Kërko

Pjesëmarrësit në mbledhjen e Frascati-t për Sinodin Pjesëmarrësit në mbledhjen e Frascati-t për Sinodin

Sinodi, Hollerich: as parlament, as monarki, Kisha është shërbim

Kardinali, kryetar i COMECE-së, relator i përgjithshëm i Sinodit në vijim, nënvizon se në udhën e sinodalitetit, ipeshkvijtë duhet të ecin bashkë me Popullin e Zotit. Nëse ipeshkvi e koncepton autoritetin e tij si pushtet, do të thotë se e ushtron atë në mënyrë të gabuar

R.SH. – Vatikan

Dikur, dëgjimi, marrja e vendimeve dhe udha, në të cilën ecnin së bashku të gjithë të pagëzuarit, ishin shumë më të pranishme në Kishë, e cila ka qenë tejet më sinodale në shekujt e parë. Ky është mendimi i kardinalit Jean-Claude Hollerich, relator i përgjithshëm i Asamblesë XVI të Përgjithshme e të Zakonshme të Sinodit. Në një intervistë për Vatican News, ai vë në dukje se “shpesh thuhet që Kisha nuk është parlament e kjo është e vërtetë. Por nuk është as monarki”.

Metoda e dëgjimit

Ditët e fundit, kardinali Hollerich mori pjesë në mbledhjen e Sinodit në Frascati, pranë Romës, ku rreth 50 ekspertë, ardhur nga e gjithë bota, pasi dëgjuan dhe diskutuan mbi rezultatet e këshillimit me Popullin e Zotit, hartuan Dokumentin për fazën kontinentale, i cili do të paraqitet në Vatikan më 15 tetor, për t’iu shpërndarë më pas, ipeshkvijve dhe besimtarëve të Kishës Katolike. Kardinali vuri theksin në përmasën e “dëgjimit”, si metodë për ecjen e Kishës pëpara. Ai, në parim, e ka bazën në kushtetutën “Lumen Gentium” të Koncilit II të Vatikanit. Besimtarët, pra, nuk janë “objekte, por subjekte” në Kishë, shpjegon Hollerich duke shtruar pyetjen: “Si mund të vendos unë si ipeshkëv, nëse nuk i dëgjoj njerëzit?”.

Autoriteti i ipeshkvit

Kardinali vë në dukje pushtetin kohor të eprorëve kishtarë, duke e dalluar atë nga “autoriteti”. Kur thuhet se ipeshkvi ka pushtet, saktëson ai, “bëhet gabim”, sepse ipeshkvi ka një shërbesë, një shërbim për Kishën, që do të thotë se ka pa dyshim, një lloj autoriteti, “por nëse ai barazohet me pushtetin, ushtrohet në mënyrë të gabuar”.

Rruga e Sinodit

Asambleja e ipeshkvijve do të mbahet në Vatikan në tetor 2023 dhe këshillimet, me përfshirjen e besimtarëve nga e gjithë bota, kanë filluar vitin e kaluar në nivelin dioqezan e tani, do të vijojnë në nivelin kontinental. I pyetur se çfarë mësoi a përjetoi personalisht gjatë këtij viti, kardinali Hollerich përgjigjet se Papa ka të drejtë kur flet për kthesë sinodale. “Jo çdo gjë është e përsosur – pranon ai – duhet të punoj me veten, por shpresoj të jem në udhën e duhur”.

Puna kërkimore teologjike është themelore

Me rastin e simpoziumit ndërkombëtar për 60-vjetorin e hapjes së Koncilit II të Vatikanit, në një fjalim në Universitetin Papnor Urbanian, kardinali Hollerich pohoi se teologjia është “fushë e veçantë e Kishës”, për të cilën kërkohen reflektime “pa imponime nga ana e vetë Kishës”. Si ajo, ashtu edhe bota, përfitojnë nga puna kërkimore teologjike. Në kohën e sotme, njerëzimi ndryshon më me shpejtësi se në shekujt e mëparshëm e krijohet përshtypja se Kisha është “gjithmonë pak me vonesë” në reagimin ndaj risive kulturore. “Por risitë mbërrijnë njëra pas tjetrës e do t’i vënë në dyshim edhe siguritë tona më të thella”: ky, mendimi i kardinalit. “Nuk mund të mos imagjinoj, për shembull, që antropologjia do të bëhet krejtësisht e re në dekadat e ardhshme. Kemi nevojë për teologjinë edhe në këtë fushë”, përfundoi kardinali Hollerich, duke falënderuar teologët për punën e tyre, pasi ajo “është në të mirë të Kishës e të botës, së cilës Kisha është e thirrur t’i shërbejë”.

07 tetor 2022, 12:01