Kërko

Motra Mary: “Ndër stacione në kërkim të të varfërve, për të kujtuar Nënë Terezën”

Eprorja e Misionareve të Bamirësisë tregon se si po e festojnë motrat anembanë botës sot, 5 shtator, 25 vjetorin e vdekjes së themelueses. Pikërisht sot, në Park Street të Kalkutës, u hap një qendër e re për fëmijët e rrugës. “Lutuni që ta vazhdojmë trashëgiminë e Nënë Terezës: të bëjmë falas çdo të mirë që mundemi, për dashurinë e Zotit dhe të vëllezërve e motrave tona”

R.SH. - Vatikan

Sot, e hënë, 5 shtator, Kisha katolike kremton festen liturgjike te Shenjtes Nene Tereze. Në përkim me këtë festë, sivjet mbushen 25 vjet nga vdekja e Nënë Terezës (1910-1997), themeluese e Misionarëve të Bamirësisë, ikonë e një jete kushtuar tërësisht shërbimit të të varfërve më të varfër në Indi e në mbarë botën, në emër të Ungjillit.

Një grua, që ia doli të shkelte kufijtë e pashkelshëm në emër të bamirësisë e që u shpall e Lume nga Gjon Pali II, në vitin 2003 dhe shenjtore nga Papa Françesku, më 2016. Edhe sot dëshmia e saj mbetet e gjallë në skajet e skutat më të harruara të çdo kontinenti përmes veprimtarisë - shpesh të heshtur - të murgeshave me sarin e bardhë e anët blu. Për këtë arsye po publikojmë këtë mesazh nga Kalkuta, nga eprorja e Misionarëve të Bamirësisë, motra Mary Joseph, e cila tregon se si po e jetojnë, në këto orë, bashkësitë e tyre këtë përvjetor të rëndësishëm.

Shumë na pyetën si do ta festojmë 25 vjetorin e vdekjes së Nënë Terezës…

Duke u lutur, ne vendosëm ta kremtojmë ashtu si, ndoshta, do të kishte dashur ajo vetë. Për nder të këtij 25-vjetori të Nënës, në mbarë botën, motrat tona dolën sot në kërkim të të varfërve më të varfër nëpër rrugë, nëpër stacione… kudo që janë, vetëm dhe të braktisur.

Këtu në Kalkutë kemi dy bashkësi, secila e përbërë nga katër murgesha që enden çdo ditë rrugëve me ushqime të paketuara e me rroba, për të takuar të varfërit, kudo që janë. Të sëmurët rëndë sillen në shtëpitë tona, që të mund të kujdesemi për nevojat e tyre kryesore, si mundësia për të bërë banjo, për të ndërruar rrobat, për të ngrënë një drekë a darkë të mirë ose - nëse është e nevojshme – edhe për t’u shtruar në spital.

Në Park Street, në një nga bashkësitë tona, po krijojmë një mjedis ​​për fëmijët që jetojnë në rrugë, pa mundur të shkojnë në shkollë. Do t’u bëjmë   banjo, do t’u ndërrojmë rrobat, do t’u japim një gotë qumësht, biskota, do t’i mësojmë të vizatojnë dhe të shkruajnë. E do ta nisim këtë veprimtari pikërishte sot, më 5 shtator 2022.

Të varfërit janë gjithmonë mes nesh: për t’i dashur dhe për t’u shërbyer! Situatat e ndryshme politike nuk ndikojnë kurrë në punën tonë.

Gra e burra pa strehë, nën strehët tona

Në Kalkutë kemi shtëpi për burra dhe gra të braktisura, që i marrim nga rruga. Shtëpitë tona tani janë të mbushura me njerëz. Ne po kërkojmë mënyra për t’i kthyer në jetë këta njerëz. Me ndihmën e punonjësve shoqërorë përpiqemi t’i gjejmë familjet e tyre dhe t’i bashkojmë me ta, nëse i pranojnë. Në shtëpitë tona kujdesemi për fëmijë dhe të rritur me probleme fizike dhe psikike. Në shumë prej shtëpive tona kemi pacientë që vuajnë nga lebra dhe tuberkulozi që, ndërsa e gjejnë të mbyllur derën e shtëpive të tyre, gjejnë të hapur tonën!

Vizita në familje

Si në Indi, ashtu edhe jashtë saj, motrat tona vizitojnë rregullisht familjet, veçanërisht të moshuarit dhe të burgosurit. Në burgje dhe spitale përpiqemi të çojmë një rreze shprese në jetën e tyre. Ndërsa merremi edhe me ndihmën e menjëhershme emergjente për viktimat e fatkeqësive të ndryshme natyrore, që kanë qenë gjithnjë në qendër të vëmendjes sonë. Edhe jashtë Indisë kemi shtëpi ku kujdesemi, materialisht dhe shpirtërisht, për më të varfërit e të varfërve, për më të flakurit nga shoqëria, për ata që jetojnë në rrugë, për alkoolistët... Strehimoret dhe mensat e natës janë të hapura për më nevojtarët, krahas apostullmit të natës, kur murgeshat u shpërndajnë racione ushqimore atyre, që do ta mbyllnin ditën të uritur.

Nënë Tereza vijon të na e kujtojë….

Nënë Tereza na kujtonte shpesh se “nuk mund të bëjmë gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla, por me dashuri të madhe”. Lutuni që ne ta vazhdojmë këtë trashëgimi të së dashurës Nënë dhe Themelueses: të bëjmë gjithçka mundemi për dashuri të Zotit dhe të vëllezërve e motrave tona, pa parë kastë apo besim, duke shërbyer me gjithë zemër e gjithnjë falas.

Zoti ju bekoftë!

Thirrja nënshkruhet:

sr. Mary Jozeph

eprore e përgjithshme e Misionareve të Bamirësisë

( në bashkëpunim me Nirmala Carvalho) 

nga AsiaNews

05 shtator 2022, 09:53