Kërko

Porta e ngushtë Porta e ngushtë

Të meditojmë me Ungjillin e Dielës së 21-të të vitit kishtar: të fundmit do të jenë të parët

Porta e ngushtë është mjeti për të dalë nga angështia e një bote pa dashuri; është hapja drejt një dashurie pa kufi, drejt faljes e mëshirës. E Krishti sot na thotë se të fundmit e kësaj bote do të jenë të parët e asaj bote

R.SH. - Vatikan

Përpjekja për të hyrë në Mbretërinë e Zotit “nga porta e ngushtë”, në qendër të Ungjillit të së dielës XXI të vitit kishtar, marrë nga shën Luka (13,22-30). Është përpjekje për të ndjekur udhën e Jezu Krishtit, udhën drejt Jeruzalemit, drejt Kalvarit, që është vetëm një etapë e jetës. Nëse shkojmë në Varrin e Krishtit në Jeruzalem, vërejmë se hyrja është e ulët dhe e ngushtë, ambienti brenda është i errët e i vogël, por pikërisht prej këtij vendi, ringjallja, me gjithë fuqinë e saj të parezistueshme, zhvendos gurët dhe hap varret, duke e mbushur botën me dritë e jetë. Porta e ngushtë është mjeti për të dalë nga angështia e një bote pa dashuri; është hapja drejt një dashurie pa kufi, drejt faljes e mëshirës. E Krishti sot na thotë se të fundmit e kësaj bote do të jenë të parët e asaj bote. Të ndjekim pjesën ungjillore…

Në atë kohë, në udhëtim për Jerusalem Jezusi kalonte duke mësuar nëpër qytete e fshatra. Një njeri e pyeti: “Zotëri, a janë pak ata që shëlbohen?” Ai u tha: “Mundohuni të hyni nëpër derë të ngushtë, sepse, unë po ju them: shumë do të kërkojnë të hyjnë, por nuk do të munden. Kur i zoti i shtëpisë do të çohet e do ta mbyllë derën, ju, po mbetët përjashta, do të filloni të trokitni në derë e të thoni: ‘Zotëri, na e hap derën!’ e ai do t’ju përgjigjë: ‘S’di nga jeni!’ Atëherë do të vijoni të thoni: ‘Po ne hëngrëm e pimë me ty e ti mësove ndër sheshe tona!’ Por ai do të përgjigjë: ‘Unë nuk di nga jeni ju! M’u hiquni sysh të gjithë ju që bëni paudhësi!’

Atje do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh, kur t’i shihni Abrahamin, Izakun, Jakobin dhe të gjithë profetët në Mbretërinë e Hyjit e veten të hedhur përjashta. E do të vijnë nga lindja e nga perëndimi, nga veriu e nga jugu, dhe do të ulen në tryezë në Mbretërinë e Hyjit. Po se, ka të fundit që do të jenë të parët, e të parë që do të jenë të fundit!”

Të lutemi së bashku

Nëse na gënjen mendja se kemi të drejtë

për një vend të privilegjuar në Mbretërinë e Zotit

vetëm sepse që të vegjël

jemi mbrujtur e rritur me kulturë të krishterë,

ose pse jemi miq me ndonjë meshtar a ndonjë murgeshë,

do të zhgënjehemi sa s’ka ku të vejë më.

 

E as nuk do të na mjaftojë, o Jezus,

njohja e thellë e traditave katolike,

pjesëmarrja në meshë, herë pas here,

dëgjimi i Fjalës tënde.

Gjërat me rëndësi janë krejt të tjera.

 

Ungjilli yt nuk është ndonjë distinktiv

për t’u vënë në këmishë,

as uniformë për t’u veshur në raste të shënuara,

as ndonjë kartelë për t’u treguar

kur kalon para rojes në vende eskluzive,

ose ndonjë lejekalim që të jep të drejtën

të hysh pa probleme në Mbretërinë tënde.

 

Lajmi i Mirë që solle është i tillë vetëm kur vihet në jetë,

nëse bëhet mishi e gjaku i ekzistencës tonë,

nëse na i ndryshon vendimet

nëse na bën të sillemi ndryshe,

duke dëshmuar dashurinë e drejtësinë,

vëllazërimin e mëshirën.

 

Kjo është thelbësorja, prandaj

Ti na paralajmëron për të papritura të mëdha

kur dukja do t’i lërë vendin realitetit:

atëherë, do të ketë të parë, që do të bëhen të fundmë

e të fundmë, që do të marrin vendin e të parëve.

20 gusht 2022, 08:10