Kërko

Lutje në Nikaragua Lutje në Nikaragua 

Nikaragua, ipeshkvi Álvarez: jemi në dorën e Zotit, duam të bëjmë vullnetin e Tij

Në atmosferën e kundërvënies së qeverisë ndaj Kishës, imzot Rolando Álvarez kryesoi Rruzaren, duke u lutur për paqen në vend. Një meshtar tjetër denoncoi se u pengua të largohej nga famullia. Konferencat e Ipeshkvijve të Amerikës Latine dhe Karaibeve shprehin solidaritetin me popullin e Nikaraguas

R.SH. – Vatikan

         “Faleminderit që jeni me ne, rreth Virgjërës Shenjte, shën Marisë”. Me këto fjalë, imzot Rolando Álvarez, ipeshkvi i Matagalpës, kryesoi dje (11 gusht) lutjen e Rruzares nga Kuria Ipeshkvnore e qytetit. Gjatë lutjes, që u transmetua në internet, ipeshkvi ia besoi Zojës të gjitha ndjetet e njerëzve, të cilët ia kanë dërguar me lloj-lloj rrugësh, kryesisht përmes telefonit celular. “Faleminderit edhe për dëshmitë e miqësisë, të dashurisë, mirësisë, mëshirës”, shtoi ai.

Ipeshkvi e ftoi Popullin e Zotit të lutet përmes rrjeteve shoqërore, “në këtë ditë të tetë të bllokimit në kurien ipeshkvnore të Matagalpas”. “Faleminderit për letrat, për mesazhet, - nënvizoi ai - le t'ia besojmë Virgjërës së Bekuar, që ajo të ndërmjetësojë pranë Birit të saj të dashur, Jezu Krishtit”. Në fund, ipeshkvi kujtoi se pikërisht sot, 12 gusht, në kuadrin e Kongresit Kombëtar Marian në Nikaragua, do të thotë meshën në rrjetet shoqërore, së bashku me Udhën e Kryqit. Në një tweet, Imzot Alvarez shkruan: “Jemi në dorën e Zotit. Duam të bëjmë vullnetin e tij dhe gjithçka për lavdinë e tij. Amen”.

Një tjetër meshtar bllokohet në famullinë e tij nga policia

Ndërkaq, edhe një meshtar tjetër, Aníbal Manzanares, denoncon se i është ndaluar të largohet nga famullia e tij, në komunën Terrabona, gjithnjë në Matagalpa. “Miq dhe vëllezër, ju komunikoj që policia më njoftoi sot në mëngjes se nuk më lejojnë të dal në rrugë e as të marr pjesë në procesione, veprimtari jashtë kishës famullitare, prandaj, besoj se jam nën mbikqyrje”, deklaron meshtari i famullisë San José, në një mesazh të regjistruar të mërkurën dhe të publikuar të enjten në rrjetet shoqërore.

Kisha kontinentale solidare me Nikaraguan

Në kuadrin e krizës politike, Konferencat Ipeshkvnore të Amerikës Latine dhe Karaibeve e kanë ngritur zërin për të treguar se populli i Nikaraguas nuk është i vetëm në këtë situatë të vështirë, duke shprehur solidaritetin dhe afërsinë e tyre.

12 gusht 2022, 14:26