Kërko

JORDAN-SYRIA-IRAN JORDAN-SYRIA-IRAN

Selia e Shenjtë OSBE-sё: është urgjente të ndërtohet siguria energjetike

Fjala e përfaqësuesit tё Vatikanit, monsinjor Mauro Lalli në Konferencën Mesdhetare të OSBE-së 2022 me temën "Promovimi i sigurisë dhe bashkëpunimit në Mesdhe", duke filluar dje në Jordani: "Kërcënimi bërthamor rrit shqetësimet mbi paqëndrueshmërinë e situatës aktuale të sigurisë dhe energjisë. Mungesa e furnizimeve do të rëndojë më tej shumë familjet dhe industritë qё tashmë janё goditur nga kriza ekonomike"

R.SH. - Vatikan

Vendet tё bashkëpunojnë "jo vetëm në nivelin politik, por edhe në nivelin shkencor dhe teknologjik për të nxitur stabilitetin ekonomik, shëndetin publik, mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin integral njerëzor". Ky është apeli, bёr në emër të Selisë së Shenjtë, nga Imzot Mauro Lalli në Konferencën Mesdhetare të OSBE-së 2022, me temën “Promovimi i sigurisë dhe bashkëpunimit në Mesdhe: promovimi i dialogut me partnerët mesdhetarë të OSBE-së për bashkëpunim”. Takimi u mbajt dje, mё 25 tetor, në Jordani.

Sfida në rritje

Duke folur në sesionin e parë, me temё "Përforcimi i bashkëpunimit në fushën e ndryshimeve klimatike për të avancuar sigurinë e përbashkët", imzot Lalli shprehu fillimisht vlerësimin e Selisë së Shenjtë për OSBE-në "si një platformë dialogu që lehtëson shkëmbimin e informacionit dhe të praktikave tё mira si dhe tё marrëveshjeve shumëpalëshe në të gjithë rajonin e Mesdheut për të përforcuar qёndrueshmёrinё ndaj ndryshimeve klimatike, që është një kërcënim i përbashkët ndaj sigurisë dhe stabilitetit nё të gjithë rajonin”.

"Pasqyra e sigurisë globale, duke përfshirë sigurinë energjetike dhe klimatike, ka ndryshuar në mënyrë dramatike që kur Rusia filloi luftën e saj të agresionit në shkurt të këtij viti", tha prelati. "Në të vërtetë, i gjithë rajoni i OSBE-së po përballet me sfida në rritje dhe të paprecedentë për shkak të mungesës së madhe të furnizimeve me energji që ka të ngjarë të godasë më tej shumë familje dhe industri qё tashmë janё të prekura nga kriza ekonomike."

Paqëndrueshmëria

Delegati i Vatikanit Mauro Lalli  nënvizon se “kërcënimi i luftës bërthamore dhe aktiviteteve ushtarake në afërsi të centraleve bërthamore, me rrezikun e pasojave të rënda për njeriun dhe mjedisin, vetëm sa i shton shqetësimet për situatën aktuale të paqëndrueshmërisë së sigurisë dhe energjisë”.

Pavarësisht këtij kërcënimi konkret që përfaqëson konflikti në Ukrainë, duhet të ritheksojmë, në vazhdën e thirrjeve të Papёs Françesku, “nevojёn urgjente për t’i përforcuar përpjekjet e përbashkëta për ndërtimin e sigurisë energjetike dhe kalimin nga lëndët djegëse fosile”, tha monsinjor Lalli.

Shndërrimi ekologjik

Është një sfidë që kërkon një "konvertim ekologjik", që do të thotë "konvertim i modeleve të konsumit dhe stileve të jetesës në një mënyrë që respekton më shumë krijimin dhe zhvillimin integral njerëzor të të gjithë popujve, sot dhe nё të ardhmen, një zhvillim të mirë-bazuar mbi përgjegjësi, maturi, solidaritet, shqetësim për të varfërit dhe për brezat e ardhshëm”.

“Kujdesi ndaj mjedisit dhe zbutja e varfërisë nuk janë sfida më vete e tё ndara, por janë pjesë e sfidës më të madhe universale të garantimit të zhvillimit të plotë dhe autentik njerëzor”, përfundoi monsinjor Lalli. Sot vazhdon tё jetё aktuale ftesa e Papës për "ekologjinë integrale", tё vetëdijshëm se "ne nuk përballemi me dy kriza të veçanta, njëra mjedisore dhe tjetra sociale, por me një krizë të vetme komplekse që është sociale dhe mjedisore".

Mbështetja e OSBE-së

“Marrëveshjet shumëpalëshe si Marrëveshja e Parisit nuk do të prodhojnë transformimin e nevojshëm pa një transformim të mëparshëm dhe të rëndësishëm të politikës, tё politikave dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Ky lloj transformimi fillon, para së gjithash, me shndërrimin e zemrave, mendjeve, stilit të jetesës dhe mënyrës se si takohemi me njëri-tjetrin si anëtarë të familjes njerëzore”, pohoi përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë monsinjor Lalli. Në emër të së cilёs, ripohoi “mbështetjen e Vatikanit për punën e vlefshme të OSBE-së në rajonin e Mesdheut, veçanërisht në rritjen e bashkëpunimit në trajtimin e efekteve tё ndryshimeve klimatike, duke avancuar kështu edhe në sigurinë e përbashkët”.

26 tetor 2022, 11:14