Kërko

Çelësi i fjalëve të Kishës: vdekja, portë e amshimit

Flasim për “vdekjen” dhe kuptimin e saj të krishterë, por edhe për veprën e mëshirshme të varrosjes së të vdekurve, ndërsa afrohet festa e të shumëve, që Kisha e kremton më 2 nëntor, por edhe ajo e të Gjithë Shenjtorëve më 1 nëntor, në aradhen e të cilëve, secili prej nesh shpreson të gjejë të afërmit e vet, që e kanë lënë këtë botë.

R.SH. - Vatikan

Sot do të flasim për një argument të vështirë, pasi ka të bëjë me fatin tonë të fundmë e me ndjenjat për të afërmit që na rrethojnë. Do të flasim për “vdekjen” dhe për veprën e mëshirshme të varrosjes së të vdekurve, ndërsa afrohet festa e të shumëve, që Kisha e kremton më 2 nëntor, por edhe ajo e të Gjithë Shenjtorëve më 1 nëntor, në aradhen e të cilëve, secili prej nesh shpreson të gjejë të afërmit e vet, që e kanë lënë këtë botë.

“Biro, derdh lot mbi të vdekurin dhe, si ai që pëson shumë, nise gjëmën, varrosja trupin sipas dokes së vendit dhe mos ia moho nderimet e varrimit” (Sir 38,16). Kultura e varrosjes i ka rrënjët në besimin se ekziston një jetë përtej vdekjes. Citimi, marrë nga Libri i Siracidit, tregon mjaft mirë ç’mendonin hebrenjtë për varrosjen e për të vdekurin, i cili nderohej e vajtohej edhe me gjeste të jashtme e të dukshme, duke grisur rrobat, duke derdhur lot, duke shprishur flokët, duke e mbuluar kokën me hi, ose me vel. Vendi i varrosjes, në hebraisht, quhet “Beth’Olam”, shtëpia e amshimit, ose “Beth Hachayim”, shtëpia e jetës apo e të gjallëve. Pra, që në Besëlidhjen e Vjetër, shihet qartë se vdekja konsiderohej si portë për jetën e pasosur. Pritet ringjallja, siç nënvizohet në Librin e Danielit: “Një numër i madh i atyre që flejnë në tokën e pluhurit do të zgjohen: disa për jetën e pasosur e disa për turpin e përhershëm” (12,2). E pikërisht në pritje të ringjalljes u mendua vendosja e varreve, ashtu siç është edhe sot në të gjitha varrezat hebraike: kthyer nga lindja, me qëllim që në çastin e zgjimit, secili të ringjallet me fytyrë nga Jeruzalemi.

Varri mbetej i hapur për tri ditë, sepse mendohej se shpirti i të vdekurit, për tri ditë me radhë, përpiqet të hyjë sërish në trup, por në ditën e katërt, kur trupi fillon  e kompozohet, shpirti largohet. Vërtet, në Shkrimin Shenjt, dita e tretë përmendet shpesh, si për shembull, nga Osea profet: “Pas dy ditësh do të na e kthejë jetën, të tretën ditë do të na çojë në këmbë, do të jetojmë në praninë e tij” (Os 6,2). Talmudi (tekst i shenjtë i hebrenjve, pas Biblës) e konsideron varrosjen dhe kujdesin për të vdekurit si vepër mirësie, për të cilën Zoti i shpërblen njerëzit në këtë e në atë botë, madje, është vepra më e madhe e mirësisë, sepse bëhet për dikë, që nuk mund të ta shpërblejë.

Në Besëlidhjen e Re zhduken shenjat e zisë personale dhe ato të bashkësisë janë më pak të pranishme, më të matura, jo shumë të dukshme. Natyrisht, të krishterët e kanë gjithnjë parasysh gjestin e Jozefit të Arimatesë, i cili siguroi një varr për Krishtin. Edhe sot, vijojnë të kujdesen për të vdekurit për të treguar pikërisht besimin e tyre në ringjalljen e trupit. Shpresa e të krishterëve para vdekjes rrjedh nga premtimi i vetë Jezu Krishtit: “Unë jam Ringjallja dhe Jeta: kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetojë. E kush jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë” (Gjn 11,25-26).

Siç thuhet në Katekizmin e Kishës Katolike: “Me vdekjen, ndarjen e shpirtit nga korpi, trupi i njeriut korruptohet, ndërsa shpirti i tij shkon të takojë Zotin, megjithëse pret të bashkohet me korpin e vet në lavdi. Zoti i Gjithëpushtetshëm do t’ua kthejë përfundimisht jetën e pakorruptueshme trupave tanë, duke i bashkuar me shpirtrat, në sajë të ringjalljes së Jezusit” (n.997).

Ditën e të Shuemvet, Gjergj Fishta, Mrizi i Zanave

I kuj do t’ jet njaj vorr, mbi t’ cillin mvaret

Kunorë lulesh e blertë e qi madhnueshem

Zotnon mbi fang t’ mjeruem, porsi shatorrja

E njaj Tyrani zemer-gur, i cilli,

5.            Mbi shegj Persijet pa kujdes pështetun,

Nder kandje t’ prujtna të ksaj jete kndellet,

Mjesá besniku ushtari i tij nen t’ randin

Hekur t’ anmikut rrokullohet dekun

E zhytet n’ gjak? – Nji djalë bujari

10.        Mbrendë n’ atë vorr asht kondisë. Ky lé mbi pupla

E rritë n’ ar e n’ mundash, mbas epshit lodhun,

Qi fletët e jetës per nen krahnuer ia brejti

E e kalbi gjall, mbi pupla u shkim, si e tmershmja

Flakë e nji vorri shkimet. Prej mermerit

15.        T’ dhênun mbi vorr njat permendar t’ madhnueshem

Prindja, shemtuemun deke s’ tij, ia vune

Peng dashtnijet dér n’ ma të largtat mote;

T’ hijshme kunoren mbasandej blerimesh

Sod nji dorë alabastrit m’ vorr ia pruni:

20.        Nji dorë, e cilla, mjesa ai bani hije

N’ tokë e Prendvera çili per té lule,

I a pat grabitun me perkdhjelje t’ prujtuna

Gjan edhe nderen. Me atë kunorë lulzimesh

Mallin dishmon, qi ajo per té ka n’ zemer.

25.        E po n’ vorre t’ fatosavet t’ nderueshem,

Qi m’ kto t’ egra male e bjeshkë t’ thepisne,

Si ulàj t’ pergjakun me trimni spartane

Rrebtë tue luftue per Atme e per Liri

Shqypnis iu bane fli, a thue m’ kto vorre

30.        Sod ‘i kunorë Atdhéu ka per t’ u a çuem

Si peng çmimit e bindijet e nderjet

Per shka ata psuene per Liri t’ bekueme?

Jo, jo! Per burra, qi me gjak praruene

Namin e kombit e Lirin’ i a sollen,

35.       Atdhéu kunora s’ ka. Per ta nuk dhênet

Gur, as nuk ndezet qiri. Mbi vorr t’ tyne

Shperthen rrushkulli e fermana, strukë nder t’ cillat

Pret dhelpna e shqarthi, dér’ qi rrezja e diellit

T’ shkimet e hana per mbas malit t’ ngrehet

40.        E zbét me shndritun n’ hapesirë të Qiellvet,

E kshtu, pa droje t’ ndo‘i anmiku t’ mshehun,

Me rmue nder vorre, e me shpuplue

Eshtnat e tyne per Atdhé shkatrruem.

Heu po! Burrat e dheut, qi m’ armë mizore

45.        Rrokullin dynden per Liri t’ Shqyptarvet

E flakë ndezen Evropen, e qi e shuma

As vorr nuk paten me u kondisë per s’ deknit,

Veç nper t’ errshmet humnere e neper prroska

Kurmat e tyne shkaperderdhë per dhé

50.        Prej orlash edhe korbash t’ zez kjén shkyem,

Shqyptarët, po, i kanë harrue; e mjesa orvaten

Kta fjalët me i gjetun t’ ambla e t’ kumbueshme

Veshin e t’ huejvet me lurtue me lavde,

E gjan n’ ar e n’ kremiz pa dhimbë e tresin,

55.        Vashavet t’ veta me ju a shtumun çmimin,

Kur ktyne ndera neper t’ huej t’ u shitet,

Nder mend s’u bjen, jo, per fatosa t’ vendit

M’ ndo ‘i rrasë t’ latueme me i zgavrrue dy shkrola,

Abolla nipat, qi do t’ vijn t’ u rritun,

60.        T’ shohin e t’ njohin si p’r Atdhé qindrohet

E diset kah Shqypnija. Ah! Nderëpermysësa

Si ‘i herë ‘i herë Shqyptarët! Per kta terthorja

E barkut asht, po, zemer, Atme e Fé,

E nderë, burrni e nami i parë në ketë jetë.

65.        Por t’ shuej, n’ dashtë, per fatosa t’ vet Shqyptari

Perse ‘dhe gjuha e tij, msue me tregtue

Mbi Atme t’ vet, porsi mbi krye t’ nji bêrri,

Nuk asht, jo, e dêjë per me nderue fatosat,

Qi per Liri t’ Shqypnis u bane flije:

70.        Namin e tyne per m’ e kndue si duhet,

Omiri lypet, lypet Iliada.

Heu! Ju burra të dheut, m’ t’ dy gjujt, po, un ulun

Perpara vorrit t’ uej, po puthi bûcen

Endè me gjak t’ uej t’ rîme e qi mbi krye

75.        Ju pret furin e motit, urë – pervûjtun

Un ktu po u falem, edhe juve u bindem,

Porsi martyrvet t’ atmes s’ onë t’ derptueme,

S’ cilles me gjak Lirin perligjë ia kini.

Oh po! Mos t’ vlote ai gjaku i juej p’r Atdhé

80.        E gjyq mos t’ lypte ai para fronit t’ qiellvet,

Po, se kto bjeshkë e njikto male t’ona

Shqypni ma s’ ishin quejtë; as shqyp s’ isht’ lutun

Ma i Madhi i jetës, qi n’ dorë ka fise e popuj:

N’ ndo’i gjuhë barbare t’ Turkestanit t’ eger

85.        Nana Shqyptare njellë u a kishte gjumin

Nipavet t’ Skanderbeut: e Atme, e doke,

E fis, e emen t’ tana djerrë i kishin;

Pse bén anmiku n’ Salonik pat rrahun

Me i qitun dheut Shqyptarët, e t’ fortë, mizore

90.        Fuqi ai dyndi, per me çue barbari

Atë bé barbare n’ vend. Grykës s’ Kaçanikut

U derdh, po, anmiku anekand Shqypnis,

Si shé, qi nisun prej ndo’i maje s’ eper,

Mbas krismes s’ nji thellimi t’ perfrigueshem,

95.        Dirgjet rrmbyeshem me shungllimë t’ trishtueshme

E shkaperderdhet neper rrash të blerun,

Shpresat e bulkut tue perpi nder gjire.

Kurdi, Qerkezi me Felahë manova,

Me shka ma t’ tmershem, t’ eger, e t’ felgrueshem

100.    Pat Anadolli, me furi mizore

Iu rras mbrenda Shqypnis. E atëherë kah qiella

U çue, po, tym e shkndi, e ‘i vigem nanash,

E vaj foshnjesh s’ flakrueme n’ zjarm, e ankime

E gjâmë s’ varruemsh, e ’i zhurmë e ‘i krisme rrotash,

105.    E kualsh, e topash, e ‘i bumbllimë e mnershme,

thue po t’ rroposet per nën kambë rruzllimi.

Trolli i Shqyptarit, Hyut e miqvet true,

Kulm e themel u shêm e ra per dhé;

E rrkajë vojt gjaku i trimavet t’ fuqishem,

110.    Qi atje nder megje t’ Cernagores kjene

Uzdaja e Atdheut e e derës s’ Ali Osmanit.

U hesht Shqypnija; skutavet Shqyptari

U struk, tue pritun me felgrim në zemer

Ma t’ mbramen, ofshe! Ditë t’ Atdheut t’ mjeruem.

115.    Por ju m’ atëherë, si ulani, n’ vend ngujue,

E pret anmikun, qi t’ i qaset hovit;

E kur nen turr t’ i vijë, mbi té lshohet

E m’ dhambë e me çapoj pa dhimbë e shkyen

Kortarë – kortarë: njashtu, me besë ju lidhun,

120.    M’ato male të grista e fusha t’ gjana

Pa u tutë e pritët  anmikun, t’ rrebtë, mizuer,

Qi bé kisht’ bamun me ju shk’mbye kso jete.

E kur ai msyni me u poshtnuemun vendin,

– Kush din sa herë, po, me gjak t’uej shperblye! –

125.    Perball ju i dolët, t’ shternguemun m’ armë mizore,

E, porsi t’u perpiqshin n’ ndesh dy male,

A se kerthiza e dheut n’ moh t’ u shperthete,

Mnershem toka gjimoi, shunglluen humneret,

U perzie deti me duhi t’ frigueshme;

130.    Shqypnija flakë u ndez, e prej trishtimit

Kjau fmija n’ zemer t’ nanës. Habitun sheklli

Del e ‘u kundron, e trimnis s’ uej i bindet.

E: a janë Titant, ai pvetë, qi kundra Jovit

Luftojn n’ Shqypni? Ase Leonidha s’ dekunit

135.    Me ata treqind Spartanas t’ vet u njallka

E Ksersin rishtas n’ Termopil e pritka?

E kqyrë nder ju me da me sy Leonidhen

A se Briarén, a Gigen. Por Leonidha

Nder ju nuk ka, as ka Briarea, as Giga:

140.    Veç, po, ka Dedë Gjo’ Lula – burra fjalet:

Ka Cokaj n’ za per pushkë e bujari,

E ka Pjeter Sokola e Llesh Nikë Daka,

Edhe Gjeto Mark Ujka – t’ idhtë si helmi;

E janë Nikë Gjelosh Lula – rê me breshen,

145.    E Kolec Marka e Gjelosh Gjoka rrfeja:

Janë Kolë Marash Vata sy – kulshedra,

Vetem me i msy ‘i qind vetë e armët m’u a marrun.

E ka dragoj Tirane edhe Kosove,

E Orë prej Shale, e djelm, si Zana Dibret:

150.    Ka sokola prej Zhubet e Berishet,

E djelm e burra ka, e ka fatosa

Me brejtun hekur, t’ thuesh, me shkulun lisat,

Malet me i dyndun per liri t’ Shqypnis.

O nami e ndera e jonë, burra çelikut,

155.    Njimend Shqyptarë e nipa t’ Skanderbegut!

Oh po! Se para zbardhet penda e korbit

E e bardha rreze dahet, po, prej diellit,

Se ju n’ harresë u qet kjo Zana e eme.

Per ju do t’ kndohet, po, m’ Lahutë t’Malcis

160.    Se shka vepruet, se sa dikuet ju gjakun,

Per me ia vumun nji Shqypnis themelin.

E kur Shqyptari nder ma t’ largtat mote

Neper t’ cillat do t’ endet jeta e nierit,

Kur t’ kndojë Shqyptari m’ ato kangë kreshnike

165.    Sa gjaku e mundi kje prej jush dikue,

Per me u ndertue Atdheu i tij – Shqypnija

-O t’ lumët ata, ka me brohritë me vedi,

Qi flija e Atdheut u bán, e, tue dhanë jeten,

Liri Atdheut e t’ ambel jetë i sollen. –

170.    E ai rmajt t’ uej, atëherë, ka me kerkue,

E ka me i gjetë, e ka me i ruejtë, si ruhet

Elteri i Atdheut; e me kunora t’ blerta

Ka me i lulzue, e mbasandej, ju besen

Ka per t’ u a dhanë mbi vorr, se kurr per s’gjalli

175.    S’ ka me e koritun namin t’ uej e nderen:

Se ka me dekë p’r Atdhé si desin burrat,

Si diqët, qé, ju per nji Shqypni t’ lirueme.

 

27 tetor 2022, 09:02