Kërko

Shtegtimi Apostolik në Kazakistan - takimi me  klerin, në Katedrale Shtegtimi Apostolik në Kazakistan - takimi me klerin, në Katedrale 

Rojtari i Fretërve të Vegjël të Moskës: me Papën në Astana, në lutje për paqen

Bisedojmë me atin Harasimowicz, frat konventual nga Rusia, që mori pjesë, me Françeskun, në Meshën dhe takimin me rregulltarët në kryeqytetin kazak. Meshtari polak flet për jetën e bashkësisë të tij të vogël, shpjegon se rusët shkojnë tek ai të turpëruar, me lot në sy, për konfliktin në Ukrainë e me pyetjen e heshtur “A nuk paska vërtet rrugë tjetër përveç luftës?”.

R. SH. - Vatikan

Në Astana, kryeqytet i Kazakistanit, i cili u quajt me emrin e tij të lashtë menjëherë pas vizitës së Papës, grupe shtegtarësh rusë rendën për të dëgjuar nga afër Françeskun. Ndërmjet tyre, frati konventual Dariusz Harasimowicz OFM, meshtar polak, epror i Kujdestarisë Françeskane që jeton në Moskë. E takuam kur Papa ishte larguar nga Kazakistani për t’u kthyer në Vatikan nga Udhëtimi i tij i 38-të Apostolik.

Kujdestaria e vogël françeskane në Rusi dhe Kazakistan

Sot, Fretërit e vegjël konventualë në provincën ruso-kazake janë një grusht i vogël, i shpërndarë në Moskë, Shën Petersburg, Chernyachovsk, Kaluga, Astrakhan dhe Astana. Gjithsej gjashtëmbëdhjetë fretër, nga Lituania, Sllovenia, Polonia, Bjellorusia dhe Italia, e edhe tre të rinj në formim e sipër (një prej të cilëve, me origjinë ruse e një tjetër, me origjinë kazake). Qershorin e kaluar Kapitulli vendosi të vazhdojë, në katër vitet e ardhshme, praninë misionare në Rusi dhe Kazakistan, me veprimtarinë e shtëpisë botuese françeskane, themeluar nga Urdhëri në Moskë, në vitin 1994. Këtu nisi historia e re e Urdhërit, pas rënies së BRSS. Ishte viti 1993, kur fretërit u thirrën nga Imzot Tadeusz Kondrusiewicz, asokohe administrator apostolik i Rusisë Evropiane. Në fillim të misionit të tyre, bijtë e Shën Françeskut vareshin nga provinca të ndryshme polake të Urdhërit; në vitin 2001 lindi Rojtaria e Përgjithshme Ruse e Shën Françeskut të Asizit, e cila përfshin edhe Kazakistanin.

Bukuria e një grigje të vogël: ka më shumë kohë për t'u lutur

Frati Dariusz flet për jetën e bashkësisë së tij: kremtimi i meshës është i hapur për publikun dy herë në javë. Ata kanë edhe një dhomë pritjeje për mysafirët. Rrëfimet janë një nga detyrat, që kërkojnë më shumë kohë. Por edhe që krijojnë lidhje më familjare me njerëzit, ndaj përpiqemi t’i dëgjojmë me kujdes, ballë për ballë, e kjo më pëlqen – vëren- e më pas shton “bukuria e kësaj vogëlsie, e kësaj grigje të vogël, qëndron në faktin se mund të shohësh çka është më e rëndësishme”. Darek, siç i pëlqen ta thërrasin miqësisht, u shugurua në vitin 1996. “Gjatë viteve - kujton - e kam pyetur disa herë veten pse më pëlqen të jem në gjirin e këtyre realiteteve të vogla. Besoj sepse kam më shumë kohë për t'u lutur, për të takuar Zotin në lutje, për të qenë më pranë Krishtit. E kjo më ndihmon shumë, kur u flas njerëzve për Jezusin”.

“Vërtet nuk paska rrugë tjetër përveç luftës?"

“Si e jetoj konfliktin e Ukrainës në Moskë? Në çfarë gjendje shpirtërore?  E si mund ta shpjegoj hijen e luftës? Për këtë e kam pyetur veten shumë herë, sidomos gjatë ushtrimeve shpirtërore për Kreshmët. E kam kuptuar shumë mirë, besoj, se kjo luftë është rezultat i lajmeve të rreme që vijojnë  prej njëzet vjetësh në propagandën e mediave. Shumë shpesh krejt gënjeshtra” - pohon frati. Citon, në vijim, librin “Kujtesë dhe Identitet”   të Gjon Palit II mbi konceptin e patriotizmit. “Ungjilli nuk thotë vetëm kush është Zoti, por edhe kush është njeriu. Vetëm duke kuptuar se kush është njeriu, mund të ndërtojmë një shoqëri të bazuar mbi vlerat e Ungjillit. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, media përsëriti se ishte gabimi më i madh në histori. Është e qartë se ishte një nga lajmet e rreme: “vendet e lindura nga Perandoria Ruse janë të lumtura, janë të lira” – pohon – duke kujtuar se nuk mund të përdoret ndërhyrja ushtarake për të derdhur gjak; në Rusi njerëzit nuk e dinë se cila është e vërteta. Kujtoj se Krishti solli vlerat njerëzore të dinjitetit: solli paqen, që është e mirë. Vërtet nuk kishte rrugë tjetër për t’i zgjidhur problemet? Për t’i parë pasojat drastike të kësaj lufte?

Askush në Kishë nuk është i huaj

Rojtari flet për kënaqësinë që ndjeu gjatë vizitës pranë Papës dhe shokëve të tij në Kazakistan. “Duhet të ndërtojmë një kuvend të ri këtu” - pohon plot entuziazëm. Për të shtuar, më pas, se i pëlqeu shumë predikimi i Papës gjatë Meshës kremtuar në Expo: antiteza e gjetur e 'gjarpërinjve që kafshojnë' e 'gjarpërinjve që shpëtojnë'. “Pastaj edhe pohimi se askush në Kishë nuk është i huaj, të gjithë jemi një familje! Kjo atmosferë më mbushi me frymë - pohon. Ndjeva se mund të kemi një familje të vërtetë, simbol për të ardhmen. Vërtetë, gëzimi e ka të vetmin themel në Krishtin. Duhet të kthehemi gjithmonë tek Ai, sepse vetëm Ai mund të na prijë drejt dritës së vërtetë. Lufta i shkatërron marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, që paqja i bashkon”, kujton frati, i cili e jeton urimin e Shën Françeskut: “Paqë e të Mira!”. E që takohet shpesh me rusë, të cilët nuk e miratojnë luftën në Rusi: “Ata qajnë nga turpi! Nuk mund t’i shikojnë të tjerët në fytyrë. Megjithatë, për fat të keq, nuk janë shumë. Por besoj se dita ditës ky grup do të bëhet gjithnjë më i madh”.

21 shtator 2022, 14:50