Kërko

Meeting Rimini 2022 Meeting Rimini 2022 

Nga Takimi i Riminit, thirrje për paqe dhe dialog

Gjatë debatit në ditën e hapjes, Kardinali Nzapalainga, Patriarku Pizzaballa dhe Imzot Pezzi theksuan se luftërat duhet të marrin fund, falë edhe ndihmës së feve. Por që të arrihet kjo ditë, të gjithë duhet të heqin dorë nga diçka, duke kujtuar mësimin që vjen nga Ungjilli. Në mesazhin e tij, edhe Presidenti i Republikës Mattarella kujtoi tragjedinë e konfliktit në Ukrainë

R. SH. - Vatikan

Paqja ishte në qendër të vëmendjes ditën e parë të Takimit të Riminit. Deri më 25 gusht, rreth 100 debate përbëjnë një të tërë me titull: “Pasion për njeriun”, frazë e marrë nga një shkrim i don Giussanit. Politika e madhe ndërkombëtare, ringjallja e vlerës së paqes, dialogu ndërmjet feve janë aspekte themelore të ngjarjes.

Palestinezët kanë frikë nga braktisja

Fortlumturia e tij Pierbattista Pizzaballa, Patriark Latin i Jeruzalemit, pohoi se shpresa është bija e besimit. Më pas u ndalua tek situata në Lindjen e Mesme, duke theksuar se si izraelitët, ashtu dhe palestinezët, janë të dëshpëruar! Palestinezët druhen më shumë, meqë mendojnë se janë braktisur nga bashkësia ndërkombëtare. Prandaj kërkimi i paqes duhet të jetë shqetësimi i parë i atyre, që kanë besim. “Nëse sot është e vërtetë që të flasësh për drejtësinë dhe paqen në Lindjen e Mesme do të thotë të jesh në anën e atyre që luftojnë kundër mullinjve të erës, është e vërtetë edhe se  të gjithë duhet ta duan paqen dhe drejtësinë, veçanërisht  ata, që kanë përgjegjësi për fatet e njeriut e të njerëzimit! Angazhimi për paqen dhe drejtësinë - pohoi me forcë imzot Pizzaballa në debatin “Mjeshtra të paqes”- nuk është një element ‘më shumë’, një element shtesë, që mund të bëhet edhe pa të: “Përkundrazi, besimi në Zotin të krijon menjëherë dëshirën për t’i bërë mirë çdo njeriu, pasionin e papërmbajtshëm për njeriun, në mënyrë që ai të ketë jetë të denjë për thirrjen e tij, si vetje e krijuar sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së Zotit”.

Jo, përçarjeve ideologjike, synimi i paqes, parë si vlerë

Edhe imzot Paolo Pezzi, kryeipeshkëv i Moskës, kujtoi fuqinë e faljes. Fuqi, që e pati përjetuar kur ishte famullitar i thjeshtë, por duke shtuar edhe se mbrojtja e atdheut është vlerë tejet e rëndësishme:

“Sot nuk ka të vërteta për të gjithë. Ka të vërteta të pjesshme: kjo shihet qartë kur pushteti nënvizon vetëm disa vlera. Po paqja sot është vlerë, jo përvojë. Nëse vlerat theksohen ideologjikisht, dështojnë - përfundoi Pezzi - Në duart e pushtetit bëhen mjet për justifikimin e dhunës më të pamëshirshme, sepse çdo pushtet e ndjen veten bartës të një thirrjeje mesianike”.

Për të nisur dialogun, të gjithë duhet të zbresin nga piedestali

Për Kryeipeshkvin e Banguit, në Afrikën Qendrore, kardinalin Diedonne Nzapalainga, ekziston një kusht thelbësor për arritjen e dialogut: të gjithë duhet të zbresin nga piedestali i tyre dhe të shndërrohen në mjeshtra të paqes, në gjurmët e Krishtit. Më pas kardinali foli për pasojat pozitive të rrëfimeve në Afrikë.

“Lufta nuk zgjidhet me dhunë, por me fillimin e dialogut. E të kujtosh dialogun, do të thotë t’i lësh maskat të bien. Kështu mund ta shikojmë fytyrën e vërtetë të tjetrit!”

 Ta shikojmë tjetrin si qenie njerëzore - nxit kardinali - sepse paqja bëhet me armiqtë. Kam parë armiq, që nuk donin ta shikonin më njëri-tjetrin në sy! Atëherë ne, prijësit fetarë, u bëmë urë. Më në fund, një ftesë për të sjellë paqe edhe këtu, në Itali. Nëse njihni familje ukrainase dhe ruse, pyetini ata, e do të mund ta shikoni njëri-tjetrin në sy, të hani së bashku, të bisedoni me njëri-tjetrin. Tashmë është fillimi i paqes. Fjala është të guxosh, të guxosh të sjellësh ide për paqen, por duhet shumë durim”, përfundoi kardinali Nzapalainga.

Lufta kundër Ukrainës po trondit të gjithë Evropën

Në mesazhin e tij, Presidenti i Republikës Sergio Mattarella theksoi se lufta pushtuese e Rusisë kundër Ukrainës, me pikëllimin, shkatërrimin, urrejtjen që vazhdon të krijojë, trondit mbarë njerëzimin, duke prekur vlerat e tij themeluese, e veçanërisht, Evropën, në vetë identitetin e saj. Më pas, dy fjalë  për ekologjinë:

“Është gjithnjë besnikëria ndaj njeriut, që na vë përball sfidës më të madhe të kohërave: shpëtimit të planetit nga shfrytëzimi, për të cilin është përgjegjës vetë njeriu! Koha jonë - si na kujton Papa Françesku - është koha e ekologjisë integrale:

“Njeriu duhet të rindërtojë drejtpeshimin me mjedisin dhe burimet natyrore. E këtë mund ta bëjë vetëm me frymën e solidaritetit”.

21 gusht 2022, 15:40