Kërko

Lindja e Shën Marisë Virgjër, Pietro Cavallini, 1291-1296 Lindja e Shën Marisë Virgjër, Pietro Cavallini, 1291-1296

Çelësi i fjalëve të Kishës: Lindja e Shën Marisë

Festa e Lindjes së Shën Marisë, që Kisha Katolike e kremton më 8 shtator, u njoh në Perëndim me dëshirën e Papës Sergji I, i cili ndoqi gjurmët e traditës lindore. Lindja e Virgjërës Shenjte lidhet ngushtë me ardhjen e Mesisë, si premtim, përgatitje e fryt i shëlbimit. Dritë, që i paraprin lindjes së diellit të drejtësisë, Maria i kumton paraprakisht botës gëzimin për ardhjen e Shëlbuesit

R.SH. – Vatikan

Më 8 shtator, Kishat lindore dhe perëndimore festojnë lindjen e Virgjërës Mari, Nënës së Jezu Krishtit Zot. Burimi i parë, që dëshmon për këtë ngjarje është i ashtuquajturi Protoungjill i Jakobit, sipas të cilit Maria lindi në Jerusalem në shtëpinë e Joakinit dhe të Anës. Këtu në shekullin e katërt u ndërtua bazilika e Shën Anës dhe në ditën e kushtimit të saj u kremtua lindja e Nënës së Zotit. Më pas, festa u shtri edhe në Kostandinopojë, ndërsa në Perëndim filloi të kremtohej me dëshirën e Papës Sergji I, me origjinë siriane. “Hyji në gjithçka bashkëpunon me ata që e duan, me ata që, me vendimin e tij, janë të thirrur”: ky verset i Shën Palit (Rom 8,28) pothuajse parafrazohet nga Dante Alighieri, kur në Komedinë e tij Hyjnore e quan Marinë “kshill i amshuem cak i vendosun mirë”.

Cili është kuptimi teologjik?

Që prej amshimit, Ati Qiellor punon për përgatitjen e të Gjithëshenjtes, të Asaj që do të bëhej nëna e Birit të tij, tempull i Shpirtit Shenjt. Gjeneaologjia e Jezusit, propozuar nga Ungjilli sipas Mateut, arrin pikën kulmore në shprehjen: “Jozefi, fati i Marisë, prej së cilës lindi Jezusi i quajtur Krisht”. Pra, me Marinë erdhi ora e Davidit përfundimtar, ora e vendosjes së plotë të Mbretërisë së Zotit. Me lindjen e saj, merr formë kraharori, që njerëzimi i ofron Hyjit për mishërimin e Fjalës në historinë njerëzore. Maria e sapolindur është, së fundi, edhe simbol i njerëzimit të ri, nga i cili Biri i Zotit do ta shkulë zemrën prej guri, për t’i dhuruar një zemër prej mishi, që u bindet urdhërimeve të Hyjit me dëshirë.

Një festë që kujton lindjen e Krishtit

Duke nderuar lindjen e Nënës së Zotit kuptojmë qëllimin e vërtetë të kësaj ngjarjeje, që është mishërimi i Fjalës. Në fakt, Maria lindi, u ushqye dhe u rrit për të qenë Nëna e Mbretit të shekujve, Nëna e Zotit. Kjo është arsyeja pse vetëm për Marinë (përveçse për Shën Gjon Pagëzuesin e, natyrisht, edhe për Krishtin) nuk festohet vetëm “lindja për Qiell”, siç ndodh për shenjtorët e tjerë, por edhe ardhja në këtë botë. Në të vërtetë, mrekullia e kësaj lindjeje nuk qëndron në çka rrëfejnë Ungjijtë apokrifë, me hollësi të shumta e, edhe me pak naivitet, por në hapin e rëndësishëm, që bën Zoti para kësaj lindjeje, duke zbatuar planin e tij të përjetshëm të dashurisë.

“Maria, tempulli i Fjalës së mishëruar”

Për këtë arsye, Etërit e Kishës i kushtojnë lavde madhështore festës së sotme. Shën Pier Damiani, në Predikimin e tij të dytë për Lindjen e Marisë, shkruan: “Zoti i Plotfuqishëm, para se njeriu të binte, e parashikoi rënien e tij dhe para të gjithë shekujve, vendosi për shëlbimin e tij. Vendosi kështu, të mishërohej në Marinë”. “Sot është dita kur Zoti fillon ta zbatojë planin e tij të përjetshëm, pasi duhej të ndërtohej shtëpia, para se Mbreti të zbriste për të banuar në të. Shtëpi e bukur, pasi, nëse Urtija ndërtoi një shtëpi me shtatë shtylla të punuara me art, ky pallat i Marisë mbështetet mbi shtatë dhuratat e Shpirtit Shenjt. Salomoni kremtoi solemnisht përurimin e një tempulli prej guri.

Si do ta festojmë lindjen e Marisë, tempullin e Fjalës së Mishëruar? Atë ditë, lavdia e Zotit zbriti mbi tempullin e Jerusalemit në formën e një reje, që e errësoi. Zoti, që e bën diellin të shkëlqejë në qiell, zgjodhi errësirën për të banuar mes nesh (1 Mbret 8,10-12), tha Salomoni në lutjen e tij drejtuar Hyjit. Ky tempulli i ri do të mbushet nga po ai Zot, që vjen për t’u bërë drita e kombeve”. “Errësira e jobesimtarëve dhe mungesa e fesë nga ana e judenjve, përfaqësuar nga tempulli i Salomonit, pasohen nga një ditë e shdritshme në tempullin e Marisë. Është e drejtë, pra, t’i këndojmë kësaj dite dhe Asaj, që është lindur në të”.

08 shtator 2022, 08:54