Kërko

Dita e shenjtërimit të Nënë Terfezës Dita e shenjtërimit të Nënë Terfezës 

Shën Tereza e Kalkutës dhe zemra e saj prej “nëne”

25 vjet më parë ndërroi jetë në Kalkutë themeluesja e Misionareve të Dashurisë, një nga simbolet më kuptimplote të shekullit XX, fituese e Çmimit Nobel për Paqen në vitin 1979, shpallur shenjte nga Papa Françesku më 2016. Sot, si atëherë, aspekti amënor i figurës së saj mbetet në zemrat dhe në përvojën jetësore të atyre, që e njohën dhe e ndoqën. Dëshmia e postulatorit të Çështjes së Shenjtërimit

R.SH. – Vatikan

Shërbëtorja e më të varfërve ndër të varfër, Shën Tereza e Kalkutës apo Nënë Tereza, siç e njohin të gjithë, ashtu si edhe shqiptarët, në gjirin e të cilëve ajo lindi si Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, ndërroi jetë pak ditë pasi mbushi 87 vjeç, në Indi. Ishte 5 shtatori i vitit 1997 dhe shenjtja shqiptare e bamirësisë e linte gjithë botën të ngashëryer nga emocionet, por i linte edhe 4 mijë motra të Kongregatës së Misionareve të Dashurisë e 400 kuvende katolike aktive në shërbim të më të fundmëve, në të gjitha kontinentet. Sot, në ditën e përkujtimit të saj liturgjik, në Kalkutë bëhet festë, shoqëruar me përurimin e një shtëpie të re për fëmijët e rrugës në zonën qendrore të Park Street në kalkota. Dyer të hapura edhe për meshën dhe për homazhet në varrin e shenjtes, ndërsa në të gjithë vendin kremtohen ceremoni në përkujtim të saj.

Dy shenjtorë: Papa Gjon Pali II dhe Nënë Tereza
Dy shenjtorë: Papa Gjon Pali II dhe Nënë Tereza

Nënë Tereza, e vlerësuar me Çmimin Nobel për Paqen në vitin 1979, shpallur e Lume nga Papa Gjon Pali II në vitin 2003 dhe shenjte nga Papa Françesku më 4 shtator 2016, quhet edhe sot "Nënë". “Vazhdojmë të çojmë përpara trashëgiminë e Nënës, duke ofruar falas çdo të mirë”, thotë motër Mary Joseph, eprore e përgjithshme e urdhrit nga muajt e parë të këtij viti. Si “Nënë” njihej në Indi, në trevat shqiptare e kudo tjetër e si të tillë e kujton edhe ai, që i qëndroi pranë për më se 20 vite, Át Brian Kolodiejchuk i Vëllezërve Misionarë të Dashurisë, postulator i Çështjes së Shenjtërimit të Nënë Terezës:

Kur e hedhim vështrimin mbi gjithë jetën e saj, Nënë Tereza na duket figurë e jashtëzakonshme dhe në disa aspekte ashtu është. Kush do të merrte guximin për të ngritur një kongregatë me mijëra murgesha? Ajo ishte një "CEO"(drejtoreshë e përgjithshme) e madhe, pasi e organizoi gjithë këtë dhe e bëri të funksionojë. Ishte vërtët diçka e jashtëzakonshme. Gjithmonë, thoshte: “Nuk po mundohem të kem sukses, po mundohem të jem besimtare”. Por, kishte edhe shumë sukses. Një herë, ishim në Romë, në një sakristi. Mbaj mend që tha: “Njerëzve u pëlqen ta shohin këtë impenjim”, duke pasur parasysh veten dhe gjithë vëmendjen që i kushtuan. Pra, e dinte se ishte shembull. Por nuk i rritej mendja. Mendoj se një nga virtytet e saj më të mëdha ishte përvujtëria. Pastaj, pa dyshim, vijnë dashuria dhe feja.

Ju keni jetuar për më se 20 vjet përkrah Nënë Terezës. Ç’mund të na tregoni për të?

Me mua, është treguar vërtet nënë. Si nënë. Mbaj mend që në periudhën e kanonizimit të saj pata dhënë një intervistë për një radiotelevizion në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata më bënë pikërisht këtë pyetje: “Si ka qenë përvoja juaj me të?” E unë tregova disa ndodhi, si për shembull, kur shkonim ta merrnin në aeroport, në Nju Jork. Zakonisht, ajo vinte nga Roma dhe e çonim në kuvend. Pak minuta pasi ishim ulur në sallon, menjëherë, Nënë Tereza vinte me një tabaka me biskota, kafe dhe çaj. Pastaj, e linte tabakanë dhe i jepte një filxhan secilit prej nesh – në atë rast, ishim tre. Ashtu siç bën çdo nënë. Ajo dëshironte të ishte nënë. Në një nga letrat e para të viteve ‘60 drejtuar një kryeipeshkvi, shkruante: “Titulli i eprores së përgjithshme nuk do të thotë asgjë për mua. Unë dua të jem nënë”. Kishte një zemër shumë të madhe, zemër nëne. Kushdo, që e ka takuar qoftë edhe një herë, ka filluar ta thërrasë më vonë “nënë”. Ajo ishte vërtet amënore. Një nënë e vërtetë.

05 shtator 2022, 11:25