Kërko

Papa Celestini V, dokumenti i Faljes a i Ndjesës çelestiniane Papa Celestini V, dokumenti i Faljes a i Ndjesës çelestiniane 

L’Aquila: “Ndjesa çelestiniane” me Papën Françesku

Nga 23 deri më 30 gusht në kryeqendrën abruceze, në Itali, kremtohet Ndjesa çelestiniane. Sivjet, ngjarja është e jashtëzakonshme, pasi për herë të parë në histori, Porta Shenjte do të hapet nga një papë e pikërisht nga Papa Françesku, më 28 gusht

R.SH. – Vatikan

         Kremtimet për “Ndjesën çelestiniane” të këtij viti në L’Aquila të Italisë, do të jenë të jashtëzakonshme, sepse për herë të parë në historinë e Kishës, Porta Shenjte do të hapet nga një papë e, pikërisht, nga Papa Françesku, që do të shkojë në kryeqendrën abruceze më 28 gusht. Ati i Shenjtë do të kremtojë meshën e do të thotë lutjen e Engjëllit të Tënzot në Bazilikën e Collemaggio-s.

Porta Shenjte në Bazilikën e Collemaggio-s
Porta Shenjte në Bazilikën e Collemaggio-s

         Por e gjithë ngjarja, që përfshin periudhën nga 23 deri më 30 gusht, ka një program shumë të pasur edhe nga pikpamja artistike. Për shembull, do të hapet me një koncert të këngëtarit italian Diodato e do të mbyllet me këngëtarin tjetër të njohur, Claudio Baglioni. Në edicionin e saj të 728-të, pas Jubileut të parë të historisë e në edicionin e 40-të, në versionin e saj modern, “Ndjesa a Falja çelestiniane” do të ketë një “prolog” më 19 gusht, me përurimin e shkallëve të Portës Shenjte.

         Këtë vit është themeluar edhe i ashtuquajturi “Çmim i Faljes”, që do t’i jepet në edicionet e ardhshme kujtdo, që dëshmon “impenjim në favor të më të brishtëve, në mbrojtje të të drejtave dhe në promovimin e dialogut ndërmjet kulturave të ndryshme”. Më 23 gusht, në qendrën historike të qytetit, do të parakalojë “Kortezhi i Bulës së Faljes”; më 24 gusht, do të mbahet edicioni i veçantë i “Çmimit të Faljes”; më 25, Paraqitja e Kryqit të Ndjesës dhe e Baritorisë së Ndjesës; më 28 gusht – siç e thamë – vizita e Papës Françesku dhe hapja e Portës Shenjte; më 29 gusht, mbyllja e Portës Shenjte dhe Kortezhi për kthimin e Bulës së Faljes në vendin e vet.

Bazilika e Collemaggio-s
Bazilika e Collemaggio-s

         Programi artistik – për të cilin është caktuar një buxhet prej 620 mijë eurosh – do të hapet më 23 gusht në Collemaggio me koncertin “Këngë për Rilindjen”, ku do të marrin pjesë këngëtarë si Diodato, Roberto Vecchioni, Anna Foglietta e Daniele Pecci; më 24 gusht, Gran Gala des Etoiles ndërkombëtarë me Eleonora Abbagnato-n, balerinë e parë e Teatrit të Operas së Romës; më 25 gusht, “L’Aquila këndon” me muzikë, teatër, balet dhe art në të gjithë qytetin; më 26 gusht, koncert i Fabri Fibra në sheshin e Duomos; më 30 gusht, mbrëmja përfundimtare me koncertin e Claudio Baglioni-t, i cili ka zgjedhur si titull “Paqja me ne”.

11 gusht 2022, 15:25