Kërko

Të rinjtë e "The Economy of Francesco" në Asizi Të rinjtë e "The Economy of Francesco" në Asizi

Economy of Francesco: ipeshkvi i Asizit, është koha për një ekonomi të re botërore

Dita e dytë e takimit të të rinjve ekonomistë në Asizi për “Economy of Francesco”. Sot, shtegtimi nëpër vendet e rëndësishme françeskane, ndërsa nesër, qyteti italian pret Papën Françesku, i cili do të nënshkruajë një Pakt me të rinjtë për një ekonomi të re. Ipeshkvi i Asizit nënvizon se “planeti duhet administruar me kapitalin e vëllazërimit”

R.SH. – Vatikan

Rreth njëmijë të rinj, ekonomistë, sipërmarrës e ekspertë të ndryshimeve botërore janë mbledhur që dje në Asizi për edicionin e tretë të “The economy of Francesco”, i pari që u lejoi pjesëmarrësve ta shohin njëri-tjetrin në sy, pas dy takimeve të mëparshme online, për shkak të pandemisë së Covid-19.

Dita e sotme në Asizi

Në pritje të ditës më të rëndësishme, 24 shtatorit – pra, ditës së nesërme – kur Papa Françesku do të arrijë në qytetin italian të Shën Françeskut e do të marrë pjesë në seancën e fundit të asamblesë në PalaEventi, e sotmja iu kushtua vizitës në vendet françeskane e në 12 “fshatrat” e organizuar brenda tyre, siç quhen hapësirat tematike si, për shembull, fshati “Ekonomia është grua” në Protokuvendin e Shën Kjarës. Hapësira të tjera, në vendet ku tani ngrihen bazilika, kisha e kuvende, që tregojnë për jetën e Shën Françeskut e të Shën Kjarës, u kushtohen “Bujqësisë e Drejtësisë”, “Financës e Njerëzimit”, “Jetës dhe Mënyrave të Jetesës”, “Punës dhe Kujdesit”, “Thirrjes në meshtari e Përfitimit”, “Politikave për lumturinë”, “Energjisë e Varfërisë” e shumë të tjerave. Pas vizitës në vendet e Shën Françeskut e në fshatrat e ndryshme, në orën 18.00, konferenca të hapura për të gjithë, me të rinj ekonomistë e sipërmarrës në dialog me ekspertë ndërkombëtarë për temat kryesore të Takimit si: ekonomia e ndërtuar nga të rinjtë; meritokracia, vlerësimi dhe universitetet; ekonomia e përkujdesjes; pakti i ri edukativ dhe ekonomik; vëllazërimi universal, etj.. Në mbrëmje, në orën 21, vizita me udhërrëfyes në Bazilikën e Shën Françeskut dhe në Bazilikën e Shën Marisë së Engjëjve.

Ipeshkvi i Asizit: të rinjtë dhe pakti me Papën

Në një intervistë për Radio Vatikanin – Vatican News, ipeshkvi i Asizit, imzot Domenico Sorrentino, nënvizon se “kjo është koha për një ekonomi të re botërore. Na e kërkojnë të rinjtë, në Asizi, për The Economy of Francesco”. “Këta të rinj na thonë se kjo është kohë e mundshme, pavarësisht nga kjo luftë e pabesueshme, që erdhi pas një pandemie kaq të ashpër. Të rinjtë na thonë se mund ta fitojmë betejën për paqen, për një botë më të drejtë e më të barabartë, për një ekonomi e shoqëri të re”. Por ta dëgjojmë vetë ipeshkvin e dioqezës së Asizit, Nocera Umbra e Gualdo Tadino, që flet me shpresë…

Është shpresë, që rrjedh nga feja: Papa ka besim tek të rinjtë, sepse beson në Zotin. Të rinjtë mund të jenë zëri, profecia e tij. Kemi nevojë të flasim me një gjuhë të re, e cila duhet të frymëzohet nga dëgjimi i orientimeve të mëdha, dhënë nga Fjala e Zotit. Më i madhi është dashuria, që i përmbledh të gjithë. E duhet të frymëzohet edhe nga dëgjimi i realitetit, një realitet që tmerron. Kemi një ekonomi që, në disa aspekte, rritet e zhvillohet. Po ashtu edhe teknologjia ka arritur nivele të jashtëzakonshme. Por është zhvillim i përqendruar në pak duar, ndërsa pjesa më e madhe e njerëzimit s’ia kalon dhe aq mirë. Janë miliona të varfrit, që s’kanë as minimumin, nuk kanë dinjitet. E pastaj, kemi një planet, që vuan e kërkon ndihmë. Po i provojmë të gjithë pasojat e skajshme të kësaj mungese respekti. Papa Françesku vjen këtu me shpresën që të rinjtë ekonomistë dhe sipërmarrësit, duke u impenjuar gjatë gjithë jetës, ta shqyrtojnë ndërgjegjen dhe të nënshkruajnë një pakt. Një pakt ndërmjet tyre dhe Papës.

Ati i Shenjtë Bergoglio mbërrin në Asizi nesër paradite, duke u nisur nga Vatikani në orën 9.00. Pritet në qytetin e Umbrias, në orën 9.30. Do të shkojë menjëherë në Pala-Eventi, ku do të ketë një çast artistiko-teatral, do të dëgjojë dëshmitë e tetë të rinjve dhe do t’u drejtojë të gjithëve fjalën e tij. Në fund, do të nënshkruajë Paktin me të rinjtë. Në orën 12.15 pritet të kthehet në Vatikan.

23 shtator 2022, 12:39