Kërko

Dhunë në Haiti Dhunë në Haiti

Haiti: Kishat dhe institucionet në shënjestër, në vendin nën dhunë

“Kisha është bërë viktimë e dhunës”, deklaron motër Marcela Catozza, misionare në Haiti. Murgesha italiane nënvizon se situata është keqësuar që nga qershori, kur janë sulmuar kishat dhe institucionet

R.SH. – Vatikan

Shteti i vogël karaibik i Haitit po kalon një periudhë dhune. Pa president që nga vrasja e Jovenal Moïse në korrik 2021 dhe pa një datë të caktuar për zgjedhje të reja, lufta për pushtet dhe mungesa e lidershipit kanë çuar në protesta, kaos dhe dhunë ekstreme në rrugë, në një vend tashmë të përfshirë nga varfëria dhe nga pasojat e fatkeqësive natyrore.

E pamundur të jetosh në Haiti

“Është e tmerrshme e ata, që vuajnë më shumë, janë njerëzit e thjeshtë. Qyteti është në duart e bandave. Njerëzit janë të uritur, shkollat janë mbyllur. Nuk ka punë, spitalet janë mbyllur, sepse nuk kanë karburant për gjeneratorët. Është e pamundur të jetosh në këto rrethana”, përshkruan gjendjen motër Marcela Catozza, misionare italiane në Haiti, gjatë një bisede me Fondacionin papnor “Ndihmë për Kishën që vuan”.

Çka është më e vështirë për t’u pranuar, pohon murgesha që shërben në Haiti nga viti 2006, është se bota duket sikur nuk e vëren gjendjen. “Më e keqja, askush nuk flet për ne. Askush nuk e di se çfarë po ndodh, askujt nuk i interesojnë vuajtjet tona në këtë vend”.

Po sulmohet edhe Kisha

“Po sulmohet edhe Kisha”, vë në dukje misionarja. Më 25 qershor 2022, motër Luisa del Orto, një tjetër murgeshë italiane, e cila jetonte në Haiti që prej 20 vitesh, u vra. “Ishim shoqe të ngushta. Lajmi bëri të më dridhen këmbët, është humbje e tmerrshme”, kujton ajo. “Nuk e di pse e vranë. Në fillim më thanë se ishte përpjekje për grabitjeje, por jam e bindur se dikush ka paguar për ta vrarë në rrugë. Është vërtet e tmerrshme”, thekson murgesha.

Vetëm pak më vonë u sulmua edhe katedralja e kryeqytetit të Haitit. “I vunë zjarrin katedrales dhe u përpoqën të vrisnin zjarrfikësit, që mbërritën për të shuar flakët. Më pas deshën të shembnin muret e katedrales me kamion”, tregon murgesha, që i përket Vëllazërisë Misionare Françeskane.

Bandat plaçkisin kishat e Karitasin

 Sulmet kundër ndërtesave dhe organizatave fetare nuk kufizohen vetëm në kryeqytetin Port-au-Prince. “Në Port-de-Paix, Les Cayes dhe në qytete të tjera, bandat sulmuan ndërtesat e Karitasit, duke marrë gjithçka, gjithë ndihmën humanitare e duke shkatërruar zyrat e personelit”.

Që prej muajit gusht, motra misionare, që aktualisht ndodhet në Itali, s’mund të kthehet në Haiti, për shkak të shtimit të dhunës. “Është shumë e vështirë për një misionar të largohet nga misioni, është shumë e vështirë. Por unë jam e sigurt se këtë po më kërkon Zoti tani”.

Jetimorja në një nga lagjet më të rrezikshme në botë

Sipas murgeshës, situata është tejet e vështirë, rëndohet nga dita në ditë dhe ka ndikuar edhe në misionin e saj, një jetimore në një nga lagjet më të rrezikshme në botë. “Rreth një muaj më parë ata i vunë zjarrin kishës. Gjithçka është djegur. Altari, bangat... Nuk ka mbetur asgjë. I Shenjtnueshmi Sakrament shpëtoi, sepse unë e çoja gjithnjë në një vend të sigurt kur largohesha”.

Kushtet në të cilat jetojnë motra dhe vetë popullsia në Haiti janë tepër të vështira. Lagjja e varfër filloi të ndërtohej 20 vjet më parë, në vend të depos së plehrave të kryeqytetit. Tani, aty banojnë mbi 100.000 vetë, në kasolle të mbuluara me llamarina, pa ujë dhe energji elektrike. Motër Marcela është e vetmja murgeshë e misionit në këtë çast, pasi motra tjetër që e nisi atë, u desh të kthehej në Itali pas tronditjes së rëndë, që pësoi gjatë tërmetit të vitit 2010, kur humbën gjithçka.

Askush në botë nuk interesohet për Haitin

“Gjatë vitit të kaluar nuk kam qenë në gjendje të shkoj në meshën e mëngjesit, sepse bandat e bllokojnë lagjen e varfër dhe askush nuk mund të hyjë e as të dalë. Kjo është shumë e vështirë për mua”, shpjegon ajo.

“Duket sikur askush në botë nuk është i interesuar për Haitin. Natyrisht, ka plot probleme të tjera në botë, veçanërisht në Evropë, e cila është e përqendruar në luftën ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, kapluar nga frika. Por nuk duhen harruar vendet e tjera si Haiti, të cilat kanë duruar konflikte jo vetëm për disa vite, por gjatë gjithë jetës”.

Lutuni për Haitin!

Motër Marcela e mbyll bisedën e saj me një thirrje për bamirësit e Fondacionit papnor “Ndihmë për Kishën që vuan”: “Lutuni për Haitin. T’i kërkojmë Zotit t’i mbrojë haitianët dhe t'i japë paqen popullit. Lutuni për 150 jetimët e mi. Më i vogli është një muajsh, më i madhi është 18 vjeç. Haiti nuk ka të ardhme për këta fëmijë. T’i lutemi Zotit të realizohet jeta, që ai ka planifikuar për ta dhe t’u plotësohen dëshirat e zemrës”, lutet ajo.

13 tetor 2022, 17:09