Liria fetare dhe shtetësia në Irak: kard. Sako, feja duhet të ndahet nga shteti
R.SH. - Vatikan
Nё Konferencën ndёrkombёtare mbi lirinë fetare dhe mbi sfidat politike bashkëkohore qё u mbajt ditëve tё kaluara nё Bratislavë ( Sllovaki) mori pjesё edhe Patriarku i Kishës kaldease, (Patriarku i Bagdadit) kardinali Louis Raphael Sako, i cili në fjalën e tij kujtoi se si do të ishte e dëshirueshme që sinodaliteti i thirrur nga Papa Françesku për Kishёn të zbatohej edhe në nivelin civil dhe atё politik.
Sipas faqes së internetit Baghdadhope, duke prezantuar fjalimin mbi lirinë fetare, patriarku Sako pohoi se ajo është "e lidhur me të drejtat themelore të njeriut, qytetarinë e plotë dhe bashkëjetesën harmonike, si dhe me programet arsimore që i pёrforcojnë këto pole". “Në Irak – vazhdoi Mar Sako – ekziston liria fetare, pra ekziston liria e feve për të mbajtjen dhe kremtimin e riteve fetare brenda ndërtesave të kultit. Në këtë drejtim, Iraku është ndoshta në vend të parё për sa i përket ndërtimit të Kishave dhe manastireve, hapjes së shkollave e spitaleve dhe botimit të librave e revistave fetare”.
Megjithatë, sipas kardinalit Sako, problem mbetet “liria e ndërgjegjes” që do të thotë “liria për të zgjedhur fenë apo për të ndryshuar fenë. Një mysliman mund të jetë ateist, por nuk mund të konvertohet në krishterim për shkak të ligjit tradicional mbi apostazinë, ndërsa njerëzit e feve të tjera gjejnë një pritje të mirë nëse duan të konvertohen në Islam”.
Një mungesë drejtësie dhe respekti për të drejtën e shenjtë të lirisë personale kjo që kardinali Sako nuk u shmang të vinte në dukje. Në të njëjtën mënyrë, patriarku përmendi temën e shtetësisë. Pas rënies së regjimit, shpjegoi ai, nё Irak u krijua një mentalitet i ri i përbërë nga sektarizmi dhe kuotat, u ngritën mure ndёrmjet elementeve të ndryshme përbërësve të vendit dhe u përhap korrupsioni, duke çuar në ndarjen e shtetësisë sipas përkatësive tё ndryshme fetare, sektare e etnike dhe nё krijimin e qytetarëve të klasit të parë, të dytë dhe të tretë. Një gabim i rёndё, shpjegoi kardinali Sako, në një sistem zyrtarisht demokratik.
“Feja” ishin fjalët e tij “duhet të ndahet nga shteti si marrëdhënie personale ndёrmjet besimtarit dhe Zotit të tij, ndërsa shteti, si një entitet moral pa religjion, duhet të jetë i barabartë ndaj çdo qytetari. Irakianët duhet të shihen si qytetarë dhe jo në bazë të përkatësive të tyre fetare”. Nga kёtu “nevoja për të promovuar bashkëjetesën harmonike mes tyre mbi bazën e vendit të përbashkët, të të njëjtave të drejta dhe vëllazërimit” dhe atё tё “ndryshimit të shumë ligjeve dhe shumë programeve shkollore për të konsoliduar vlerat njerëzore e kombëtare dhe të drejtat e njeriut”. “Çdo qenie njerëzore në faqen e dheut” sipas Mar Sako “ka të drejtën e lirisë së plotë, drejtësisë dhe barazisë. Këto parime themelore duhet të zbatohen në të gjitha vendet".