Çelësi i fjalëve të Kishës: misioni e mban Kishën të re
R.SH. - Vatikan
Në mesazhin për Ditën Botërore Misionare 2022, e cila do të kremtohet të dielën, më 23 tetor, me temë “Ju do të jeni dëshmitarët e mi” (Vap 1,8), marrë nga fjalët e Jezu Krishtit drejtuar dishepujve të vet, Papa Françesku reflekton mbi frazat kyçe, që përshkruajnë jetën dhe misionin e dishepujve. "Ju do të jeni dëshmitarët e mi", "deri në skajet e tokës" dhe "ju do të merrni forcë nga Shpirti Shenjt". Për Atin e Shenjtë, këto janë tri shprehjet kryesore, që përmbledhin tri bazat e jetës dhe të misionit të nxënësve të Krishtit. “Të gjithë të krishterët janë të thirrur për të dëshmuar Krishtin”, nënvizon Ati i Shenjtë. Kjo “është pika qendrore, thelbi i mësimit të Jezusit për dishepujt, në prag të misionit të tyre në botë. Të gjithë dishepujt do të jenë dëshmitarë të Jezusit, falë Shpirtit Shenjt që do të marrin: do të formohen si të tillë me anë të Hirit Hyjnor".
“Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt!"
Në të vërtetë, identiteti i përhershëm i Kishës ka qenë dhe është misioni. Kjo fjalë vjen nga latinishtja “mittere”: të dërgosh. Ai është detyrë, që Jezusi ua besoi dishepujve të vet dhe mbarë Kishës: “Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt!” (Mt 28,19)
Ky mision bazohet në dërgimin e Birit mes nesh si ndërmjetësues i përsosur mes Zotit dhe njerëzve. Jezusi është ai, në të cilin Hyji zbulon krejt dashurinë e vet. Këtu fillon çdo mision, në komunikimin e Zotit para njerëzve. Misioni pra, identifikohet me dërgimin e Birit, domethënë me një ngjarje që ka si qëllim “lavdinë” e Zotit dhe shpëtimin e njerëzve. Jezusi është kështu, misionari i parë dhe më i madhi, që e plotëson misionin me jetën dhe me vdekjen e tij. Misioni i Pashkëve të Jezu Krishtit plotësohet me dhuratën e Shpirtit Shenjt: me Rrëshajët fillon misioni i frymëzuar nga Shpirti Shenjt, që e shpall Jezusin si shëlbuesin e të gjithëve.
"Dritë e botës e kripë e tokës"
Kisha është fryt i këtij dinamizmi: ajo është për natyrën e vet misionare, pra, si dritë e botës e kripë e tokës, ajo është mjeti i shëlbimit për të gjithë. Për këtë arsye, Etërit kanë folur për Kishën si për bashkësinë e të drejtëve, që nga Abeli e deri tek i drejti i fundit. Më tej, Kisha është bashkësia që flet gjuhët e të gjithë njerëzve e në të cilën, secili ndjehet në shtëpinë e vet.
Pohimi tradicional, që thotë se “jashtë Kishës nuk ka shpëtim”, duhet kuptuar jo si kufizim i shëlbimit brenda hapësirës së Kishës, por si impenjim i Kishës për të shkuar drejt horizontit universal të dashurisë së Zotit, pra për të qenë misionare. Misioni në mesin e njerëzve është një përmasë thelbësore e krishterimit, që në fillimet e tij, sidomos me Shën Palin Apostull, i cili i kapërcen kufijtë e judaizmit, duke predikuar shëlbimin e Krishtit për të gjithë popujt.
Sfidat e misionit të krishterë
Në kohët e lashta dhe në Mesjetë, më tepër se sa “mision”, përdoreshin shprehje si “apostolatus”(apostullati) ose “propagatio fidei”(përhapja e fesë). Që në shekullin II, pavarësisht nga persekutimet, Lajmi i Mirë i krishterë ishte përhapur në shumë vende, në formë pak a shumë të organizuar, që nga Persia në Skoci. Në epokën e Mesjetës së vonë u bënë të njohura misionet e mëdha drejt popujve gjermanikë dhe ato të shën Çirilit e të shën Metodit në Lindjen sllave. Hov të ri mori veprimtaria misionare sidomos me Urdhërat e reja të Lypësve në shekullin XIII: françeskanët dhe domenikanët arritën deri në Lindjen e Largët, duke themeluar aty Kisha të krishtera.
Sfidat që përballon misioni i krishterë janë të shumta, por më kryesoret janë pa dyshim inkulturimi, ose takimi i mesazhit të krishterë me kulturën e vendit ku përhapet; pastaj, dialogu ndërfetar me fetë e tjera; sfida e fitores mbi varfërinë, pasi janë misionarët të parët që u qëndrojnë më afër nevojtarëve dhe ndihmojnë në zhvillimin e tyre; e më tej akoma sfida e sekteve, përballimi i shndërrimit të Evropës së krishterë në një shoqëri shumëetnike e me shumë fe etj..
Shqipëria, tokë misioni
Shqipëria, Kosova e trevat tjera shqiptare kanë qenë gjithnjë tokë misionesh. Misionarët e ardhur në këto vise e vende, pasi kanë mësuar gjuhën e traditat e popullit vendas, kanë dhënë shpesh një kontribut të shquar edhe në zhvillimin e kulturës shqiptare. Të kujtojmë në veçanti, misionin shetitëse të jezuitëve, që kishte për qëllim shpalljen e Fjalës së Zotit edhe në skajin më të largët të Shqipërisë e të vise tjera shqiptare që dha edhe një ndihmë të paçmuar në pajtimin e gjaqeve. Të kujtojmë poetë si at Leonardo De Martino, françeskan e albanologë, si jezuitët at Giuseppe Valentini e at Jak Gardini, që vuajti bashkë me shqiptarët komunizmin, e shumë të tjerë. Pra Misioni e mban Kishën të re, sepse Misioni i Kishёs ёshtё kumtimi i Lajmit tё Mirë – Ungjillit, që dhuron gëzim dhe jetë të re në Krishtin, i cili është udha, e vërteta, jeta.