Kërko

 XXVI Domenica Tempo Ordinario - C - la parabola del povero Lazzaro XXVI Domenica Tempo Ordinario - C - la parabola del povero Lazzaro

Fjala se Zotit e dielës së 26-të gjatë vitit “C”

Në Ungjillin e kësaj së diele nga Luka Jezusi na tregon një tjetër shëmbëlltyrë: atë të njeriut të pasur dhe të Lazrit të varfër, për të na orientuar në jetë e në vepra drejt Mbretërisë së Hyjit.

R.SH.- Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 26-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 26-të gjatë vitit “C”

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 26-të gjatë vitit “C”

Përsëri pёrqasja ndёrmjet varfërisë dhe pasurisë, i pranishëm në fragmentin ungjillor të kësaj të diele, ofron temën e liturgjisë. Ungjilli na nxit të mendojmë mirë mbi vlerat që na pasurojnë dhe na fton të jetojmë e të veprojmë në perspektivën e Mbretërisë së Hyjit.

Zoti i do të varfrit e fati i amshuar, si dhe lumturia e çdo njeriut varët nga vullneti i tij për të ndjekur udhën e dashurisë e për të vepruar mirë në përkim me vullnetin e Hyjit, duke qenë solidarë më varfrit e nevojtarët gjatë jetës tokësore. Këtë vë në pah Ungjilli i Dielës së 26-të gjatë vitit kishtar ‘C’, me shëmbëlltyrën e Lazrit të varfër dhe të pasanikut (Lk 16,19-31).  Egoizmi e thanë shpirtin deri në humbje. Dashuria, jo në kuptimin e ndjenjës sipërfaqësore, por dashuria bamirëse që shndërrohet në shërbim të të varfërve, na bënë të jetojmë më të vërtet e të fitojmë pavdekshmërinë.

Mesazhi i qartë që vjen nga shëmbëlltyra e famshme ungjillore, Lazri që ushqehet me teprica të tryezës së pasanikut e pandjeshmëria e Pasanikut ndaj të varfit, na transmeton jehonën e mesazhit që nuk le hapësirë kompromisi e dyshimi. Mesazhi ungjillor i kësaj shëmbëlltyre, nuk flet vetëm për përdorimin e drejt apo të gabuar që mund të bëhet me pasurinë, por nënvizon faktin që Zoti na flet përmes Shkrimeve të Shenjta e se duhet të jetojmë sipas vullnetit të tij hyjnor, përndryshe pas vdekjes, do të jetë tepër votë për t’u penduar e përmirësuar gjendjen.

Prandaj, kjo shëmbëlltyrë e Ungjillit nga Luka na thotë dy gjëra: e para është kjo se Zoti i do të varfri dhe i ngrit nga përulja e përbuzja e tyre; e dyta është se fati jonë i amshuar kushtëzohet nga qëndrimi dhe sjellja jonë, e na takon pikërisht neve ta ndjekim udhën që Zoti na ka treguar, për të arritur në jetën e plotë e të vërtet, e kjo udhë është dashuria, jo në kuptimin e ndjenjës, por si shërbim ndaj tjerëve, në dashuri të Krishtit.

Prej mëse dymijë vjetësh, shembulli i njerëzve që kanë jetuar plotësisht në përkim me këtë ideal të dashurisë e të bamirësisë, e ndriçon historinë e Kishës. Po përmendim tri personalitete si shën Vinçenci Paoli, e Lumja Kjara Badano, dhe Shenjta Nënë Terezë – Ganxhe Bojaxhiu.

                                           Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Am 6, 1.4-7

Lexim prej Librit të Amosit profet

Kështu thotë Zoti i gjithëpushtetshëm: “Vaj për ata që janë të qetë në Sion, që janë të sigurt në mal të Samarisë, që janë paria e më të parit komb, kah të cilët shkon shtëpia e Izraelit! Fjetur në shtretër asht elefanti, sa gjerë e gjatë të shtrirë në shtroja të veta, hanë qengjat e njomë të grigjës e viça të zgjedhur të lorisë; me psalter të përcjellë këndojnë, shpikin vegla muzikore si Davidi, e pinë verë me gota të mëdha e lyhen me vajra të zgjedhur e për rrënimin e Jozefit s’janë në kujdes! Prandaj tash në mërgim do të shkojnë, mu në krye të gjithë mërgimtarëve, do të pushojë shoqëria e të shfrenuarve!” Fjala e Zotit.

Psalmi 146
Lum skamnorët në shpirt

----- ----- -----
Zoti u jep të drejtën të nëpërkëmburve,
u jep ushqim të uriturve.
Zoti i çliron robërit.
----- ----- -----
Zoti u jep dritën e syve të verbërve,
Zoti i ndreq të kërrusurit,
Zoti i do të drejtët,
Zoti i mbron ardhacakët.
----- ----- -----
U ndihmon bonjakëve e të vejave,
ndërsa mëkatarëve ua pështjellon udhët.
Zoti do të mbretërojë për jetë,
Hyji yt, o Sion, nga breznia në brezni.
----- ----- -----

Leximi i dytë 1 Tim 6, 11-16

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut
Fort i dashur, jepu me gjithë shpirt mbas drejtësisë, përshpirtërisë, fesë, dashurisë, qëndresës, butësisë! Lufto luftën e mirë të fesë, fitoje jetën e pasosur, në të cilën u thirre dhe për të cilën e dhe një dëshmi të bukur para shumë dëshmitarëve! Të urdhëroj para Hyjit, që u jep jetë të gjitha sendeve, dhe para Krishtit Jezus që e dha atë dëshmi të bukur para Ponc Pilatit, mbaje urdhrin pa njolla dhe pa të meta deri në ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishtit, që do të na e tregojë në kohën e caktuar Ai, i lumi dhe i vetmi sundimtar, Mbreti i mbretërve dhe Zotëria i zotërinjve, Ai që i vetmi e ka pavdekësinë, që banon në dritën e paafrueshme, të cilin asnjë njeri nuk e pa dhe asnjë njeri s’mund ta shohë. Atij i qoftë nderi dhe pushteti i amshueshëm! Amen! Fjala e Zotit.

ALLELUJA, alleluja.
Të lumët ju që tani keni uri, thotë Zoti, sepse do të ngiheni.
Alleluja.

Ungjilli Lk 16, 19-31

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Në atë kohë, Jezusi u tha farisenjve: “Ishte një njeri i pasur që vishej me cohë të kuqe e me pëlhurë të çmueshme dhe gostitej shkëlqimisht si një ditë për ditë. Kurse para derës së tij rrinte një skamnor, plot çibana, që quhej Lazër, që dëshironte të ngihej me dromcat që binin nga tryeza e pasanikut. Madje edhe qentë vinin e ia lëpinin varrët. Vdiq skamnori, e engjëjt e çuan në prehër të Abrahamit. Vdiq edhe pasaniku dhe e varrosën.
Në ferr, ndër mundime të mëdha, çoi sytë e pa prej së largu Abrahamin dhe Lazrin në prehrin e tij, e bërtiti: ‘O atë Abraham, ki mëshirë për mua e dërgoje Lazrin ta lagë majën e gishtit të vet në ujë e të ma flladisë gjuhën, se po mundohem për së tepërmi në këtë flakë.’ Abrahami i përgjigji: ‘Mos harro, o bir, se ti i gëzove të mirat e tua gjatë jetës sate, ndërsa Lazri të këqijat; tashti, ky këtu gëzon e ti vuan. Por, për më tepër, ndërmjet nesh e jush është një humnerë e madhe, kështu që, edhe ata që të donin të kalojnë prej këndej te ju, nuk munden, po ashtu edhe prej andej të kalojë këndej, s’mundet askush!’
Pasaniku vazhdoi: ‘Atëherë, po të lutem, o atë, çoje Lazrin në shtëpinë e tim et, se i kam pesë vëllezër e le t’i qortojë seriozisht që të mos vijnë edhe ata në këtë vend mundimesh.’ Abrahami i përgjigji: ‘Kanë Moisiun e profetët, le t’i dëgjojnë ata!’ Pasaniku i tha: ‘Jo, o atë Abraham, por nëse shkon ndokush prej të vdekurish tek ata, veç atëherë do të kthehen!’ I përgjigji: ‘Nëse, vërtet, nuk e dëgjojnë Moisiun e profetët, nuk do t’u mbushet mendja edhe nëse ndokush ngjallet prej të vdekurish’.” Fjala e Zotit.

Homelia nga dom Dritan Ndoci:

Homelia nga dom Dritan Ndoci:

E DIELA XXVI GJATË VITIT: NË FUND TË JETËS, DO TË GJYKOHEMI MBI DASHURINË.

(Am 6, 1. 4-7; Ps 146 (145); 1 Tim 6, 11-16; Lk 16, 19-31)

«Nuk ia di i ngishmi të unshmit.», thotë një proverb i popullit tonë për rastet e indiferencës së ndokujt përballë varfërisë ekstreme të ndokujt tjetër. Por, para Hyjit, kjo gjë nuk mund të pranohet. «Në fund të jetës sonë do të gjykohemi mbi dashurinë.», thoshte Shën Gjoni i Kryqit dhe shëmbëlltyra e sotme që Jezusi tregon e dëshmon këtë të vërtetë.

U bënë disa të diela rresht që në pjesët e Shkrimit Shenjt flitet për kujdesin që duhet të kemi në përdorimin e pasurisë. Si ka mundësi që Jezusi të ngulë këmbë kaq shumë në këtë temë? Mbase ngaqë përdorimi i pasurisë është një nga “detyrat” më delikate që mund të kemi në jetën tonë si të krishterë, sepse lakmimi i tepruar i pasurisë dhe rendja e tepruar pas saj, janë kërcënime kaq të holla në jetën e të krishterit, saqë atij i duhet një dashuri shumë e qartë ndaj Hyjit dhe një besim i madh në Provaninë e Tij që të mund t’i shpëtojë lakut të tyre. Prandaj Jezusi porosit shpesh në Ungjill: «Ruajuni fort prej lakmimit të pasurisë!». E sot në Ungjill Jezusi na flet për një tjetër rrezik të madh që pasuria mund të na sjellë: të harrojmë se bota ka njerëz të varfër.

Shëmbëlltyra e sotme flet për një njeri të pasur e për një tjetër të varfër. I pasuri kishte aq shumë, saqë «gostitej shkëlqimisht si një ditë për ditë», ndërsa i varfëri, që rrinte «para derës së tij», ishte aq në skam, saqë sëpaku «dëshironte të ngihej me dromcat që binin nga tryeza e pasanikut». E vetmja “pasuri” për të janë «qentë që ia lëpinin varrët». Paradoksi i madh është ky: para derës së dikujt që shpikte deri edhe raste boshe për të bërë gosti «si një ditë për ditë», gjendej një i varfër që po vdiste urie. E Jezusi e thekson dukshëm marrëzinë e pasa­nikut kur më bujar se atë konsideron qentë që vinin t’ia lëpinin plagët varfanjakut të shkretë. E dimë të gjithë shumë mirë se njeriu kundrejt njeriut mund të jetë shumë më i keq se një kafshë. «Sa më fort i njoh njerëzit, aq më shumë i dua kafshët.», ka thënë ndokush, i kapluar nga rebelimi ndaj së keqes që arrijnë të bëjnë disa njerëz. Pasanikut Jezusi nuk ia përmend emrin, ndërsa të varfrit po. Ai quhet Lazër. Shikimi i Jezusit mbi varfanjakun, emrin e të cilit ka merak ta theksojë dhe fakti se pasanikun e shikon gati si nga larg, gati si me vrazhdësi, duket sikur çon në vend atë që thotë Psalmi 137, 6: «I Lartë është Zoti e i shikon të përvujtët e prej së largu i dallon krenarët.» Ky detaj mund të na bëjë të mendojmë.

Edhe në leximin e parë Zoti është poaq i vrazhdë ndaj atyre që zhgryhen në pasuritë e veta e nuk janë në kujdes për nevojtarët: «Vaj për ata që janë të qetë në Sion, që janë të sigurtë në mal të Samarisë, që janë paria e më të parit komb, kah të cilët shkon shtëpia e Izraelit! Fjetur në shtretër asht elefanti, sa gjerë e gjatë të shtrirë në shtrojat e veta, hanë qengjat e njomë të grigjës e viça të zgjedhur të lorisë [...], e për rrënimin e Jozefit s’janë në kujdes!»

Sa i ashpër ishte Hyji me ata që jepeshin pas qejfeve e kënaqësive të kalueshme dhe kishin harruar se në popull kishte plakosur varfëria e mjerimi! Prandaj i kërcënonte me mërgim: «Prandaj tash në mërgim do të shkojnë, mu në krye të gjithë mërgimtarëve, do të pushojë shoqëria e të shfrenuarve.» Kështu do ta kuptojnë se sa e kotë dhe e rrejshme ishte pasuria që dikur zotëronin.

Edhe në Ungjillin e sotëm, pasi flitet për lumturinë e madhe të pasanikut e për mjerimin e varfanjakut, shëmbëlltyra merr një kthesë krejt tjetër: ai që dikur ishte në mjerim, shkon në lumturinë e Parajsës, ndërsa ai që në këtë jetë gëzonte i shfrenuar, shkon në mundimet e Ferrit: «Vdiq skamnori e engjëjt e çuan në prehër të Abrahamit. Vdiq edhe pasaniku dhe e varrosën. Në Ferr, ndër mundime të mëdha, i çoi sytë e pa prej së largu Abrahamin dhe Lazrin në prehrin e tij.»

Kujdes: kjo shëmbëlltyrë nuk dëshiron të thotë se të gjithë pasanikët do të shkojnë në Ferr, ndërsa të gjithë të varfrit do të shkojnë në Parajsë. Përndryshe do të kishin të drejtë disa folozofë të tetëqindës që i kritikonin të krishterët me këto fjalë: «Ju nuk keni arritur të jeni të parët në këtë botë, prandaj jeni ngushëlluar duke shpikur idenë se do të jeni të parët në Parajsë.» Kalendari i krishterë ka shumë shenjtër që kanë qenë shumë të pasur në jetë e nuk përfshin shumë të varfër që e kanë kaluar jetën në mjerim shumë të madh. Qëllimi i shëmbëlltyrës është që të tregojë se tragjedia më e madhe e atij që jepet i shfrenuar pas qejfeve të kësaj bote, është që të humbasë humanitetin e tij, që shprehet sidomos në afërsinë me nevojtarin. E, sikurse e thamë edhe në fillim, këtë Hyji nuk e pranon kurrsesi.

Jezusi pastaj flet për një bisedë mes pasanikut në mundime dhe Abrahamit në lumninë e Parrizit: «O atë Abraham, ki mëshirë për mua e dërgoje Lazrin ta lagë majën e gishtit të vet me ujë e të ma flladisë gjuhën se po mundohem për së tepërmi në këtë flakë».

Imazhet me të cilat na paraqitet Ferri, sigurisht që nuk duan të na tregojnë se si është i ndërtuar ai. Ferri nuk është edhe aq një vend flakësh, sepse diku tjetër Jezusi e përshkruan krejt ndryshe, si vend ku ka «vaj e kërcëllim dhëmbësh». Ferri nuk është as vend, por gjendje: gjendje e mungesës së Hyjit. E kjo është shumë më e rëndë se flakët apo diçka tjetër.

Përgjigjja që merr pasaniku nga Abrahami tregon pamundësinë e kthimit mbrapsht të asaj gjendjeje. Tragjedia e hidhur dhe e mistershme e Ferrit është pikërisht fakti që ai është i përjetshëm: «Ndërmjet nesh e jush është një humnerë e madhe, kështu që, edhe ata që të donin të kalojnë prej këndej te ju, nuk munden, po ashtu edhe prej andej të kalojë këndej, s’mundet askush.»

Atëherë pasaniku vazhdon: «Atëherë, po të lutem, o atë, çoje Lazrin në shtëpinë e tim eti, se i kam pesë vëllezër e le t’i qortojë seriozisht që të mos vijnë edhe ata në këtë vend mundimesh!» Abrahami i përgjigjet me fjalë mjaft domethënëse: «Kanë Moisiun e profetët, le t’i dëgjojnë ata!»

Ligji e Profetët janë për ta përgatitur Izraelin të kuptojë Personin e Krishtit, nëpër të cilin arrihet shëlbimi, prandaj meritojnë të dëgjohen. Jezusi, në mënyrë të tërthortë, po shpjegon edhe arsyen e vështirësisë për të besuar në Të nga ana e shumicës së parisë fetare në Izrael: po ta kuptonin realisht shpirtin e fjalëve të Ligjit e të Profetëve, do ta kuptonin më lehtë edhe Jezusin.

Pasanikut Abrahami i tha: «Kanë Moisiun dhe profetët, le t’i dëgjojnë ata». Sot botës do t’i thoshte: «Keni Kishën, dëgjoni atë». Kisha, me anë të Shkrimit Shenjt, të sakramenteve, të traditës kishtare të shpjeguar nga autoriteti i Magjisterit, na ndihmon t’i afrohemi Krishtit. Ne presim mrekullira të mëdha, ndërkohë që, rrugën në të cilën Krishti na e ka mundësuar t’i afrohemi lehtësisht, e nënvle­rësojmë!

Por pasaniku ngulte këmbë: «Jo, o atë Abraham, por nëse shkon ndokush prej të vdekurish tek ata, veç atëherë do të kthehen.» E këtu vjen në pah diçka tejet interesante dhe e rëndësishme. Përgjigjja që i jep Abrahami, në pamje të parë, duket shumë e cekët, por ka një thellësi të madhe. E ne, me zhvillimin e sotëm shkencor, mund ta kuptojmë edhe më mirë atë.

Abrahami i thotë: «Nëse, vërtet, nuk e dëgjojnë Moisiun e profetët, nuk do t’u mbushet mendja edhe nëse ndokush ngjallet prej të vdekurish.» Të mos harrojmë se farisenjtë dhe skribët, edhe Jezusit vazhdimisht i kërkonin shenja të mrekullueshme, duke i premtuar se atëherë do të kishin besuar në Të. E çuditshmja ishte se Jezusi i bënte vazhdi­misht mrekullitë, por ata vazhdonin të kërkonin të tjera. Pastaj është interesant fakti se këtu del në pah diçka që, mesa duket, paska qenë gjithmonë e pranishme në këtë botën tonë: sa e sa herë, kur u flasim njerëzve për ekzstencën e jetës së pasosur, edhe nëse na kanë dëgjuar me interes, në fund tërhiqen mbrapsht me ankesën se, tek e fundit, «askush s’ka ardhur prej andej për të na e treguar». Kërkojnë që dikush të vijë «prej andej». Çuditërisht kjo dëgjohet edhe ndër shumë të krishterë. Po a nuk është Hyji Ai që, «prej andej» na flet për ekzistencën e jetës së pasosur. Plus kësaj, a nuk është ngjallur së vdekuri Jezu Krishti? Përse atëherë vazhdojmë ta dyshojmë ekzi­stencën e botës së përtejme?!...

Megjithatë mund të themi pa frikë se, as sikur të na vinte ndonjë i vdekur «prej andej», nuk do të bënte që në ne të lindte feja. Shumë­kush do të fillonte ta quante të çmendur atë njeri që fillon të flasë gjëra të tilla. Madje edhe vetë personi do të fillonte të besonte se mos ndoshta ka qenë në gjumë apo se mos ka pasur haluçina­cione. E shkencat e sotme psikologjike na e vërtetojnë edhe më fort se këto gjëra janë të mundshme. E gjithë kjo do të thotë vetëm një gjë: nëse mrekullitë na gjejnë në kërkim të së mirës dhe në kërkim të vullne­sës së Hyjit në jetën tonë, atëherë na shtyjnë përpara; nëse jo, nuk kanë çfarë të na bëjnë edhe aq.

Le t’i hapemi, pra, Fjalës së Hyjit që neve sot na arrin nëpërmjet Kishës së Tij. Shën Pali, Timoteut dhe ne, na e tregon se pas cilave gjëra duhet të jepemi me gjithë shpirt: «Fort i dashur, jepu me gjithë shpirt mbas drejtësisë, përshpirtërisë, fesë, dashurisë, qëndresës, butësisë! Lufto luftën e mirë të fesë, fitoje jetën e pasosur!» Duke u dhënë mbas këtyre të vërtetave të mëdha, edhe ne do të jemi më syçelët ndaj nevojave të vëllezërve në nevojë.

Kështu, kur edhe për ne do të vijë dita «të gjykohemi mbi dashu­rinë», Hyji do të mund të gjejë dashuri edhe në ne.

 

Dom Dritan Ndoci

24 shtator 2022, 10:31