Kërko

 Gesù Cristo Gesù Cristo

Fjala e Zotit e dielës së 29-të gjatë vitit kishtar "C"

Fragmenti i Ungjillit, sipas Lukës, na tregon për lutjen e vejushës ndaj gjykatësit të pandershëm. Vejusha, për t’i mbrojtur fëmijët, shkon tek gjykatësi i pandershëm e ia nxin jetën, duke i trokitur ditë-natë në portë e duke bërtitur me sa zë që kishte “Dua drejtësi!”. E në fund të fundit e bën t’ia nxjerrë të drejtën në shesh

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë  javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe meditojmë leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 29-të, gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 29-të gjatë vitit kishtar "C"

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 29-të gjatë vitit kishtar "C"

Liturgjia e kësaj së diele, përmes shëmbëlltyrës së gjykatësit dhe të vejushës, nga Ungjilli i Lukës, na flet mbi uratën, mbi domethënien e thellë të lutjes. Mirësia e Atit Hyjnor që është në qiell e që na dëgjon gjithmonë, na dhashtë forcë e qëndresë për të Ju drejtuar përherë me lutjen tonë të përzemërt.

I krishteri duhet të lutet gjithmonë, edhe në çastet më të vështira, sepse feja ruhet duke mbajtur marrëdhënie të vazhdueshme me Zotin, i cili nuk na i plotëson kërkesat me “shkop magjik”. Ungjill nga Luka na flet për vejushën që, për t’i mbrojtur fëmijët, shkon tek gjykatësi i pandershëm e ia nxin jetën, duke i trokitur ditë-natë në portë e duke bërtitur me sa zë që kishte “Dua drejtësi!”. E në fund të fundit e bën t’ia nxjerrë të drejtën në shesh. Edhe ne duhet të trokasim në zemrën e Hyjit, me lutje, pa u lodhur kurrë, duke e ditur se prej andej, të mirat që kërkojmë do të na vijnë si dhuratë e jo si magji, madje do të na jepet edhe më shumë nga ç’kemi kërkuar. Urata, burim mëshire e sidomos, forcë për fenë, konsolidohet pikërisht duke iu drejtuar vazhdimisht Zotit.

Pra, nëse vejusha, me këmbënguljen e saj, arriti ta përkulë gjykatësin e pandershëm, Zoti, që është Atë i mirë e i drejtë, do të bëjë edhe më shumë. Ja pra, pse duhet të lutemi pa u lodhur. Të gjithë provojmë lodhje e shkurajim, sidomos kur lutja na duket e pafrytshme. Por Jezusi na siguron: në ndryshim nga gjykatësi i pandershëm, Zoti u përgjigjet menjëherë bijve të vet, pavarësisht se kjo nuk do të thotë se e bën në kohën e në mënyrat që do të donim ne. Lutja nuk është shkop magjik! Ajo na ndihmon ta ruajmë fenë në Zotin dhe ta lëshojmë veten në duart e Tij.

Së fundi pyetja pa përgjigje me të cilën Jezusi e përfundon shëmbëlltyrën ungjillore të kësaj së diele: “Po Biri i Njeriut, kur të vijë, a do të gjejë fe mbi këtë tokë?”. Kjo pyetje na paralajmëron të gjithëve se nuk duhet ta ndalim lutjen, pavarësisht se na duket pa përgjigje. Është lutja ajo, që e ruan fenë, pa të feja lëkundet! T’i kërkojmë Zotit një fe, që shndërrohet në lutje pa pushim, këmbëngulëse, si ajo e vejushës së shëmbëlltyrës ungjillore, fe që ushqehet nga dëshira e ardhjes së Krishtit.

                                             Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Dal 17, 8-13

Leximi prej Librit të Daljes

Në ato ditë, erdhi Amaleku, për të luftuar kundër Izraelit në Rafidim. Moisiu i tha Jozuehut: “ Zgjedh disa burra dhe dil e lufto kundër Amalekut. Nesër unë do të qëndroj në majë të kodrës me shkopin e Hyjit në dorë.” Jozuehu bëri siç urdhëroi Moisiu dhe doli në luftë kundër Amalekut, kurse Moisiu, Aroni dhe Huri u ngjitën në majën e kodrës.

Kur Moisiu i çonte duart lartë, Izraeli ishte më i fortë; por kur i ulte, përparonte Amaleku. Porse Moisiut i ishin lodhur duart. Ata morën një gur, e vunë nën të, e Moisiu u ul në të; Aroni e Huri ia mbanin duart, njëri nga njëra e tjetri nga tjetra anë. Kështu duart e tija qëndruan lart deri në perëndim të diellit e Jozuehu e mundi me teh të shpatës Amalekun dhe popullin e tij. Fjala e Zotit.

Psalmi 121

Ndihma jonë vjen prej Zotit

----- ----- -----

Sytë e mi i ngre drejt maleve:

prej nga do të më vijë mua ndihma?

Ndihma ime vjen prej Zotit,

i cili krijoi qiellin e tokën.

----- ----- -----

S’do të lejojë që të merren këmbët,

nuk do të kotet ai që të ruan.

Jo, s’do të kotet as s’do të flejë

ai që e ruan Izraelin.

----- ----- -----

Zoti është rojtari yt, Zoti është hija jote,

Zoti është në të djathtën tënde!

Dielli nuk do të të bëjë keq ditën,

as hëna natën.

----- ----- -----

Zoti do të të ruajë nga çdo e keqe,

Zoti do ta ruajë jetën tënde.

Zoti do të ruajë vajtjet e ardhjet e tua

që tani e përgjithmonë e jetës.

----- ----- -----

Leximi i dytë 2 Tim 3, 14 – 4, 2

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut

Fort i dashur, qëndro në mësim që ke marrë dhe në atë që t’u besua duke e ditur se prej kujt i mësove dhe se qysh prej fëmijërisë e njeh Shkrimin shenjt, i cili është i aftë të japë dijen që çon në shëlbim me anë të fesë në Jezu Krishtin. I tërë Shkrimi shenjt, E frymëzuar prej Hyjit, është i dobishëm për të mësuar, për të bindur, për të ndrequr, për të edukuar në drejtësi, që njeriu i Hyjit të jetë i përsosur, i përshtatur për të kryer çdo vepër të mirë.

Po të përbej para Hyjit dhe para Krishtit Jezus, i cili do të gjykojë të gjallët e të vdekurit: pash ardhjen e tij dhe Mbretërinë e tij, predikoje fjalën, nxit në rast të volitshëm dhe në rast të pavolitshëm, këshillo, qorto, urdhëro me plot duresë dhe mësim! Fjala e Zotit.

 

ALELUJA, alleluja. Shpresoj në Zotin, shpresoj në fjalën e tij. Aleluja.

 

Ungjilli Lk 18, 1-8

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi u tregoi nxënësve të vet shëmbëlltyrën sesi duhet të lutemi gjithmonë e kurrë të mos pushojmë. Ai tha: “Ishte në një qytet një gjykatës që Hyjin nuk e druante e për njerëz nuk e çante kryet. Po në atë qytet ishte edhe një grua e vejë, e cila shkonte shpesh tek ai dhe i lutej: ‘Më mbro prej kundërshtarit tim!’ Por ai s’qe në kujdes për një kohë të gjatë. Dikur tha vetë me vete: ‘Edhe pse s’e druaj Hyjin e për njerëz nuk e nxej kryet, megjithatë, pasi kjo grua e vejë po më trazon, do ta mbroj që të mos vijë më të më mërzisë prore’.”

Zotëria vazhdoi: “Dëgjoni ç’thotë gjykatësi i padrejtë! Vallë, Hyji a nuk do t’i mbrojë të zgjedhurit e vet që i kërkojnë ndihmë ditë e natë? Po a do të vonojë ndoshta me çështjen e tyre? Unë po ju them: do të ngritët me nxitim për t’u ardhur në ndihmë atyre! Por, kur të vijë Biri i njeriut, a thua do të gjejë fe mbi tokë?” Fjala e Zotit!

Homelia nga dom Dritan Ndoci:

Homelia nga dom Dritan Ndoci

E DIELA XXIX GJATË VITIT:HYJI A NUK DO T’I MBROJË TË ZGJEDHURIT E VET QË I KËRKOJNË NDIHMË DITË E NATË?

(Dal 17, 8-13; Ps 121 (120); 2 Tim 3, 14- 4, 2; Lk 18, 1-8)

Para se të vazhdojmë të flasim rreth mesazhit kryesor të leximeve të sotme liturgjike, le t’i hedhim një sy, kalimthi, leximit të dytë. Aty Shën Pali, në mënyrë shumë të bukur, të thellë e të qartë mëson diçka shumë të rëndësishme për Shkrimin Shenjt. Thotë: «I tërë Shkrimi Shenjt, hyjnisht i frymëzuar, është i dobishëm për të mësuar, për të bindur, për të ndrequr, për të edukuar në drejtësi, që njeriu i Hyjit të jetë i përsosur, i përshtatur për të kryer çdo vepër të mirë.»

Bibla është njëri prej mjeteve më të forta që na mundëson bashki­min me Hyjin. Aq i fortë, saqë është i shoqëruar me një forcë të veten: i njëjti Shpirt Shenjt që e ka frymëzuar shkrimin e tij, mbështet tani lexuesin apo dëgjuesin në kontaktin me të. Nuk është për t’u habitur nëse shpesh shumëkush e rimodelon jetën e vet vetëm ngaqë është prekur nga ndonjë pjesë a ndonjë rresht i Biblës. Kjo ndodhë ngaqë e ka prekur po ai Shpirt që ka frymëzuar edhe Biblën. Prandaj të mos na duket pak nëse, kur flasim për Hyjin, përdorim kryesisht Shkrimin Shenjt. Do të ishte e çuditshme e kundërta. Po edhe kur dëshirojmë të flasim për njeriun nuk duhet të frikësohemi ta përdorim atë. Kur duam ta orientojmë jetën e dikujt kah disa vlera, nuk është pa vend t’i përmendet Shkrimi Shenjt. I gjithë problemi është se ne shpesh, kur flasim për Biblën, e kemi të vështirë të mos mashtrohemi nga dy ekstreme: nga njëra anë, të flasim për të me fanatizëm apo, në kahun e kundërt, të flasim me ngurrimin e dyshim. Kështu, atëherë, ndodh që dikush, duke na refuzuar ne (me këta mënyrat tona të paekuilibruara) refuzon edhe Shkrimin Shenjt.

Shkrimi Shenjtë «është i dobishëm për të mësuar, për të bindur, për të ndrequr, për të edukauar në drejtësi». Patjetër që shkencat edukative pasurohen gjithnjë e më shumë me njohuri të reja mbi natyrën njerëzore e prandaj duhen marrë në konsideratë me shumë seriozitet, por Shkrimi Shenjt e ka këtë veti që, edhe pse shekujt kalojnë e shkencat përparojnë, prej Tij ke gjithnjë çfarë të nxjerrësh. Vetëm një Hyj mund ta frymëzonte atë.

E tani le të kthehemi tek mesazhi kryesor i leximeve të sotme. Këtë mesazh na e tregon vetë rreshti i parë i Ungjillit që dëgjuam: «Jezusi u tregoi nxënësve të vet shëmbëlltyrën sesi duhet të lutemi gjith­monë e kurrë të mos pushojmë.» Pra, lutja e pandërprerë.

Duket pak e çuditshme të na thuhet se duhet të lutemi pa ndërprerë, sepse duket se nënkupton që puna, studimi, bashkë­bise­dimet, pushimi, loja apo dëfrimi e gjëra të tjera të ngjashme, nuk qenkan të shenjta. Por, në fakt, nuk është kjo gjëja që Jezusi dëshiron të thotë. Ai dëshiron që, bindja se Hyji mund të na e japë atë që po i kërkojmë (kur kjo është diçka e mirë), nuk duhet të na braktisë kurrë. Kjo duhet të jetë e pandërprerë! Feja, pra, duhet të jetë e pandërprerë!

Vazhdimi i Ugjillit na e shtjellon këtë. Jezusi flet për një gjykatës i cili nuk e druante Hyjin e as për njerëzit nuk shqetësohej: madje Jezusi përdor fjalët «për njerëz nuk e çante kryet». Po në qytetin ku ishte ky gjykatës, banonte edhe një grua e vejë, e cila shkon tek ai për të kërkuar prej tij mbrojtjen ndaj një kundërshtari të vet.

Në rastet kur një grua mbetej e vejë dhe fëmijët mbeteshin jetimë, në Izrael, me të drejtë, mbahej si një fatkeqësi e madhe. Në atë rast familjes i kishte humbur mbështetja. Prandaj Hyji kërkonte me ngulm që në Izrael të kihej një përkujdesje tejet e veçantë ndaj vejushës dhe jetimit. Hyji vetë shpesh kërcënonte këdo që ndaj tyre bënte padrejtësi. Gjykatësit, që aso kohe ishin zakonisht edhe pjesë e parisë fetare në Izrael, e kishin për detyrë t’u vinin në ndihmë vejushave dhe jetimëve. Duhej të bëheshin shëmbëllesë e Hyjit, i cili është «Ati i bonjakëve dhe mbrojtësi i të vejave» (Ps 68, 6). Tani e kuptojmë më mirë lidhjen e madhe mes dy karakteristikave që Jezusi jep për gjykatësin e shëmbëlltyrës: «Hyjin nuk e druante e për njerëz nuk e çante kryet.»

Duket se Jezusi ka dëshirë ta vërë në pah pa kursime arrogancën e këtij gjykatësi. E, raste të gjykatësve të padrejtë, e dimë se edhe sot ka plot. Sa e sa çështje zvarriten e nuk zgjidhen nëpër gjykata, vetëm ngaqë gjykatësi dëshiron zhvatjen e parave, apo ngaqë ka tekat e veta! Sa e rëndë, pastaj, bëhet situata kur pala që kërkon drejtësi është ndonjë vejushë, ndonjë jetim, apo ndokush që është i zhytur në skamje! Mjerisht, me sa duket, paska qenë gjithmonë kështu! Edhe sot Jezusi u thotë këtyre lloj njerëzish që të kenë kujdes e të mos mbushen me dredhi në shpirt, në dëm të të pafajshëmve, sepse një ditë Ai do t’i vërë pa mëdyshje përballë së vërtetës.

Por Jezusi thotë se, edhe pse ky njeri nuk ishte aspak në kujdes për nevojat e kësaj vejushe, gjithësesi vendosi t’i vinte në ndihmë asaj, duke qenë se ajo po këmbëngulte shumë. Kështu do të hiqte qafe bezdisjen që po i jepte.

E, prej kësaj historie me shumë padrejtësi brenda, Jezusi nxjerr për ne një mësim të madh. Sikurse kjo grua e fitoi ndërhyrjen e gjykatësit falë këmbënguljes së saj të pandërprerë, ashtu edhe ne, me këmbënguljen tonë në uratë, do të arrijmë të “nxjerrim” ndër­hyrjen e Zotit: «Dëgjoni ç’thotë gjykatësi i padrejtë! Vallë, Hyji a nuk do t’i mbrojë të zgjedhurit e vet që i kërkojnë ndihmë ditë e natë? Po a do të vonojë ndoshta me çështjen e tyre? Unë po ju them: do të ngritet me nxitim për t’u ardhur në ndihmë atyre.»

«Me nxitim»: po, është e vërtetë. Hyji vjen në ndihmë me nxitim. Janë të rralla hiret që Hyji vonon t’i japë. Ai gjithnjë nxiton. Kjo sepse është Atë.

Po si nxiton? Kur ne kërkojmë largimin nga mëkati, ruajtjen nga tundimet e të keqit, Hyji menjëherë, fill, na e kalon nëpër mendje ndonjë pjesë apo rresht të Shkrimit Shenjt apo ndonjë porosi të mirë të ndokujt, ose na çon në mendje idenë që t’i drejtohemi ndokujt për ndihmë. Plus kësaj, ndjejmë edhe një forcë për t’i realizuar këto gjëra. Këto Ai i bën me nxitim. Fill.

Rëndësi ka që të mos kërkojmë gjëra që largohen nga logjika e Hyjit, përndryshe nuk ka kuptim t’i lypim Hyjit gjëra të cilat Ai vetë nuk i do. Kryesorja që duhet kërkuar, është bashkimi gjithnjë e më i madh me Zotin dhe largimi nga mëkati, nga e keqja, nga djalli.

Mëkati, djalli, bota, mishi e gjaku janë armiqtë, «kundërshtarët» tanë: vejusha lutej për mbrojtjen nga «kudërshtari», Moisiu, siç thotë leximi i parë, lutej për fitoren kundër Amalekut. Janë simbole të «kundërshtarëve» të vërtetë, që i përmendëm. Kundër tyre fiton vetëm ai që lutet.

E, në fakt, leximi i parë e tregon shumë bukur rëndësinë e lutjes dhe pushtetin e saj. Duke treguar se Izraeli e fitoi betejën atë ditë falë duarve të ngritura lart në uratë nga Moisiu, Shkrimi Shenjt e tregon në mënyrë vërtet madhështore lëshimin e plotë që ky popull kishte në duart e Zotit. Duart e shtrira të Moisiut kërkojnë të mbushen nga bujaria e Hyjit. Me sa duket, Kishës gjithnjë i ka pëlqyer ky gjest i Moisiut, duke qenë se shpesh, gjatë liturgjisë, meshtari i mban duart e shtrira në këtë mënyrë. Por edhe të gjithë besimtarët, sidomos gjatë lutjes Aty ynë, i shtrijnë duart pikërisht kështu, si lypës para Atit qiellor. E Ati qiellor, edhe pse nuk na i plotëson të gjitha kërkesat tona, kurrë nuk na nis pa gjë, por na mbush me atë që na nevojitet në ato çaste.

Të mos na shkandullojë fakti se tek ky lexim që dëgjuam, duket sikur Hyji po mbështet një palë që lufton. Është temë që nuk mund ta shpjegojmë këtu, por po themi vetëm se Hyji nuk është aq jashtë çështjeve të botës, sa shpesh e mendojmë ne. Megjithatë, Kisha na mëson të shohim edhe kuptimin shpirtëror të këtyre faqeve të mistershme të Shkrimit Shenjt: kundërshtarët e Izraelit, në këtë rast mund të simbolizojnë shumë qartë kundërshtarët e jetës sonë me Hyjin, ata «kundërshtarë» që i përmendëm pak më sipër. Urata, e shoqëruar me fe, është arma e fortë që ne kemi për t’i mposhtur këta kundërshtarë.

Kjo lloj urate është edhe shenjë e lëshimit tonë në Zotin. Aty tregojmë se Ai është e vetmja shpresë e sigurt e jetës sonë. Kështu, armiqtë e «kundërshtarët» nuk kanë se çfarë të na bëjnë më. Edhe nëse na plagosin ndonjëherë, prapë do të dimë të ngrihemi në këmbë.

Ndonjë shkrimtar shpirtëror jepte këtë shembull për shpjeguar efektet e uratës: «Nëse një hajdut i afrohet një shtëpie, por aty brenda vëren se ka dritë dhe dëgjon se anëtarët e familjes po bsedojnë në mes tyre, e kupton se shtëpia nuk është bosh dhe largohet. Ashtu edhe djalli, nëse afrohet për të na tunduar, por vëren se kemi ndezur dritën e fesë dhe dëgjon se ne kemi shpirtin e lutjen sa herë që na vijnë tundimet, detyrohet të largohet plot tmerr.»

Por, a e kemi dritën e fesë, që të dimë se çfarë të lypim në uratë dhe të këmbëngulim kur e kërkojmë atë? Prandaj Jezusi pyet në fund të Ungjillit të sotëm: «Por, kur të vijë Biri i njeriut, a thua do të gjejë fe mbi tokë?»

Dom Dritan Ndoci

15 tetor 2022, 10:52