Lutje Zojës së Madhe: po o Zot, Ti je vërtet i madh në dashurinë tënde
R.SH. - Vatikan
Mё 15 gusht, Kisha Katolike romake kremton festën e të Ngriturit të Virgjrës Mari në Qiell, Pashkët e Nënës së Zotit, çastin kur ajo, që lindi Krishtin, u ngjit në qiell tek i Biri. Në solemnitetin e të Ngriturit të Zojës në Qiell, Kisha na kujton se udha e Marisë drejt qiellit nisi nga ajo “po”, e thënë me plot gojën në Nazaret. Çdo “po” që ia themi Zotit, është një hap drejt qiellit, drejt jetës së amshuar. Sepse Zoti na do të gjithë me vete, në shtëpinë e Tij
Ungjilli sipas Lukës (Lk 1, 39-56) na kujton rëndësinë e shën Marisë, përmes fjalëve të Elizabetës, që Zoja shkon ta takojë, ndërsa ishte shtatzënë. E ndërsa i biri i Elizabetës e njohu Jezusin e lëvizi në bark, shën Maria galdon: “Punë të mëdha bëri për mua i Gjithpushtetshmi”. Është himni i Marisë, ai “Magnificat” i mrekullueshëm, që ka jehuar e jehon në shekujt e historisë së njerëzimit:
“39 Në ato ditë Maria u nis me nxitim për krahinën malore, në një qytet të Judesë. 40 Ajo hyri në shtëpinë e Zakarisë e përshëndeti Elizabetën. 41 Tashti, posa Elizabeta e dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në kraharorin e saj. Elizabeta u mbush me Shpirtin Shenjt, 42 dhe brohoriti me zë të lartë: ‘Je më e bekuar se të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd! 43 Dhe nga e pata fatin të vijë tek unë Nëna e Zotit tim?! 44 Ja se, posa zëri i përshëndetjes sate arriti në veshët e mi, foshnja, prej hareje, kërceu në kraharorin tim. 45 E lumja ti që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit!’
46 Atëherë Maria tha: ‘Shpirti im e madhëron Zotin, 47 shpirti im me hare i brohoriti Hyjit, Shëlbuesit tim, 48 sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lume, 49 sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithpushtetshëm - i shenjtë është Emri i tij!...” (Lk 1,39-49).
Të lutemi së bashku:
Na e bëj këtë dhuratë o Atë,
të të lëvdojmë me fjalët e Marisë,
me shprehjen e gëzimit
të sa e sa burrave e grave
që besuan e shpresuan në Ty.
Po o Zot, Ti je vërtet i madh
në dashurinë tënde të pamasë,
që nuk njeh kufi:
në Marinë, Ti na jep
një shenjë shprese të sigurt
që secili të kundrojë
në lavdinë e saj
plotësinë dhe begatinë
për të cilat është caktuar.
Përmes saj,
vashës së re të Nazaretit,
Ti realizove mrekullinë
e mishërimit të Birit tënd.
Asaj ia besove
si fëmijë për t’u rritur
e për t’u përgatitur për jetën,
i ushqyer me dashurinë e nënës.
E ajo i qëndroi pranë
deri në fund, deri në Kalvar,
deri në vdekjen mbi kryq.
Prandaj mori pjesë,
me korp e me shpirt, në ringjalljen e Tij.
Prandaj nuk e njohu
korruptimin e kalbjen e varrit,
por u shndërrua
fill pas vdekjes
për të ndarë krah të Birit
gëzimin e amshimit.