Roma rijeton mrekullinë e reshjeve të borës: një çast hiri dhe mahnitjeje për besimtarët
R.SH. – Vatikan
Të premten, më 5 gusht, në përkujtimin e kushtimit të Bazilikës Papnore të Shën Marisë së Madhe në Romë e në Solemnitetin e Zojës së Dëborës, kthehet, pas pandemisë, reshja e petaleve të bardha të luleve, që kujtojnë mrekullinë e rënies së dëborës në vitin 358 pas Krishtit, gjatë papnisë së Papës Liberi. Në atë kohë, Zoja iu shfaq në ëndërr Papës dhe patricit romak Gjon, duke u kërkuar të ndërtonin një kishë në vendin, që ajo do t’u tregonte. Pasi u zgjuan nga gjumi, në mes të gushtit, Papa dhe patrici e gjetën kodrën Esquilino të mbuluar me borë. Ishte shenja që prisnin. Aty u ndërtua kisha kushtuar Zojës dhe ngjarja hyri në histori si “mrekullia e dëborës”. Çdo vit, më 5 gusht, kremtohet përvjetori i saj, duke imituar rënien e flokëve të borës me petalet e luleve, por edhe bëhen homazhe e kremtohet një meshë solemne për Virgjërën Mari.
Programi
Programi i vitit 2022 i kësaj ngjarjeje të përshpirtërisë tradicionale romake përfshin një Treditësh lutjeje, që përfundoi sot, më 4 gusht, së bashku me një koncert, gjatë të cilit, po sot në orën 21, Kapela Liberiane ekzekuton pjesë nga Pier Luigi i Palestrinës, Domenico Bartolucci, Léon Bowllmann, Valentino Miserachs e të tjera. Kremtimi liturgjik solemn mbahet të premten në orën 10.00, kryesuar nga kardinali Stanisław Marian Ryłko, kryeprifti i Bazilikës, me kujtimin e mrekullisë së dëborës. Pasdite, në orën 17.00, Lutjet Mbrëmësore kremtuar nga imzot Piero Marini, vikar i kryepriftit, edhe ato, me kujtimin e mrekullisë së dëborës.
Një reshje e veçantë dëbore për Papën Françesku
Veçanti e këtij viti është se dëbora mund edhe të shijohet. Vërtet, në oborrin e Bazilikës, besimtarët, romakët dhe turistët, do të mund të shijojnë një akullore të veçantë, të quajtur “snowfall” (reshje dëbore), krijuar për këtë rast nga mjeshtrit e akullores së Antica Gelateria del Corso. Një akullore me shije limoni e në majë, shurup portokalli, xhenxhefil dhe reshje bore prej meringe, që edhe Papa Françesku e provoi pas kthimit nga udhëtimi në Kanada, kur shkoi për falënderimin tradicional tek Zoja - Salus Populi Romani (shpëtimi i popullit romak). Fugurja, që ruhet në Bazilikë, është nga më të nderuarat e Zojës në Romë dhe veçanërisht e dashur për Papën, i cili zakonisht e viziton atë para dhe pas çdo udhëtimi.