Kërko

At Joseph Igweagu, Nigeri At Joseph Igweagu, Nigeri

Nigeri, rrëmbehet një meshtar në shtetin Anambra

At Joseph Igweagu u rrëmbye ndërsa po kthehej në shtëpi pas një funerali. Kryedioqeza e Onitshës lutet për lirimin e tij. Rrëmbimi për të kërkuar më pas një shpërblim është plagë, që ka prekur shumë njerëz të Kishës në vend

R.SH. – Vatikan

Rrëmbehet një meshtar tjetër në Nigeri. Quhet Át Joseph Igweagu, famullitar i Shën Jozefit në Abata Nsugbe, në pjesën lindore të shtetit Anambra, në juglindje të vendit. U rrëmbye ndërsa po kthehej në shtëpi, pasi kremtimit të një funerali në Umunachi, mbrëmjen e së mërkurës, 12 tetor.

Lutja e kryedioqezës së Onitshës

Kryedioqeza e Onitshës e dha lajmin "me shqetësim, por me besimin e fuqishëm në dashurinë dhe në mbrojtjen e Zotit", përmes një komunikate drejtuar "meshtarëve, rregulltarëve dhe laikëve", si edhe të gjithë njerëzve vullnetmirë. “Kërkojmë lutje të sinqerta për lirimin e tij pa kushte nga duart e rrëmbyesve”, shkruhet në dokument, ku theksohet se kryedioqeza e Onitshës po bën gjithçka të mundur për lirimin e Át Jozefit: “Ndërsa lutemi që rrëmbyesit të bëjnë kthesë, i drejtohemi Nënës sonë Mari, e cila zgjidh të gjitha nyjet, të ndërmjetësojë për të, që të lirohet shpejt, pa u dëmtuar”.

Një krim endemik

Rrëmbimi i qytetarëve, përfshirë anëtarët e klerit, nuk është i pazakontë në disa zona të Nigerisë dhe shteti i Anambrës është një nga rajonet më të prekura. Natyrisht, pas rrëmbimit, kriminelët pretendojnë pagesa të majme për lirimin e njerëzve. Sipas një deklarate të Fondacionit papnor “Ndihmë për Kishën që vuan”, të paktën 18 meshtarë janë rrëmbyer vetëm në muajin e korrikut. Që atëherë janë njoftuar edhe rrëmbime të tjera.

Në qershor, u vranë dy meshtarë në shtetin Edo

Shumë nga këta njerëz lirohen pas pagimit të shumës së kërkuar, por ka nga ata, që vriten nga rrëmbyesit, si Át Vitus Borogo dhe Át Christopher Odia, vrarë në shtetin Edo, në fund të qershorit të kaluar. Ndërkaq, autoritetet nigeriane deklarojnë se po marrin masa urgjente për të siguruar mbrojtjen më të mirë të jetës dhe të pronës së qytetarëve.

18 tetor 2022, 13:51