Kërko

Imzot Angelo Massafra: Gjergj Kastrioti, mbrojtës i qytetërimit perëndimor

Imzot Massafra: mund ta kuptojmë veprën e Gjergj Kastriotit vetëm në kontekstin e lëvizjeve politike të gjysmës së parë të mijëvjeçarit të kaluar; lëvizje që, nga lindja në perëndim të Evropës së asaj kohe, panë ndryshimin e një ideje që kishte sunduar pothuajse për të gjithë mijëvjeçarin e parë. Mund të themi fare mirë se ai mbrojti jo vetëm fenë e krishterë, por edhe vlerat që ajo botë perëndimore kishte fituar gradualisht gjatë shekujve

R.SH. - Vatikan

Fjala e Imzot Angelo Massafra, Arqipeshkëv Metropolit Shkodër-Pult e President i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, mbajtur nё konferencёn kushtuar Gjergj Kastriotit Skёnderbeut mё 22 tetorin e kaluare nё Trento, organizuar nga shoqata Teuta:

Konferenca për Gjergj Kastriot Skënderbeun

Trento (Itali) 22 tetor 2022

“Gjergj Kastrioti: mbrojtës i qytetërimit perëndimor”

Për sa ta dua historinë dhe për sa të kem pasur mundësi këto 25 vite episkopat në tokën shqiptare të studioj në thellësi figurën e heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut, megjithatë nuk jam i kualifikuar që të flas me kompetencë për ekonominë politike të kohës në të cilën ai jetoi dhe punoi.

Mund ta kuptojmë veprën e Gjergj Kastriotit vetëm në kontekstin e lëvizjeve politike të gjysmës së parë të mijëvjeçarit të kaluar; lëvizje që, nga lindja në perëndim të Evropës së asaj kohe, panë ndryshimin e një ideje që kishte sunduar pothuajse për të gjithë mijëvjeçarin e parë të epokës së krishterë, domethënë universalizmin e pushtetit të centralizuar në duart e perandorit dhe të papatit.

Ishin kohë kur mosmarrëveshjet mes dy pushteteve u intensifikuan, duke nisur gradualisht atë proces që në Itali, ndoshta e fundit ndër të gjitha, do të zgjidhet me deklaratën e famshme të Camillo Benso di Cavour-it: “Kishë e lirë në një Shtet të lirë”. Prandaj, është e rëndësishme që të zhytemi në atë kontekst historik të mesjetës së vonë për të kuptuar se cili është kontributi i Skënderbeut në ndërtimin dhe në mbrojtjen e qytetërimit perëndimor ashtu siç e njohim sot dhe që është tema që na ka mbledhur sot këtu.

Lufta për pushtet midis dy yjeve të mëdhenj, diellit dhe hënës (siç i pëlqente t'i quante tomisti Dante Aligieri), perandorit dhe papës, favorizoi shumë përparimin e hordhive osmane që synonin pushtimin e Perëndimit: mungesa e unitetit është gjithmonë shkaku i humbjes për të gjithë. Nga ana tjetër, nuk mund të mohojmë se ky kontrast më vonë rezultoi i dobishëm për një ndërgjegjësim më të madh të pushtetit politik në lidhje me detyrat e tij civile dhe të atij fetar në lidhje me detyrat e tij shpirtërore.

Kështu, në fund të gjysmës së parë të mijëvjeçarit, duhej të përballeshim së bashku me mbrojtjen e një territori ku kjo vetëdije tashmë ishte arritur pothuajse plotësisht, kundër rreziqeve të një bote, asaj osmane ku edhe sot, për fat të keq, duket se është ende larg nga ndarja midis fuqisë shpirtërore dhe asaj tokësore.

Ajo grackë në Shqipëri u bë realitet kur pas vdekjes së Skënderbeut, pas vite fitoresh të mëdha në kurriz të forcave armike, ndodhi shembja e fesë së krishterë, që, shpejt (nga shekulli XVI) do të bëhej pakicë, falë edhe përfitimeve që Islami u jepte atyre që konvertoheshin, duke gjeneruar gjithashtu fenomenin e lamaranizmit apo të kriptokristianëve, myslimanëve të fasadës, por të krishterëve të besimit; por ndodhi edhe rënia e një shoqërie, e cila deri në atë moment kishte qenë në një hap me fuqitë e mëdha evropiane dhe po jetonte të njëjtat procese të de-universalizmit. E gjithë kjo pa e humbur asnjëherë kontaktin me fuqinë tokësore dhe shpirtërore, deri në atë pikë sa Gjergj Kastrioti mori titullin “difensor fidei” (mbrojtës i fesë) nga Papa.

Me vdekjen e Skënderbeut u shua edhe liria e Shqipërisë. Nën udhëheqjen e Kastriotit, shqiptarët mbrojtën jo vetëm lirinë dhe fenë e tyre, por edhe lirinë e Evropës nga pushtimi islamik.

Pra, mund të themi fare mirë se ai mbrojti jo vetëm fenë e krishterë, por edhe vlerat që ajo botë perëndimore kishte fituar gradualisht gjatë shekujve.

Por ka ende një pikë që është e rëndësishme të merret në konsideratë, pikërisht elementi sociologjik shqiptar, që Skënderbeu mishëroi dhe që përfaqëson një pikë të forcë jo të vogël. Shqipëria, ashtu si Italia në jug me Puljen dhe në veri me Venecien dhe Trenton (vend i natyrshëm kalimi për në Evropën Veriore), ka qenë gjithmonë një udhëkryq dhe një pikë thelbësore lidhjeje midis Evropës Lindore dhe asaj Perëndimore dhe gjithmonë ka pasur kontakte me të huajt, me të cilët ka krijuar marrëdhënie të përzemërta dhe bashkëpunimi të thellë.

Kjo i lejoi Gjergj Kastriotit që të vinte e të shkonte nga Italia për të çuar ose për të kërkuar ndihmë nga kolegët e tij përtej detit, përveçse nga papë të ndryshëm (kemi një letërshkëmbim të bollshëm) por edhe nga shumë shqiptarë të kohës, si këta të sotmit, që të transferoheshin dhe të jetonin përgjithmonë në Itali si në atdheun e tyre të dytë, duke bashkëndarë të njëjtat vlera, sepse ushqeheshin nga e njëjta kulturë.

Angazhimi, pra, i Shoqatës TEUTA për ndërtimin e këtij memoriali të heroit kombëtar shqiptar nuk është thjesht çështje krenarie, por më tepër një njohje e atyre vlerave të mishëruara nga Skënderbeu dhe që shqiptarët që banojnë në Itali vazhdojnë t’i bëjnë të tyret, thellësisht të bindur se janë pjesë e një Evrope moderne, e cila është hapur për t'i mirëpritur, e gatshme për integrimin e kulturave të kuptuara si një pasuri që duhet çmuar për rritjen dhe zhvillimin e shoqërisë.

Në fund, më lejoni të shtoj një mendim që, si ipeshkëv, nuk mund të mos e shpreh. Është e rëndësishme që të ngjitemi në shpatet e historisë për të rifituar rrënjët tona, ato të mirat që as osmanizmi dhe as komunizmi më brutal i shekullit të kaluar, që e la Shqipërinë prapa, nuk arriti t'i shkatërronte dhe të cilat sot përfaqësojnë të vetmin ilaç kundër sfidave të reja që shoqëria dikton: atë të fitimit të lehtë, të dukjes në kurriz të të qenit, të një morali të fasadës dhe të “diktaturës së re dixhitale”, e cila, shpesh e shkëputur nga potenciali pozitiv që ofron, diktohet me negativitetet e saj mbi ndërgjegjet e papërgatitura dhe të dobëta.

Janë kufij të zakonshëm si vetë ajri që thithim, si në Shqipëri ashtu edhe në pjesën tjetër të Evropës. Ndaj dua ta mbyll fjalën time me ftesën që prej “Atletit të Krishtit”, siç e quajti Papa Kaliksti III, Gjergj Kastriot Skënderbeun, të marrim të njëjtit stimuj që në shërbimin tim episkopal nuk harroj kurrë që t’ua kujtoj të krishterëve shqiptarë: domethënë, që të jenë të krishterë të mirë dhe qytetarë të ndershëm, me ideale të mëdha, të jenë tharm për një shoqëri më të mirë.

Faleminderit të gjithëve për vëmendjen tuaj.

† Angelo Massafra O.F.M.

Arqipeshkëv Metropolit Shkodër-Pult

President i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë

26 tetor 2022, 10:28