Të meditojmë me Ungjillin e së dielës 30-tё të vitit kishtar 'C'
R.SH. – Vatikan
Ungjilli i kësaj së diele tё 30-tё gjatё viti kishtar, ciklit tё tretё ‘C’ është marrë nga kapitulli i 18-të i shën Lukës (18,9-14), nё tё cilin Jezusi u tregon dishepujve shëmbëlltyrën e fariseut e të tagrambledhësit, që i luten Zotit në dy mënyra të ndryshme.Ungjilli na mëson se Zoti nuk vjen te ne për ndonjë meritë tonën. Është Ai që na i fal mëkatet dhe na pranon si bij të vet. Po tё ndjekim njё fragment tё Ungjillit tё kёsaj sё diele nga Luka:
“9 Jezusi u tregoi [nxënësve të vet] edhe këtë shëmbëlltyrë për disa që e mbanin veten të drejtë e i përbuznin tjerët: 10 ‘Dy njerëz u ngjitën në Tempull për t’u lutur: njëri farise e tjetri tagrambledhës. 11 Fariseu, qiri në këmbë, lutej në vetvete kështu: ‘Të falënderoj, o Hyj, që nuk jam porsi njerëzit tjerë: cuba, të padrejtë, kurorëshkelës, ose - si ky tagrambledhës. 12 Agjëroj dy herë në javë, jap të dhjetën e krejt fitesës.’ 13 Kurse tagrambledhësi zuri vend në fund, nuk i bëhej as sytë t’i ngrejë drejt qiellit, por rrihte kraharorin e vet e thoshte: ‘O Hyj, ki mëshirë për mua mëkatarin!’ 14 Unë po ju them: ky u kthye në shtëpinë e vet i shfajësuar e jo ai’”.
Të lutemi së bashku:
Jam edhe unë si fariseu, o Zot:
vij tek Ti e shi sepse
jam në praninë Tënde
e mbaj veten më të madh
se ata, që s’pyesin për Ty,
se ata, që të harrojnë,
se ata, që s’të dëgjojnë,
se ata, që kanë punë të tjera.
Prandaj, dua të trajtohem me favore
e me ndonjë privilegj më tepër
ose, të paktën, me ndonjë përjashtim
nga sëmundjet e nga vuajtjet
e nga sprovat e jetës.
Por, nganjëherë, e ndiej veten
edhe si tagrambledhësi.
E di se kam bërë keq,
se nuk e meritoj dashurinë Tënde.
E ndiej baltën mbi vete,
jam i vetëdijshëm se të kam tradhtuar,
se s’jam besnik, se kam gabuar.
Nuk kam as guximin
ta ngre kryet, të marr fjalën
e të kërkoj ndonjë gjë.
Jam njeri i çuditshëm, o Zot,
pak farise e pak tagrambledhës,
por Ti pranomë sidoqoftë,
vetëm për dashuri, vetëm për mëshirë.
Kur më duket se jam
më i mirë se të tjerët, mbylli veshët.
E kur ndiehem përtokë,
Më ço e më dhuro faljen Tënde.