Çelësi i fjalëve të Kishës: “në emër të Zotit, të impenjohemi për paqen”
R.SH. – Vatikan
Terrorizmi s’ka të bëjë aspak me fenë. Akoma jehojnë fjalët e Papës Françesku në Kazakistan, në përfundim të Kongresit VII të Krerëve të Feve Botërore e Tradicionale, që u mbajt në Astana, më 14 e 15 shtator. Ati i Shenjtë foli për këtë udhëtim të tij apostolik edhe dje, gjatë audiencës së përgjithshme. Nga Kongresi doli një Deklaratë përfundimtare, në të cilën theksohet se “ekstremizmi, radikalizmi, terrorizmi dhe çdo nxitje tjetër për urrejtje, armiqësi, dhunë e luftë, çfarëdo motivacioni apo objektivi të kenë, nuk kanë të bëjnë aspak me frymën e vërtetë fetare dhe duhet të refuzohen me vendosmëri: duhen dënuar me çdo kusht”. Pikërisht kësaj Deklarate ia kushtojmë emisionin e sotëm dhe disa nga emisionet e ardhshme, për të vënë edhe një herë në dukje temat qendrore, të cilat japin mjaft material për reflektim, sidomos për shqiptarët dhe për modelin e tyre të bashkëjetesës fetare, i cili nuk është i dhënë një herë e përgjithmonë, prandaj, duhet ruajtur e ushqyer.
Ditët e punimeve të Kongresit u përjetuan në një çast historik të vështirë për botën, “mbi të cilën, përveç pandemisë, rëndon edhe çmenduria e pakuptimtë e luftës. Ka tepër urrejtje e përçarje, tepër mungesë dialogu dhe mirëkuptimi: kjo, në botën e globalizuar, bëhet edhe më e rrezikshme e shkandulluese”, pohoi Ati i Shenjtë në Kazakistan. Motoja e Kongresit ishte “Lajmëtarë të paqes e të bashkimit”, në numrin shumës, vërejti Papa, sepse duhet të veprojmë e të ecim së bashku. “Nuk mund të shkojmë përpara të lidhur, por të ndarë; të ndërvarur, por të përçarë nga tepër pabarazi”. Kjo ngjarje, frymëzuar nga Dita e Lutjes për Paqen, dëshiruar nga Papa shenjt Gjon Pali II në Asizi, në vitin 2002, për të ripohuar kontributin pozitiv të traditave fetare në dialogun dhe pajtimin ndërmjet popujve pas atentateve terroriste të 11 shtatorit 2001, ka sjellë në kryeqytetin kazak - nga viti 2003, çdo tre vite - personalitete të shquara nga të gjitha vendet e botës. E Kongresi VII, shpjegoi Papa Françesku, është i rëndësishëm pikërisht sepse “terrorizmi me natyrë pseudo-fetare, ekstremizmi, radikalizmi, nacionalizmi i veshur me shenjtëri, shkaktojnë ende frikë dhe shqetësim ndaj fesë”.
Së bashku, në Deklaratën përfundimtare, krerët fetarë pohuan se “respekti dhe mirëkuptimi i ndërsjellë duhet të konsiderohen thelbësorë dhe të pandashëm nga mësimi i fesë”. Përveç kësaj, nevojitet një lidhje e shëndoshë ndërmjet politikës dhe fesë, “dallim ndërmjet tyre, por jo konfuzion e as ndarje”. Duke pasur parasysh shqiponjën, simbol edhe i Kazakistanit, Ati i Shenjtë nënvizoi se kjo është “për të mirën e njeriut, i cili, ashtu si shqiponja, ka nevojë për një qiell të lirë, ku të fluturojë, për një hapësirë të lirë e të gjerë deri në pafundësi, të pakufizuar nga pushteti tokësor. Për një transhendecë që, nga ana tjetër, t’i rezistojë tundimit për t’u shndërruar në pushtet, përndryshe qielli do të binte rrokull në tokë, hyjnorja do të mbërthehej në prangat e së sotmes tokësore, dashuria për të afërmin në vendime të pjesshme” sipas interesave personale.
Deklarata dënon persekutimet, të cilat janë të shumta, edhe sot, kujtoi Papa, duke u kërkuar me forcë “qeverive dhe organizatave ndërkombëtare kompetente t’i ndihmojnë grupet fetare dhe bashkësitë etnike, që kanë pësuar dhunimin e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore, si edhe dhunë nga ana e ekstremistëve dhe terroristëve, edhe si pasojë e luftërave dhe konflikteve ushtarake”.
Liria fetare nuk mund të jetë koncept abstrakt. “Udha e dialogut ndërfetar – shpjegoi Françesku, duke shqyrtuar një për një pikat e Deklaratës përfundimtare të Kongresit në Astana – është udhë e përbashkët e paqes dhe për paqen e, si e tillë, është e nevojshme dhe e pakthyeshme. Dialogu ndërfetar nuk është më vetëm një mundësi, jo, është shërbim urgjent dhe i pazëvendësueshëm për njerëzimin”.
Pikë e përbashkët e të gjitha feve është gjithnjë njeriu. Sot, nënvizoi Papa Françesku, njeriu është edhe “udha” e përbashkët e të gjitha feve: “njeriu konkret, i ligështuar nga pandemia, i përkulur nga lufta, i plagosur nga indiferenca!” E atëherë, kur duhen marrë vendime të rëndësishme, “duhet parë më shumë njeriu e jo objektivat strategjike dhe ekonomike, interesat kombëtare, energjitike e ushtarake”, theksoi Ati i Shenjtë në Kazakistan.
Papa kërkoi edhe mbrojtjen e fëmijëve, të të rinjve, të të moshuarve, të familjeve e sidomos, të grave, por për këtë pjesë të fjalimit të tij në Kongresin VII të Krerëve të Feve Botërore e Tradicionale, do t’ju flasim në emisionin e ardhshëm.