Kërko

caritas caritas

Caritas Algjeria përfundon aktivitetet me urdhër të autoriteteve algjeriane

Kisha Katolike në Algjeri njofton me keqardhje mbylljen, duke filluar nga data 1 tetor 2022, të të gjitha aktiviteteve dhe punëve bamirëse të realizuara nga Caritas Algjeria. Mbyllja "e plotë dhe përfundimtare" njoftohet në një deklaratë nga Kryedioqeza e Algjerit e nënshkruar nga Imzot Paul Desfarges, Kryeipeshkёv nderi i Algjerit dhe President i Shoqatës dioqezane të Algjerisë.

R.SH. - Vatikan

Kisha Katolike në Algjeri njofton me keqardhje mbylljen, duke filluar nga data 1 tetor 2022, të të gjitha aktiviteteve dhe punëve bamirëse të realizuara nga Caritas Algjeria. Mbyllja "e plotë dhe përfundimtare" njoftohet në një deklaratë tё Kryedioqezёs sё Algjerit e nënshkruar nga Imzot Paul Desfarges, Kryeipeshkёv nderi i Algjerit dhe President i Shoqatës dioqezane të Algjerisë.

Në njoftimin për shtyp, shkruar me ton të thatë dhe pa akuza e pa polemika, thuhet se masa drastike është marrë në përputhje me kërkesën e autoriteteve publike algjeriane. “Natyrisht – thuhet në tekst – Kisha Katolike i qëndron besnike misionit të saj bamirës në shërbim të vëllazërisë”, në bashkim “me të gjithë njerëzit vullnet mirë”.

Deklarata për shtyp vazhdon duke cituar fjalët hyrëse të Dokumentit mbi ‘Vëllazërinë Njerëzore për Paqen Botërore dhe Bashkëjetesën e Përbashkët’, nënshkruar më 4 shkurt 2019 në Abu Dabi nga Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al Azharit, Ahmed al Tayyeb: "Feja e shpie besimtarin të shohë tek tjetri një vëlla për të mbështetur dhe pёr ta dashur. Me besimin në Zotin, i cili krijoi universin, krijesat dhe të gjitha qeniet njerëzore - të barabartë para Mëshirës sё Tij Hyjnore - besimtari ёshtё i thirrur ta shprehë këtë vëllazëri njerëzore, duke ruajtur krijimin dhe gjithë universin e duke mbështetur çdo njeri, veçanërisht më nevojtarët dhe më të varfërit”.

"Kisha Katolike - përfundon deklarata e nënshkruar nga Kryeipeshkvi nderit i Algjerit Imzot Paul Desfarges - dëshiron t’i falënderojë të gjithë njerëzit që kanë kontribuar gjatë viteve, në mënyra të ndryshme, për ta bërë këtë vepër të gjallë në shërbimin e të më të cenuarve dhe të mbarё popullit algjerian". Nismat e Caritas Algjeria janё menduar, programuar dhe zbatuar për të mirën e shtresave më nevojtare të popullit algjerian, 97 për qind e personave tё ndihmuar nga ky organizëm i Kishёs katolike qё ёshtё Caritasi janё tё besimit Islam. Caritas Algjeria ёshtё interesuar e ka punuar edhe me fenomenin e emigrantëve, duke ndihmuar, në mёnyrё tё hapur  e transparente, veçanërisht të sëmurët dhe të miturit me nisma humanitare dhe pa marrë asnjëherë tone, qёndrime apo mbështetur mobilizimet politike.

Urdhri për mbylljen e aktiviteteve të Caritas Algjeria është marrë nga autoritetet algjeriane pa u dhënë asnjё arsye zyrtare të detajuar për këtë masë Ipeshkvijve të Kishës Katolike të Algjerisë.

(nga Agenzia Fides)

27 shtator 2022, 15:23