Kërko

Papa shenjt Pali VI me Atenagorën Papa shenjt Pali VI me Atenagorën

Çelësi i fjalëve të Kishës: Koncili II i Vatikanit dhe ekumenizmi

Kisha Katolike sapo kremtoi 60-vjetorin e hapjes së Koncilit II të Vatikanit, i cili u mbajt nga 11 tetori i vitit 1962 deri më 8 dhjetor 1965. Pikërisht në kuadrin e tij, më 21 nëntor të vitit 1965, një hap historik përpara në udhën e ekumenizmit. Papa Pali VI dhe Patriku ortodoks Atenagora i Kostandinopojës, me origjinë shqiptare, shlyejnë përgjithmonë shkishërimin e njërit për tjetrin, me një deklaratë lexuar njëkohësisht në Romë e në Stamboll

R.SH. - Vatikan

Pikërisht dy ditë më parë, Kisha Katolike kremtoi 60-vjetorin e Koncilit II të Vatikanit, i cili u mbajt nga 11 tetori i vitit 1962 deri më 8 dhjetor 1965, në një periudhë kur në Shqipëri katolikët persekutoheshin nga regjimi komunist. Natyrisht, Koncili qe tejet i rëndësishëm për jetën kishtare kudo në botë, por mbi temën e lirisë fetare, e cila mungonte krejtësisht në trojet e shqipeve, u fol në fazën përfundimtare të tij, në vitin 1965. E ai qe vendimtar edhe në marrëdhëniet me traditat e tjera të krishtera, në rrugën e përbashkët për të plotësuar ndjetin e Krishtit që të gjithë të krishterët të jenë një gjë e vetme.

Kështu, punimet sollën miratimin e Deklaratës “Dignitatis Humanae” (Dinjiteti njerëzor), të Deklaratës për fetë jo të krishtera “Nostra aetate”(Epoka jonë), në të cilën, kapitulli mbi hebrenjtë i jep fund antisemitizmit. Miratohen edhe Kushtetuta për Zbulesën e Hyjit “Dei Verbum”(Fjala e Zotit) dhe Kushtetuta baritore për Kishën në botën bashkohore “Gaudium et Spes” (Gëzimi e Shpresa), e cila e sheh botën moderne nga një këndvështrim më pak negativ, se në të kaluarën.

Më 21 nëntor të vitit 1965, një hap historik përpara në udhën e ekumenizmit. Papa Pali VI dhe Patriku ortodoks Atenagora i Kostandinopojës, me origjinë shqiptare, shlyejnë përgjithmonë shkishërimin e njërit për tjetrin, me një deklaratë lexuar njëkohësisht në Romë e në Stamboll. Kujtojmë se të dyja Kishat, ajo katolike e ajo ortodokse, e kishin shkishëruar njëra-tjetrën, duke shënuar kështu zyrtarisht skizmën e vitit 1054 ndërmjet Lindjes e Perëndimit të krishterë. Deklarata e përbashkët u lexua në sesionin solemn të Koncilit II të Vatikanit nga imzot Zhan Uilbrands, ndërsa në katedralen e Fanarit lexohej nga sekretari i Sinodit kishtar ortodoks. Papa dhe Patriku ishin të bindur se “po i përgjigjeshin thirrjes së Hirit Hyjnor, që sot – shkruanin në deklaratë – e bën Kishën Katolike të Romës dhe Kishën Ortodokse, po ashtu edhe të gjithë të krishterët, t’i kapërcejnë dallimet ndërmjet tyre, për të qenë sërish ‘një’, ashtu siç iu lut Atit për ta, Zoti ynë Jezu Krishti”. Data e deklaratës është 7 dhjetori 1965. Ceremonia e mbylljes e Koncilit II të Vatikanit zhvillohet kështu në një atmosferë bashkimi vëllazëror, më 8 dhjetor 1965.

Është interesante të përmendim si filluan shkëmbimet ndërmjet dy Kishave. Tregon për këtë, në një intervistë për gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”, më 30 nëntor 2007, i ndjeri imzot Eleuterio Fortino, ish-zv.sekretar i Këshillit Papnor për bashkimin e të krishterëve, arbëresh, i pranishëm në ngjarje. “Në prill 1969, kardinali Uilbrands bëhet presidenti i Sekretariatit të atëhershëm për bashkimin e të krishterëve. Për festën e shën Andreut, po atë vit, mendoi të bënte një vizitë të parë në Patriarkatin ekumenik të Kostandinopojës. …Qëllimi ishte pjesëmarrja në kremtimin ortodoks të festës së Pajtorit e diskutimi për nivelin e marrëdhënieve, që t’u jepej një shtysë e re përpjekjeve të përbashkëta. …Në atë rast, folëm si mund të bëhej një shkëmbim i rregullt vizitash për festat e Pajtorëve. E në qershorin e mëpasëm, Patriarkati i Kostandinopojës dërgoi një delegacion në Romë për festën e shën Pjetrit e të shën Palit. Që atëherë, çdo 30 nëntor, për festën e shën Andreut, një delegacion nga Selia e Shenjtë shkon në Patrikanën ekumenike e, çdo 29 qershor, për festën e Shën Pjetrit e të shën Palit, një delegacion nga Kostandinopoja vjen në Romë”.

Mbyllim parantezën e kthehemi në Koncilin II të Vatikanit. Në përfundim të punimeve, Kisha Katolike ishte pajisur me ide e direktiva për të ardhmen, përmes katër Kushtetutave, nëntë Dekreteve e tri Deklaratave. Koncili II i Vatikanit është paraqitur shpesh si fushë beteje ndërmjet konservatorëve e progresistëve në Kishë. Për shembull, vendimi për kremtimin e meshës në gjuhën amtare të besimtarëve, sanksionuar nga Kushtetuta “Sacrosanctum Concilium”, është parë nganjëherë si mohim i traditës, si lëshim për t’iu përshtatur botës. Në të vërtetë, ky interpretim është mjaft i mangët.

Papa shenjt Gjon Pali II, një ndër etërit e atëhershëm konciliarë, në fjalën e mbajtur para Kuries romake, më 22 dhjetor 1992, pati thënë: “Në të vërtetë, do të ishin shumë të padrejtë ndaj gjithë veprimtarisë së Koncilit, ata që do të donin ta reduktonin atë ngjarje historike në kundërvënie e luftë ndërmjet grupeve rivale. E vërteta, në thelb të Koncilit, është krejt ndryshe”. Nuk mohohen aspak të vërtetat e fesë, por ato bëhen më të afërta për të gjithë njerëzit. Ky ishte qëllimi i Koncilit II të Vatikanit.

13 tetor 2022, 11:39