Kërko

Marshimi i Asizit Marshimi i Asizit

Ndjesa e Asizit: në Porziuncola, të rinj e familje

U nisën nga të gjitha rajonet e Italisë, por edhe nga Kroacia dhe nga vende të tjera evropiane, 1700 shtegtarët, që kapërcyen, pasditen e 2 gushtit, portën e kishës ku Shën Françesku kuptoi thirrjen e tij dhe mori nga Papa Onori III lejen për ndjesën e plotë të mëkateve, që njihet si “Ndjesa e Asizit”. Ata ishin protagonistë të Marshimit të 40-të Françeskan, promovuar nga fretërit e vegjël, pas ndalesës dyvjeçare, për shkak të pandemisë

R.SH. – Vatikan

         1700 shtegtarë, të rinj nga 18 deri në 32 vjeç dhe familje me fëmijë, nga të gjitha rajonet e Italisë, por edhe nga Evropa, si për shembull, 90 kroatë, arritën dje pasdite (2 gusht) në Porziuncola të Asizit, në fund të Marshimit të 40-të Françeskan të Ndjesës. Ata u shtohen më se 70.000-ve që, nga viti 1980, ecin rreth një javë për të arritur në qytetin e të Vobektit të Asizit, për të kaluar derën e kishës së vogël të fillimeve të Shën Françeskut, brenda bazilikës së madhe të Shën Marisë së Egjëjve, çdo 2 gusht, e për të fituar kështu Ndjesën e plotë të mëkateve, kërkuar nga shenjti Zotit e shpallur më 1216 nga Papa Onori III.

Sërish për udhë, pas dy vitesh pandemi

         Një marshim i veçantë, ai që nisi nga vende të ndryshme të Italisë më 25 korrik për të rinjtë dhe më 28 korrik për familjet, sepse ishte i pari pas dy sezonesh verore, gjatë të cilave nuk u organizua, për shkak të pandemisë Covid-19. 190 pjesëmarrës nga Umbria, grupi më i madh, zgjodhën të bëheshin shtegtarë lypës të mëshirës, duke ndjekur temën e sivjetme të Fretërve të Vegjël: “Pafundësisht i mirë”. Një rrugëtim i rëndësishëm, në këto 40 vjet, "për thirrjet e shumta të të rinjve”, kujton ipeshkvi i nderit i Grosseto-s, imzot Rodolfo Cetoloni, françeskan që prej 50 vitesh e organizator i Marshimit të parë Françeskan në vitin 1980 e në shumë vite të mëpasme. Janë “thirrje në jetën murgare – kujton ai - por edhe në martesë, mision dhe profesion”.

Imzot Cetoloni dhe Marshimi i parë françeskan

         "Që nga fillimi, kur shqetësimi për ‘thirrjet’ i shoqëronte të gjithë - shpjegon imzot Cetoloni, i cili do të kryesojë meshën para Porziuncola-s, më 4 gusht, në orën 8 të mëngjesit – Marshimi u mendua si mundësi për takim, të bindur se Zoti kalon dhe secili, me vërtetësi, e sheh veten në të si në pasqyrë. Kjo vlen si për ata, që e kanë bërë një zgjedhje, ashtu edhe për ata, që janë në kërkim, ose nuk kërkojnë asgjë, por në atë atmosferë intensive takohen, përfshihen dhe ndoshta, fillojnë një udhëtim” të ri në jetën e tyre. Gjatë viteve të fundit, Marshimit të të rinjve iu shtua edhe ai i familjeve. Në Porziuncola mbërritën më 2 gusht, 25 prej tyre me 60 fëmijë.

03 gusht 2022, 14:11