Kërko

Vullnetarët e Bashkësisë së Shën Egjidit me të sëmurët psiqikë Vullnetarët e Bashkësisë së Shën Egjidit me të sëmurët psiqikë

Vera e Bashkësisë së Shën Egjidit në Shqipëri, me të sëmurët psiqikë

Më se 70 vetë të Bashkësisë së Shën Egjidit, po e kalojnë verën në Tiranë, Kavajë, Elbasan dhe në disa fshatra të veriut të Shqipërisë, me të sëmurët e spitaleve psikiatrike dhe me të moshuarit e fëmijët e shtruar në disa institute. Të ashtuquajturat “Shtëpi të Kuqe” të kësaj Bashkësie janë kthyer në një model alternativ për kujdesin ndaj të sëmurëve psiqikë, të cilët, deri tani, thjesht shtroheshin nëpër spitale psikiatrike, ende të pranishme në vend

R.SH. - Vatikan

Nga qytete të ndryshme të Italisë, më se 70 vetë të Bashkësisë së Shën Egjidit, po e kalojnë verën në Tiranë, Kavajë, Elbasan dhe në disa fshatra të veriut të Shqipërisë, me të sëmurët e spitaleve psikiatrike dhe me të moshuarit e fëmijët e shtruar në disa institute. Përtërihet kështu një miqësi, që zgjat prej më se 30 vitesh e ka vijuar të jetë e tillë edhe në kohët e vështira të pandemisë.

Bashkësia e Shën Egjidit me të sëmurët psiqikë, Shqipëri
Bashkësia e Shën Egjidit me të sëmurët psiqikë, Shqipëri

Shtëpitë e Tiranës e të Kavajës

         Të parët, që takuan anëtarët e Bashkësisë së Shën Egjidit, ishin njerëzit me sëmundje mendore, në shtëpitë e Tiranës dhe të Kavajës. Këtë vit, përveç pushimeve tradicionale në plazh, ata kaluan edhe disa fundjave në mal, në zonën e Dajtit. “Gëzim i veçantë – shkruhet në faqen e internetit të Bashkësisë së Shën Egjidit - ishte ardhja, në ditët e para të korrikut, në shtëpinë e kuqe në Tiranë, të personit me inciale G, shtruar në spitalin psikiatrik të Elbasanit në moshën 18-vjeçare, ku qëndroi për 10 vjet, pasi nuk kishte as familje e as shtëpi”. Gjatë dy viteve të fundit, sqarohet në faqen e internetit, 11 vetë janë larguar nga spitalet, për t’u strehuar në shtëpitë e Bashkësisë. Janë dy burra dhe nëntë gra: njëra prej tyre, pas një periudhe në Kavajë, mundi të kthehej në familjen e saj, pranë të shoqit dhe fëmijëve; ndërsa një tjetër filloi të punonte si asistente kuzhiniere në një institucion për të moshuarit, pasi ndoqi një kurs rajonal gatimi në Durrës.

Bashkësia e Shën Egjidit me të sëmurët psiqikë, Shqipëri
Bashkësia e Shën Egjidit me të sëmurët psiqikë, Shqipëri

Model alternativ për kujdesin ndaj të sëmurëve psiqikë

         Janë të shumta historitë e lirimit dhe të përfshirjes, që përjetohen në të ashtuquajturat “Shtëpi të Kuqe”. Falë mbështetjes dhe bashkëpunimit me Ministrinë e Shëndetësisë së Shqipërisë, këto shtëpi - që prej 3 vitesh kur u nënshkrua marrëveshja ndërmjet kësaj ministrie dhe Bashkësisë së Shën Egjidit - janë kthyer në një model alternativ për kujdesin ndaj të sëmurëve psiqikë, të cilët, deri tani, thjesht shtroheshin nëpër spitale psikiatrike, ende të pranishme në vend, pa menduar se mund t’i japin akoma diçka shoqërisë. Në faqen e internetit të Bashkësisë së Shën Egjidit mund të lexohen histori të shumta për mënyrën si u ka ndryshuar jeta e, edhe shpresat për të ardhmen, disa prej këtyre njerëzve, që përjetojnë një model të ri, i cili i konsideron protagonistë të ekzistencës së tyre dhe të të tjerëve. Vullnetarët e mbërritur nga Italia i përfshijnë ata dhe të tjerët nëpër spitale (vetëm në spitalin “Sadik Dinçi” të Elbasanit janë shtruar 320 vetë) në veprimtari të ndryshme, në lojra e në lutje.

12 gusht 2022, 14:40