Kërko

Catholic Theological Seminary in Karaganda, Kazakhstan Catholic Theological Seminary in Karaganda, Kazakhstan

Origjina e Kishës Katolike në Kazakistan

Udhëtimi i 38-të Apostolik i Papёs Françeskut është një rast për të marrë pjesë në Kongresin e VII të Udhëheqësve të Feve botërore dhe tradicionale, por edhe për të takuar, inkurajuar dhe mbështetur në fe komunitetin e vogël katolik lokal, i cili, në një vend si Kazakistani me shumicë myslimane, përfaqëson më pak se 1% e 19 milionë banorëve, por ka një histori që përfshin shekuj

R.SH. - Vatikan

Origjina e Kishës katolike në Kazakistan mund të datohet qё në shekullin e 13-të. Në vitin 1253, mbreti i Francës, Shën Luigji, dërgoi disa misionarë në këtë territor. Pastaj, 25 vjet më vonë, në vitin 1278, Papa Nikolla III ia besoi të gjithë misionin në rajonin e Azisë Qendrore Urdhrit Françeskan. Në gjysmën e parë të shekullit të 14-të, fretërit françeskanë ndërtuan një kuvend a manastir të vogël dhe një Katedrale në qytetin e Almalyk. Rreth asaj kohe, Papa Gjon XXII i dërgoi një letër Chagatai Khan, djalit të dytë të Genghis Khan, për ta falënderuar për mirësinë e treguar ndaj të krishterëve në mbretërinë e tij. Megjithatë, në vitin 1340 filluan persekutimet dhe nuk ka asnjë lajm për praninë e të krishterëve në rajon deri në mesin e shekullit të 19-të, kur territori kazak ishte nën sundimin e Perandorisë ruse.

Kisha katolike Kazake në shekullin e 20-të

Katolikët romakë filluan të mbërrinin në Kazakistan në fillim të shekullit të 20-të. Ata ishin ushtarë të ushtrisë ruse, të internuar, të burgosur lufte, tё mёrguar, kolonë dhe refugjatë. Shumë refugjatë katolikë dhe të burgosur mbërritën gjatë Luftës së Parë Botërore. Në vitin 1917, famullia kishtar e Pietropavlovsk kishte rreth 5000 besimtarë, ndërsa famullia kishtare e Kustanait kishte mbi 6000 besimtarë. Katolikë të tjerë të kombësive të ndryshme mbërritën si të dëbuar gjatë shtatë dekadave të regjimit sovjetik. Shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe pavarësia pasuese e Kazakistanit në vitin 1991 përfaqësoi gjithashtu një pikë kthese edhe për Kishën e vogël Katolike Kazake. Pika e parë e këtij zhvillimi ishte vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndёrmjet ish-Republikës Sovjetike tё Kazakistanit dhe Selisë së Shenjtë, më 17 tetor 1992, e ndjekur, më 24 shtator 1998, nga nënshkrimi i një marrëveshjeje të rëndësishme të marrëdhënieve të ndërsjella me të cilën qeveria kazake i ka dhënë Kishës Katolike lirinë e kultit, të fjalës nëpërmjet mediave dhe të kryerjes pa kufizime tё veprimtarive tё saj baritore dhe shoqërore; të themelojë, organizojë dhe drejtojë institucione arsimore; dhe akses të plotë në burgje e objekte shëndetësore për të ofruar ndihmën shpirtërore.

Dialogu ndërfetar pas përfundimit të Bashkimit Sovjetik

Këto dy ngjarje shënuan fillimin e një bashkëpunimi të frytshëm ndёrmjet Kishës Katolike dhe autoriteteve kazake, veçanërisht në fushën e dialogut ndërfetar. Këtë e dëshmojnë tre vizitat zyrtare në Vatikan të ish-presidentit Nursultan Nazarbayev (në vitin 1998 për nënshkrimin e Marrëveshjes për marrëdhëniet reciproke me Selinë e Shenjtë, në 2003 dhe në 2009), por mbi të gjitha udhëtimi apostolik i Papёs Shën Gjon Palit II nё Kazakistan më 22-25 shtator 2001, që ishte vizita e parë e një pape katolik në një vend të Azisë Qendrore. Motoja e zgjedhur për udhëtimin  e Wojtiles ishte: "Duajeni njëri-tjetrin", që nënvizonte bashkëjetesën paqësore të komuniteteve të shumta etnike dhe fetare të Kazakistanit. Këto aspekte u theksuan disa herë nga Gjon Pali II gjatë qëndrimit të tij treditor. Duke takuar të rinjtë në Universitetin Eurasia të Astanës më 23 shtator, Papa polak e përshkroi Kazakistanin si "një vend takimi, shkëmbimi dhe risie; një tokë që ngjall tek të gjithë dëshirën për zbulime të reja dhe i lejon ata të përjetojnë ndryshimin jo si një kërcënim por si një pasurim”.

Vullneti për paqe në origjinën e Kongresit të udhëheqësve fetarë

E njëjta dëshirë për të promovuar vlerat e bashkëjetesës dhe dialogut ndёrmjet popujve dhe besimeve, në kundёrshtim me përpjekjet për të shfrytëzuar fenë për qëllime politike, frymëzoi "Kongresin e liderëve të feve botërore dhe tradicionale", i cili u mbajt për herë të parë në vitin 2003 në Astana (sot Nur-Sulltan) nga ish-presidenti Nazarbayev, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara tё Amerikёs dhe në gjurmёt e "shpirtit të Asizit", me të cilin identifikohen takimet ndërfetare për paqen, që u mbajtёn në qytetin e lindjes të Shën Françeskut (Asizi), ku mё 1986 qe thirrur nga Gjon Pali II pёr herё tё parё Takimi historik Ndërfetar. Që atëherë, takimet janë mbajtur çdo tre vjet në kryeqytetin e Kazakistanit - i fundit u mbajt në 2018 me temën "Udhëheqësit fetarë për një bota tё sigurt” – me pjesëmarrjen e një delegacioni të Vatikanit. Kjo kontribuoi më tej në pёrforcimin e bashkëpunimit ndёrmjet Kazakistanit dhe Selisë së Shenjtë për promovimin e dialogut ndërfetar.

Faza të reja në dialog

Kontributi i Selisë së Shenjtë në dialogun ndёrmjet feve u njoh zyrtarisht nga Kazakistani më 6 shkurt 2013, kur një delegacion kazak, i kryesuar nga Presidenti i Senatit, vizitoi Vatikanin me rastin e 10-vjetorit të themelimit të "Kongresit ndёrfetar", dhe u dha një çmim tё veçantё kardinajve Jean-Louis Tauran, Giovanni Lajolo dhe Imzot Khaled Akasheh, zyrtar i Këshillit Papnor të atëhershëm për Dialogun Ndërfetar. Ky pёrkim vlerash u konfirmua më tej në vitin 2017 në Ekspozitën Ndërkombëtare të Astanës (e njohur si "Expo 2017") e cila u mbajt nga 9 qershori deri më 10 shtator të të njëjtit vit me temën " Future Energy” (Energjia e së ardhmes). Selia e Shenjtë mori pjesë në aktivitet me një pavijon me temë "Energjia për të mirën e përbashkët - Kujdesi për shtëpinë tonë të përbashkët". Me rastin e Ditës Kombëtare të Selisë së Shenjtë në Expo 2017, më 2 shtator tё tё njëjtit vit, Papa Françesku dërgoi një mesazh në të cilin kujtoi "rritjen e dialogut dhe tё bashkëpunimit ndërmjet feve që u zhvillua në Kazakistan, një vend qё karakterizohet nga tradita tё të pasura etnike, kulturore dhe shpirtërore”.

15 shtator 2022, 12:56