Kërko

Vangelo della XX DOMENICA DEL TEMPO ORDINARIO (Anno C) Vangelo della XX DOMENICA DEL TEMPO ORDINARIO (Anno C)

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës së 20-të të vitit kishtar

Njerëzit do të dëshironin që Ti, o Jezus/të ishe zjarrfikës i përjetshëm,/Ai që u jep fund vështirësive,, /që zbut ndarjet, /që u vë fre, ose i zgjidh konfliktet. /E Ti, përkundrazi, u thua se je zjarrvënës: /se ke ardhur për të sjellë zjarr e flakë mbi tokë, /se dëshiron të ndezësh e jo të shuash,/… Do të dëshironin që Ti, o Jezus, /të ishe ndërtues i një paqeje “me çmim të ulët”, /që e lë gjendjen të paprekur, /Por Ti erdhe t’ia ndryshosh/faqen botës, /ta shndërrosh historinë tonë...

R.SH. - Vatikan

Ungjilli i kësaj sё diele të 20-të të vitit kishtar ‘C’ nga Luka, na jep një mesazh, që në dukje, ngjan i çuditshëm. Jezu Krishti thotë: “Nuk erdha të sjell paqen në tokë, por përçarjen”. Por le ta ndjekim njё fragment nga Ungjilli sipas Lukës (Lk 12,49-57), për të kuptuar pse Jezusi shprehet në këtë mënyrë kaq tё veçantё:

Nё atё kohё Jezusi tha: ‘Erdha të sjell zjarrin mbi tokë e sa dëshiroj të ishte tashmë i ndezur flakë! E po, më duhet të pagëzohem me pagëzim, e sa ngushtë jam derisa të kryhet. A kujtoni se erdha të sjell paqen mbi tokë? Jo, po ju them, por përçarjen!  Qysh tash, për të vërtetë, pesë anëtarë në një shtëpi, do të jenë të ndarë: tre kundër dyve dhe dy kundër treve:  baba do të zihet me djalë, e djali me babën; nëna me të bijën, e bija me t’ëmën; vjehrra me të renë dhe e reja me të vjehrrën’.

Mandej iu drejtua turmës: ‘Kur shihni renë se çohet në perëndim, përnjëherë thoni: ‘Do të vijë shi’, dhe ashtu ndodh.  Kur shihni se fryn shiroku, thoni: ‘Do të jetë vapë’, dhe bën vapë.  Shtiracakë! Dukën e tokës e të qiellit dini ta çmoni, por këtë kohë nuk dini?!  Përse ju vetë nuk gjykoni vetvetiu ç’është e drejtë?!”. 

Të lutemi së bashku:

Njerëzit do të dëshironin që Ti, o Jezus

të ishe zjarrfikës i përjetshëm,

Ai që u jep fund vështirësive,

që shuan kontrastet,

që zbut ndarjet,

që u vë fre, ose i zgjidh konfliktet.

E Ti, përkundrazi, u thua se je zjarrvënës:

se ke ardhur për të sjellë zjarr e flakë mbi tokë,

se dëshiron të ndezësh e jo të shuash,

të zgjosh e jo të vësh në gjumë.

Do të dëshironin që Ti, o Jezus,

të ishe ndërtues i një paqeje “me çmim të ulët”,

që e lë gjendjen të paprekur,

që bën të pranohen edhe padrejtësitë

e të gëlltiten të gjitha abuzimet,

poshtërimet, pabarazitë.

Por Ti erdhe t’ia ndryshosh

faqen botës,

ta shndërrosh këtë historinë tonë,

e kjo nuk bëhet njëzëri,

me shkopin magjik.

Duhet përballuar një shteg i rrëpirtë,

duhen kaluar rreziqe deri në fund,

duhet që secili të bartë mbi shpinë

barrën e vet të vuajtjes e të sakrificës.

“Pagëzimin” tënd, atë zhytje

në terrin e mundimeve

deri në vdekjen e dhimbshme mbi kryq

Ti e përballon me guxim e besim,

pa u tërhequr mbrapsht.

Paqja e vërtetë ka çmim të lartë

e Ti je gati ta paguash:

është çmimi i gjakut,

është dhurimi i jetës.

13 gusht 2022, 10:17