Një shenjtërore në Londër i kushtohet Marisë, Nënë e të krishterëve të persekutuar
R.SH. - Vatikan
Në Romë është një Bazilikë nën kujdesin e Shën Egjidit, me emrin San Bartolomeo all'Isola, kushtuar martirëve të krishterë të shekullit të njëzetë. Ndërsa në Evropë nuk ka ende asnjë vend të shenjtë kushtuar të krishterëve të persekutuar të sotëm. A më mirë të themi nuk kishte. Mbasi mbrëmë, 8 shtator 2022, në Londër u kushtua Shenjtërorja e 'Marisë, Nënë e të krishterëve të përndjekur'.
Kushtim, në një kohë veçanërisht të përshtatshme. Kur nga Ndihmë për Kishën që Vuan dhe Dyer të hapura ka të dhëna, që tregojnë se krishterimi është feja më e persekutuar në botë. E edhe raporte (si ato të Observatorit për intolerancën dhe diskriminimin e të krishterëve në Evropë), që flasin për persekutimin e të krishterëve, edhe aty, ku nuk e pret, si në mënyrë flagrante, me vandalizëm dhe perdhunime, ashtu edhe në mënyrë delikate, kur mendimi i krishterë përjashtohet nga jeta publike ose kur nuk lejohet të flasë në emër të Krishtit.
Nisma për kushtimin e shenjtërores është e At Benedict Kiely, prift anglez, i cili në këtë mënyrë dëshiron të realizojë atë, që e konsideron si “shenjtëroren e parë në Evropë kushtuar posaçërisht lutjes për të krishterët e persektuar, në vijim edhe sot, në mënyra e forma nga më të ndryshmet, në mbarë botën”.
Ideja për këtë i lindi në vitin 2014 kur, i thirrur në një mision, mësoi se në Mosul nuk kremtohej asnjë meshë në ato ditë. E në Mosul, në fushën e Ninives, është varri i profetit Jona. Kështu, ai filloi të udhëtojë për në Irak, herën e parë në vitin 2015 dhe më pas trembëdhjetë herë të tjera, për të vizituar më pas Sirinë dhe Libanin.
Në vitin 2016, Atë Kiely themeloi Nasarean.org, një organizatë bamirëse që ndihmon të krishterët e persekutuar në Lindjen e Mesme, të cilët vijojnë të jetojnë në vendet e tyre me ndihma të vogla mikrofinanciare.
Në vitin 2017, At Kiely ndihmoi për hapjen e asaj, që ai e konsideron shenjtërorja e parë kushtuar posaçërisht lutjes për kishën e persekutuar, Kishën e Shën Mikelit, në Nju Jork.
Shenjtërorja e Londrës, e vendosur në Soho, në kishën e Ordinariatit të Shën Marisë së Ngjitur në Qiell dhe të Shën Gregorit, do të ketë në qendër një ikonë të Virgjërës Mari, pikturuar nga motra Souraya, greko-melkite katolike, murgeshë siriane e Urdhrit Basilian. Poshtë ikonës do të shkruhen në aramaisht fjalët “Nëna e të përndjekurve”.