Digjet një kishë në Kamerun, merren peng tetë vetë
R.SH. – Vatikan
Nuk ndalet dhuna kundër katolikëve në disa vende të kontinentit afrikan. Dje, i takoi Kamerunit të pësojë një sulm tjetër nga ekstremistët, të cilët dogjën kishën e Shën Marisë në Nchang, dioqeza e Mamfe-s dhe rrëmbyen tetë vetë: pesë meshtarë, një murgeshë e dy besimtarë laikë. Ende asnjë lajm për fatin e tyre.
Kameruni, si shumë vende të tjera afrikane
Jo më larg se dhjetë ditë më parë, terroristët i vunë zjarrin edhe misionit katolik të Chipene-s, në Mozambik. Gjatë sulmit, u vra murgesha misionare, Maria De Coppi, të cilën e pati përmendur edhe Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot. Por dhuna e këtij lloji është në rendin e ditës edhe në Nigeri, në Burkina Faso, në Kongo - vetëm disa prej vendeve, që mbahen peng nga xhihadistët.
Ipeshkvijtë shprehin shqetësim e dënojnë dhunën
Ipeshkvijtë e rajonit të Kamerunit, ku ndodhet kisha e djegur, shprehën “shqetësimin dhe tronditjen e tyre të madhe” për “këtë akt pa precedent e krejtësisht të pamotivuar”. Duke kujtuar se dhuna kundër popullsisë vijon që nga viti 2016, prelatët dënuan sulmet e shpeshta kundër Kishës Katolike e klerit të saj, por theksuan se me këtë akt në Mamfe, “është kaluar masa”. Konferenca Ipeshkvnore kërkon “lirimin e menjëhershëm” të të rrëmbyerve, duke nënvizuar se agresorët dhe bashkëpunëtorët e tyre “kanë vepruar kundër Zotit e jo vetëm kundër njerëzve. Askush s’ka fituar kurrë ndër ata, që kanë luftuar kundër Zotit”.
Denoncimi i Fondacionit papnor “Ndihmë për Kishën që vuan”
Lajmin për këtë sulm e dha Fondacioni papnor “Ndihmë për Kishën që vuan”. “Është rasti i fundit dramatik i persekutimit kundër të krishterëve në një kontinent afrikan gjithnjë e më të radikalizuar. Deri para pak vitesh, në Kamerun – shpjegon drejtori i Fondacionit për Italinë, Alessandro Monteduro – nuk kishte probleme bashkëjetese ndërmjet bashkësive fetare. Gjendja ndryshoi në vitin 2015 me forcimin e grupeve fetare radikale në rajonin e Sahelit, grupe me ideologji wahabite e salafite, si Boko Haram. Ata u përhapën në veriperëndim dhe në jugperëndim të Kamerunit nga Nigeria dhe nga Çadi, duke u bërë kërcënim për tolerancën dhe për lirinë fetare, që mbretërojnë historikisht në vend. Nga viti 2016 e deri më sot, dhuna në këto zona ka shkaktuar vdekjen e më se 3.000 vetëve, si civilë, ashtu edhe ushtarakë, duke i detyruar rreth 700 mijë vetë të shpërngulen nga shtëpitë e tyre. Gjithçka, në heshtjen e përgjithshme të bashkësisë ndërkombëtare”, denoncon Fondacioni “Ndihmë për Kishën që vuan”.