Kërko

Cristo e Zaccheo - Vangelo della XXXI domenica C Cristo e Zaccheo - Vangelo della XXXI domenica C

Fjala e Zotit e dielës së 31-të gjatë vitit kishtar ‘C’

Zoti i pranon të gjithë njerëzit në përqafimin e Tij Hyjnor, duke i përmbysur planet e atyre që ndërtojnë botën duke krijuar vetëm pengesa e mure ndarëse. Fragmenti i Ungjillit të kësaj së diele nga Luka (19,1-10) ndalet tek takimi i Jezusit me Zakeun, kreun e publikanëve, tagrambledhësin. Ndonëse dëshironte ta shikonte Mësuesin, Zakeu nuk guxonte t’i qasej pranë, t’i fliste. Është Jezusi ai, që i afrohet i pari e i flet e i thotë: “Zake, sot do të ndalem në shtëpinë tënde!”

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 31 gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 31-të gjatë vitit kishtar ‘C’

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 31-të gjatë vitit kishtar ‘C’

Leximet biblike të kësaj së diele trajtojnë temën e mirësisë së Zotit. Fragmenti i Ungjillit nga Luka (19,1-10) ndalet tek takimi i Jezusit me Zakeun, kreun e publikanëve, tagrambledhësin. Bashkëpunëtor me romakët, për të vetët Zakeu ishte kopuk i pasuruar mbi kurriz të popullit! Ndonëse dëshironte ta shikonte Jezusin, Zakeu nuk guxonte t’i qasej pranë, t’i fliste. Është Jezusi ai, që i afrohet i pari dhe i flet e i thotë: “Zake, sot do të ndalem në shtëpinë tënde!”. Po ç’e shtynte Jezusin të ndalej në shtëpinë e këtij mëkatari. Ky është plani i shëlbimit, plani i mëshirës së Atit Hyjnor. E, në këtë plan, është edhe shëlbimi i Zakeut, njeriut të pandershëm e të përçmuar nga të gjithë, që prandaj ndjen nevojën të bëjë kthesë në jetën e tij. E Jezusi, i udhëhequr nga mëshira, e kërkonte pikërisht atë, Zakeun mëkatar.

Ungjilli i kësaj së diele na mëson se shikimi i Jezusit shkon përtej mëkateve e paragjykimeve, e shikon njeriun me sytë e Zotit, i cili nuk ndalohet tek e keqja e së kaluarës, por tejshikon të mirën e ardhshme. Jezusi nuk dorëzohet para mbylljeve, ai hap shtigje, gjithnjë e gjithmonë krijon hapësira jete; nuk ndalet tek dukja, po shikon zemrën.

Nganjëherë ne kërkojmë ta korrigjojmë e ta kthejmë tjetrin e mëkatarin duke e qortuar, duke ia flakur në fytyrë gabimet dhe sjelljen e tij të padrejtë. Ndërsa sjellja e Jezusit me Zakeun na hap një rrugë tjetër. Atë për t’i treguar kujt gabon vlerën e tij, atë vlerë që Zoti vijon ta shikojë, pavarësisht nga gjithçka, pavarësisht nga të gjitha gabimet.

Është rruga, që na nxit t’u besojmë njerëzve! E pikërisht kjo rrugë i bën të rriten e të ndryshojnë. Kështu sillet Zoti me ne të gjithë. Nuk bllokohet nga mëkati ynë, por e kapërcen me dashuri e na bën të na marrë malli për të mirën. Ç’është e vërteta, të gjithë njerëzit e kanë këtë mall, të gjithë duan të bëjnë sadopak mirë, pasi kanë gabuar. E nuk gjindet njeri në botë që të mos ketë diçka të mirë në shpirt. Këtë shikon Zoti, për ta nxjerrë njeriun jashtë nga e keqja. 

                                                   Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë: (Ur 11, 22-12,2)

Lexim prej librit të Urtisë

Mbarë bota para teje është porsi pak pluhur ne peshore dhe porsi një pikë vese agimi që bie në tokë. Por ti ke dhimbje për gjithçka pse gjithçka mundesh, ti bën kinse s’i sheh mëkatet e njerëzve që ata të pendohen.
Vërtet, ti do gjithçka është dhe s’urren asgjë që ke krijuar sepse, po ta kishe krijuar. E si do të mbetet ne jetë ndonjë send, po të mos doje ti? Ose, si do ta ruante jetën, po të mos e kishe thirrur ti ne jetë?
Por ti i kursen të gjitha sepse janë të tuat, o Zot jetë dashes, sepse shpirti yt i pa pritshëm ndodhet në gjithçka. Për këtë arsye nga pak nga pak i ndëshkon mëkatarët, i ndëshkon dhe i qorton për mëkatet e tyre, që ta lënë paudhësinë e të besojnë në ty, o Zot. Fjala e Zotit!

Psalmi: 145 (144)

Ref: Do të lartësoj, o Mbret, Hyji im!

Do të lartësoj, o Mbret, Hyji im,
Dhe do ta bekoj Emrin tënd
Përgjithmonë e jetës.
Çdo ditë do të të bekoj
Dhe do ta lavdëroj Emrin tënd
Përgjithmonë e jetës
--------------------------------------------------------------
Zoti është i madh e i lavdërueshëm,
e pashqyrtueshme është madhëria e tij !
Breznia breznisë do t’ia tregojë veprat e tua
dhe do ta shpallin pushtetin tënd .
Do ta shpallin madhërinë e shenjtërisë sate,
do t’i tregojnë mrekullitë e tua .
---------------------------------------------------------------
Do ta tregojnë fuqinë e veprave të tua të tmerrshme,
do t’i kumtojnë veprat e madhërishme te tuat.
Do ta përhapin kujtimin i hirësisë sate të madhe ,
do t’i brohorisin drejtësisë sate.
Zoti është vetë butësia e mëshira,
i ngadalshëm në zemërim dhe plot dashuri.
Zoti është i mirë për të gjithë,
I dhimbshëm për të gjitha krijesat e veta .
--------------------------------------------------------

Leximi i dytë: (2 Sel 1, 11-2,2)

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Selanikasve

Vëllezër,
Prandaj edhe lutemi përherë për ju që Hyji ynë t’ju bëjë të denjë për thirrjen e vet dhe me fuqinë e vet t’ju bëjë të aftë të kryeni çdo të mirë që dëshironi dhe fenë tuaj ta bëjë vepruese. Kështu Emri i Jezusit, Zotit tonë,do të madhërohet në ju po edhe ju ne Të në saje të hirit të Hyjit tonë dhe të Jezu Krishtit Zot.
Në lidhje me Ardhjen Zotit tonë Jezu Krishtit dhe me bashkimin tonë rreth tij, ju bëjmë lutje, vëllezër, mos lejoni të merreni mendsh dhe as mos u trazoni për shkak të ndonjë vegimi kinse profetik, ose të ndonjë fjalë ose të ndonjë letre kinse të shkruar prej nesh, thuajse ja arriti Dita e Zotit! Fjala e Zotit!
 
Aleluja:
 “Hyji aq fort e deshi botën sa që e dha një të vetmin Birin e vet kështu që, secili që beson në të, të mos humbet, por ta ketë jetën e pasosur. ”Aleluja:
 
Ungjilli: (Lk 19, 1-10)

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Jezusi hyri në Jeriho dhe po kalonte nëpër qytet. Dhe ja,një njëri që quhej Zake. Ky ishte kryetagrambledhës dhe pasanik. Dëshironte të shihte kush është Jezusi,por nuk mundte prej popullit,sepse ishte me shtat i vogël. U lëshua vrap përpara, shkoi e hipi në një fik për ta parë sepse andej do të kalonte. Kur Jezusi erdhi në atë vend, shikoi përpjetë dhe i tha: ”Zake, zbrit shpejt! Sot do te vij të rri në shtëpinë tënde!”. Ai zbriti me nxitim dhe e pranoi plot gëzim. Të gjithë ata që panë, filluan të nynykasin: “Ktheu të rrijë të një mëkatar”! Zakeu u ngrit në këmbë dhe i tha Zotërisë:“ Qe, Zotëri, gjysmën e pasurisë po ua jap skamnorëve, e, nëse ia kam bërë ndokujt ndonjë të pa drejtë, ia kthej katërfish!” Atëherë Jezusi tha: “Sot i erdhi kësaj shtëpie shëlbimi, sepse edhe ky është bir i Abrahamit! Po, Biri i njeriut erdhi ta kërkojë e ta shëlbojë atë që pati humbur”. Fjala e Zotit!

Homelia nga dom Dritan Ndoci:

Homelia nga dom Dritan Ndoci

E DIELA XXXI GJATË VITIT: BIRI I NJERIUT ERDHI TA KËRKOJË E TA SHËLBOJË ATË QË PATI HUMBUR.

(Urt 11, 22 – 12, 2; Ps 145 (144); 2 Sel 1, 11 – 2, 2; Lk 19, 1-10)

Në vitin 1917, në Fatima të Portugalisë, Zoja e Bekuar iu shfaq tre barinjve të vegjël e, për gjashtë muaj, do të vazhdonte t’u shfaqej. Një herë, në një vegim, Zoja u bëri të shihnin Ferrin, me djajtë e me të dënuarit e atyshëm. Mundën t’i bënin ballë asaj pamjeje të tmerr­shme vetëm falë zërit të dashur të Nënës qiellore që ndërkohë u fliste.

Françesku, në atë kohë nëntë vjeç, mbeti thellësisht i prekur nga trishtimi i Virgjërës së Shenjtë e prandaj, me bindjen se ashtu po e ngushëllonte Atë sadopak, bënte çmosin që shpeshherë të gjente kohë për lutje. I thoshte Luçisë, kushërirës së vet (edhe ajo vetëm dhjetë vjeçe): «A nuk e ke vënë re se Zoja, edhe në muajin e fundit, ishte shumë e trishtuar, kur kërkonte që mëkatarët të mos e fyenin më Hyjin, i cili tashmë është shumë i fyer? Unë do të doja ta ngushëlloja Zotin Tonë dhe pastaj të ktheja në fe mëkatarët, që kështu të mos e fyenin më atë.»

Kurse Jaçinta, shtatë vjeçe, u shënua thellë nga trishtimi se mëka­tarët mund të shkonin në Ferr. Nga ky “ankth” do të mbetej e shënuar tërë jetën (vdiq vetëm dhjetë vjeçe) e prandaj i ofronte Hyjit sa më shumë sakrifica, që të kthente sa më shumë mëkatarë. Një herë i tha Luçisë: «Sa shumë njerëz shkojnë në Ferr! Sa shumë!» E Luçia, për ta ngushëlluar, i tha: «Mos ki frikë, ti do të shkosh në Parriz!», sepse Zoja ua kishte premtuar këtë. «Unë po, do të shkoj, ia ktheu Jaçinta, por do të doja që të shkonin edhe ata.»

Trishtimi i Hyjit ishte bërë trishtimi i tyre. Si pasojë, edhe zelli i Hyjit ishte bërë zelli i tyre. Shpesh fëmijët e kuptojnë më mirë thelbin e asaj që Jezusi ka ardhur të realizojë në botë.

Edhe në qendër të Ungjillit të sotëm është shëlbimi që Krishti ka ardhur t’u sjellë të gjithëve. Por të mos e lëmë pa i vënë re edhe disa detaje të rëndësishme që e mbushin këtë pjesë shumë të bukur ungjillore!

Pikësëpari të vëmë re faktin se një kryetagrambledhës ka dëshirë të takojë Jezusin. Tagrambledhësit, aso kohe, mbaheshin nga populli hebre si mëkatarët më të mëdhenj, sepse çmoheshin edhe tradhëtarë të kombit, ngaqë mblidhnin taksa për pushtuesin, Romën. Plus kësaj, kishin edhe famën se mblidhnin më tepër se u caktohej. Imagjinojeni vetë, atëherë, se me ç’sy shihej Zakeu, kryetari i tyre.

Epo mirë, ky njeri ka dëshirë të shohë Jezusin. Kjo tregon se gjithnjë në njeriun mbetet diçka që e thërret atë kah Hyji, një “ujë” të cilin asnjë zjarr i mëkatit nuk arrin ta përthajë tërësisht. Është e vërtetë se një ndërgjegje e dhënë pas egiozimit, mund të arrijë të mos jetë më edhe aq e ndjeshme ndaj prekjeve të Hirit Hyjnor, por kurrë nuk arrin të jetë krejtësisht e shurdhët. Një dritare, nga ku mund të hyjë në të drita e Hirit, mbetet gjithnjë e hapur, pavarësisht nëse njeriu pastaj vendos t’i përgjigjet apo jo. Edhe zhvillimet e sotme psikologjike e mbrojnë idenë se njeriu, sado i ri apo i moshuar që të jetë, në strukturën e tij psikofizike e ka gjithnjë aftësinë që ta ndryshojë vetveten sadopak, për mirë apo për keq. Edhe mëkatarët më të mëdhenj, pra, paskan shpresë!...

Detaji tjetër është vetë vogëlsia fizike e Zakeut: është e vërtetë se nuk duhet sforcuar tepër teksti biblik, por besoj se në këtë detaj të gjithë ne mund të vërejmë vogëlsinë tonë për sa i përket jetës me Zotin. Shpeshherë, për t’iu afruar Zotit, na duhet të sforcohemi jo pak. Zakeu bën atë gjestin simpatik të ngjitjes në një fik. Mbase neve do të na duhet ndonjë gjest tjetër. Nëse, përshembull, e shohim veten larg Zotit në ndonjë aspekt, edhe vetë fakti se i kërkojmë ndonjë këshillë ndokujt, tregon se e kemi vullnetin që t’i afrohemi Zotit. E, nganjëherë, këto sakrifica mund të kushtojnë shumë. Sa e vështirë, për shembull, është në disa raste të shkojmë të rrëfehemi!

Detaji tjetër është fakti që Zakeun e shkurtër me shtat turma e pengon. Kjo mund të simbolizojë edhe atë fenomenin e pranishëm shpesh në jetën e bashkësisë njerëzore ku, në vend që ta ndihmojmë njëri-tjetrin në ecjen drejt së vërtetës, rrezikojmë shpesh, mjerisht, që të bëhemi pengesë. Kjo ndodhë kur nuk jemi të kujdesshëm për ata që “mbeten prapa”, për ata që, për arsye të ndryshme (shpesh jo për faj të vetin) janë “të vegjël” e kështu kanë nevojë që dikush t’u ndihmojë. Po nuk u ndihmuan, rrezikojnë të mbeten gjithnjë “të vegjël”.

Për fat të mirë që zelli i Zakeut fitoi mbi pengesën që e shkaktoi pakujdesia dhe mospërfillja e turmës. Kjo do të thotë se, nëse njeriu këmbëngul, Hiri Hyjnor do ta ndihmojë gjithnjë që të shpikë ndonjë mënyrë për t’iu afruar Zotit.

Por Ungjilli i sotëm merr ngjyra shumë të ndezura pikërisht në çastin kur është Jezusi Ai që hyn në veprim. Ungjilli thotë se Jezusi ndalet pranë fikut në të cilin kishte hipur Zakeu dhe shikon lart. I drejtohet atij me fjalë të cilat patjetër ai nuk i priste: «Zake, zbrit shpejt! Sot do të vij të rri në shtëpinë tënde!» Këtu menjëherë plasën pëshpërima tek ata që, (nuk e di se ku bazohen) nuk ngurojnë ta quajnë veten të drejtë e të pastër para Zotit, Mirësisë së pambaruar. Të shkonte për vizitë tek një mëkatar i tillë, për ta donte të thoshte se Jezusi po e bashkëndante jetën e tij mëkatare. Ajo nynykatja «Ktheu të rrijë te një mëkatar!», ishte “çudia” tipike e atij që kujton se Parrizi është bërë vetëm për të e për familjen e tij dhe mendon se Hyjit nuk i çon fort peshë bjerrja e pasosur e mëkatarëve. Por Hyjit kjo i intereson, edhe fort madje.

Edhe ne duhet të kemi zell për shëlbimin e shpirtrave. Zell i cili ngjan si “ankth”, por që, në fakt, nuk është i tillë, sepse Hyji e shoqëron gjithnjë besimtarin, njëkohësisht edhe me paqen e zemrës. Duhet, pra, që “ankthin” e Zotit se ndokush mund të birret, ta bëjmë edhe ne tonin, siç pamë më sipër se kishin bërë edhe Barinjtë e vegjël të Fatimas.

E, pikërisht ngaqë zemra e Jezusit ishte e zaptuar nga zelli për shëlbimin e të gjithëve, Ai nuk e ndjek mendësinë e turmës, por shkon në shtëpi të Zakeut. Hyji nuk ka urrejtje për askënd. Leximi i parë thotë: «O Zot, ti ke dhimbje për gjithçka, pse gjithçka mundesh. Ti bën kinse s’i sheh mëkatet e njerëzve që ata të pendohen.» E bukur sa s’ka kjo: kaq fort Hyji e do shëlbimin tonë, saqë «bën kinse s’i sheh mëkatet». E më poshtë leximi i parë thotë: «Për këtë arsye pak nga pak i ndëshkon mëkatarët (ta kuptojmë drejt: ndëshkimi i Zotit nuk ndodhë kurrë jashtë logjikës së dashurisë), i ndëshkon dhe i qorton për mëkatet e tyre, që ta lënë paudhësinë e të besojnë të ty, o Zot.» Si ka mundësi që, tekste të tilla të Shkrimit Shenjt, turma nuk i merrte në konsi­deratë?!...

Nuk e dimë se si kanë kaluar ato çaste të Jezusit në shtëpinë e Zakeut e nuk dimë se çfarë dhe si është biseduar aty, por dimë vetëm rezultatin e gjithë kësaj. Në një farë pike, Zakeu çohet në këmbë dhe nxjerr nga goja fjalë të cilat askush nuk mendonte se do t’i dëgjonte prej tij. Ndoshta e preku fakti që Jezusi i shkoi për vizitë, ndoshta e prekën fjalët e Tij plot urti e dashuri, ndoshta (pse jo) e preku edhe ndonjë qortim i Jezusit! Të gjitha këto nuk i dimë, por e dimë me siguri se Zakeu ndryshoi jetë.

E, meqë lidhja e tepruar me paranë kishte qenë problemi i tij kryesor, pikërisht këtë lidhje ai e sulmon të parën: «Qe, Zotëri, gjysmën e pasurisë po ua jap skamnorëve.» Jo thjesht ta heqë nga vetja, por t’ua japë skamnorëve, pra të mos ketë shpresë se do t’i gjejë më, nëse do t’i ndryshonte mendja më vonë. Por e kishte ndarë mendjen, sepse kishte gjetur pasurinë e vërtetë: bijësinë Hyjnore, të cilën ia zbuloi Zemra e dashur e Birit të Hyjit.

Po pse ua dha skamnorëve vetëm gjysmën e pasurisë e jo të tërë? Prit, sepse i duhet të shlyejë edhe padrejtësitë që kishte bërë: «Nëse ia kam bërë ndokujt të padrejtë, ia kthej katërfish.» Pajtimi me Zotin sjell menjëherë edhe pajtimin me njerëzit. Po nuk ndodhi edhe kjo e dyta, tregon se as e para nuk ka ndodhur ende. Shën Pali, në leximin dytë, i lutet Zotin që Selanikasit të kenë një «fe vepruese». Po nuk qe vepruese, ka mundësi që nuk është as fe.

Ky njeri e gjeti rrugën që pati humbur e kjo gjë u bë shkaku i galdimit të Zemrës së Zotit. Këtë galdim nuk e kuptojnë ata që nuk dijnë se ç’është zelli për shpirtrat. Nuk e kuptojnë dhe pikë. Kujtojnë se Hyji është më pak prind se prindërit, të cilët Ai vetë i ka krijuar.

Prandaj, në këtë galdim të Zemrës, Jezusi thotë: «Sot i erdhi kësaj shtëpie shëlbimi (ngaqë u rregullua me Hyjin dhe me të afërmin), sepse edhe ky është bir i Abrahamit. Sepse, Biri i njeriut erdhi ta kërkojë e ta shëlbojë atë që pati humbur.”. «Edhe ky është bir i Abrahamit.»: Izraeli, me të drejtë, mbahej si populli i zgjedhur i Hyjit, zgjedhje e cila kishte filluar pikërisht me Abrahamin, atin e tyre. Zakeu ishte si një dele që kishte humbur rrugën e, Biri i Hyjit, bëri çmosin që ta gjente përsëri. Të gjithë janë të ftuar të jenë bij të këtij «Ati në fe» që është Abrahami. Të gjithëve Abrahami na mëson që ta duam Zotin mbi çdo gjë. Por ka shumë që e humbin rrugën. Prandaj Jezusi thotë se «Biri i njeriut erdhi ta kërkojë e ta shëlbojë atë që pati humbur.» Kur e humb përgjithnjë, trishtohet thellë. Kur e gjen, veç galdon në shpirt.

Dom Dritan Ndoci

29 tetor 2022, 10:49