Kërko

 San Venceslao Duca di Boemia, martire San Venceslao Duca di Boemia, martire

Më 28 shtator kalendari kishtar kujton shën Vençeslaun, martir

Vençeslau, Mbret, jetoi në shekullin X, pati guximin të vinte përpara Mbretërinë e Qiellit, më tepër se pushtetin tokësor. Vençeslau vdiq si martir për Krishtin. Është interesant të vihet re se vëllai Boleslav, duke e vrarë, arriti të hipë në fronin e Pragës, por kurora mbretërore që pasardhësit e tij do të mbanin në kokë nuk mban emrin e tij. Mban emrin e Vençeslaut, duke dëshmuar se ‘froni i mbretit që i gjykon të varfrit me drejtësi mbetet në amshim

R.SH. - Vatikan

 Shën Vençeslau, pajtor qiellor i kombit çek, i cili la një trashëgiminë të çmueshme shpirtërore. Vençeslau, Mbret që pati guximin të vinte përpara Mbretërinë e Qiellit, më tepër se pushtetin tokësor. Mbreti bohem e dha jetën për të ndjekur me besnikëri Krishtin, duke na kujtuar se lumturia e vërtetë është në Krishtin, pushteti i botës është, shpesh, i trishtë dhe jetëshkurtër.

Vençeslau, ishte princ i Bohemisë, jetoi në shekullin X. U rrit dhe u edukua nga e gjyshja, Shën Ludmilla, e cila u vra për shkak të fesë së saj nga e reja, Drahomira, nëna e Vençeslaut. Ishte tepër i ri e megjithatë tepër i kulturuar, kur zuri vendin e të atit në fron, pas një periudhe kundërshtimesh nga ana s’ëmës, që donte t’ia dorëzonte principatën djalit të dytë, Boleslaut. E ajo vijoi ta nxiste aq shumë urrejtjen e Boleslaut, sa ta bënte kain - vrastar. 

Ndërkaq Shenjti, i rritur në oborrin mbretëror të vendlindjes e edhe vetë mbret, ëndërronte gjithnjë të bëhej murg. E jetoi si murg, edhe pse i ulur mbi një fron mbretëror. Bëri shumë për ungjillëzimin e vendit, duke thirrur për këtë qëllim edhe misionarë gjermanë e duke u përpjekur ta afronte sa më shumë Boheminë me Evropën perëndimore e me kulturën e saj, ndonëse nuk qenë të pakta vështirësitë që hasi në këtë rrugë. U bë kështu model i guximit fisnik.

Gjatë luftës me një nga dukët e Bohemisë, Vençeslau i propozoi t’i zgjidhnin mosmarrëveshjet me duel ndërmjet tyre, në mënyrë që të mos rrezikonin jetën e ushtarëve. Armiku u pajtua me të e mosmarrëveshja u zgjidh bujarisht. Mosha e re e stili i sundimit e bënë model për shumicën e nënshtetasve, të cilët nisën ta nderonin e ta përkrahnin, sepse qe mjeshtër në ushtrimin e drejtësisë. Nën sundimin e tij çdo njeri, sado i varfër e i pambrojtur të ishte, gjente dikënd që ta dëgjonte e t’ia zgjidhte problemet. Ishte aq i mirë, sa për t’u dashur fort, por edhe për t’u urryer fort nga njerëzit e këqij, të cilët i tërbon mirësia.

Pikërisht popullariteti i madh bëri të ngrihej kundra tij – për shkaqe feje e sundimi – një pjesë e fisnikërisë, që ndoqi vëllain e dytë, Boleslaun, i cili vijonte të ëndërronte fronin mbretëror. Më 28 shtator të vitit 929, në sa ishte gjunjëzuar për të thënë uratët e mëngjesit në kështjellën Starà Boleslav, u sulmua nga të përbetuarit e mbledhur rreth Boleslaut. Iu desh të mbrohej nga shpata e të vëllait, të cilin do ta kishte vrarë, po t’ia lejonte shpirti i tij thellësisht i krishterë.

Në sa ia falte jetën e fajin, ra vetë nën teh të shpatës të të përbetuarve. E ky qe akti i fundit i madhështisë së tij shpirtërore. Trupi i Vençeslaut, që kishte filluar menjëherë të nderohej si shenjt, u mbart në Pragë e u varros në Kishën e Shën Vitos, ndërtuar prej vetë Princit. Shembulli i jetës së tij të krishterë, që përfundoi me martirizim, i dha një shtytje të re ungjillëzimit të nënshtetasve e ai vetë u bë simbol i shtetit bohem.

28 shtator 2022, 09:35