vetëformimin e rregulltarëve dhe laikëve

3.    Të punohet sëbashku mes Kongregatave dhe akoma më shumë brenda Kishës

4.    Vazhdimi i ecjes qe kemi filluar sot

 

Në mbyllje të asamblesë ishte Mesha e Shenjtë e udhëhequr nga shkëlqesia e Tij Nuncit Apostolik Imzot Luigi Bonazzi.

Dita u jetua në mënyrë të përkushtuar dhe tek të gjithë ekziston vullneti për të ecur së bashku pavarësisht vështirësive që paraqet realiteti aktual të bindur se së bashku jemi më të fortë dhe të frytshëm

18 nëntor 2022, 10:37