Kërko

 Vangelo della XIX domenica del Tempo Ordinario (anno C) Vangelo della XIX domenica del Tempo Ordinario (anno C)

Fjala e Zotit e së dielës së 19-të gjatё vitit kishtar ‘C’

Ungjilli ikёsaj sё Diele tё 19-tё nga Luka, na ofron bisedёn e Jezusit drejtuar nxënësve mbi vlerën që ka personi para syve të Zotit e mbi padobinë e shqetësimeve për sendet tokësore. Nuk është lëvdim i mos angazhimit. Përkundrazi, duke dëgjuar thirrjen siguruese të Jezusit “Mos druaj, o grigjë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’jua japë Mbretërinë“, zemra jonë hapet para një shprese që shndrit e frymëzon ekzistencën konkrete të përditshme

R.-SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe meditojmë  leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së dielës së 19-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendari liturgjik.

Fjala e Zotit e Dielës së 19-të gjatë vitit kishtar ’C'

Fjala e Zotit e Dielës së 19-të gjatë vitit kishtar ’C'

Në pjesën e Ungjillit tё kёsaj sё Diele tё 19-tё nga Luka, kemi bisedёn e Jezusit drejtuar nxënësve vazhdon mbi vlerën që ka personi para syve të Zotit e mbi padobinë e shqetësimeve për sendet tokësore. Nuk bëhet fjalë për një lëvdim të mos angazhimit. Përkundrazi, duke dëgjuar thirrjen bindëse e siguruese të Jezusit “Mos druaj, o grigjë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’jua japë Mbretërinë“ (Lk 12,32), zemra jonë hapet para një shprese që shndrit e frymëzon ekzistencën konkrete të përditshme: kemi sigurinë që “Ungjilli nuk është vetëm komunikim i sendeve që mund të dihet e të mësohet, por është komunikim që prodhon fakte e ndryshon jetën.

Porta e errët e kohës, e së ardhmes, është e hapur në dy kanatat. Atij ka shpresë jeton ndryshe; i është dhuruar një jetë e re” (Enciklika Spe Salvi, 2). Siç lexojmë në pjesën e Letrës së Hebrenjve ( Leximi II), Abrahami niset me zemër plotë besim dhe mbështetje të plotë në shpresën që Zoti ia tregon e ofron: premtimin e një toke e të një “trashëgimie të shumënumërt pasardhësish “ e niset “pa ditur se ku shkonte”, duke u mbështetur e besuar në Zotin (khr Hb 11,8-12).

E Jezusi në Ungjillin e kёsaj sё diele - përmes tri shëmbëlltyrave - ilustron se si pritja e plotësimit të “shpresës së lume”, ardhja e tij, duhet të shkoj akoma më tej deri një jetë më të dendur e më të fortë, të pasur me vepra të mira: “shitni pasurinë tuaj e jepni lëmoshë; Bëni për vete strajca që nuk vjetrohen, thesar në qiell që nuk mbaron kurrë, ku vjedhësi nuk afrohet e tenja nuk bren”(Lk 12,33). Është kjo një thirrje për t’i përdorur sendet e kёsaj bote pa egoizëm, pa etje për të pasur apo sunduar, por sipas logjikës së Zotit, logjikës së vëmendjes e kujdesit ndaj tjetrit, logjikës së dashurisë: siç shkruan në mënyrë të përmbledhur Romano Guardini, “duke u nisur prej Zotit, duke papasur para sysh Zotin”.

                                                   Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Urt 18, 3.6-9

Lexim prej Librit të Urtisë

Në natën e lirimit, Izraelitëve u dhe për prijës në udhë të panohur një shtyllë zjarri të ndezur, diell të butë në shtegtim të lavdishëm. Ajo natë u qe paralajmëruar etërve tanë, që ta kishin të qartë çfarë përbetimeve u kishin besuar, se s’do t’u tundej besimi në zemër. Pritej prej popullit tënd shpëtimi i të drejtëve e shfarosja për të padrejtët, sepse, siç i ndëshkove kundërshtarët, ashtu na madhërove duke na thirrur pranë teje.
Atëherë bijtë e shenjtë të të drejtëve fli të kushtuan fshehtazi e ranë në përkim të gjithë së bashku për këtë ligj hyjnor: shenjtërit do t’i pranojnë barazi si të mirat ashtu dhe rreziqet. Atëherë kënduan këngët që më parë i këndonin etërit. Fjala e Zotit.

Psalmi 33

Lum populli që i përket Zotit 
____________
Galdoni, o të drejtë me Zotin,
të drejtëve u ka hija lavdërimi!
Lavdërojeni Zotin me kitarë,
bini gëzueshëm lirës me dhjetë korda!
____________
Qe, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë,
mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij:
për t’i shpëtuar nga vdekja
e për t’i ushqyer në kohën e urisë.
____________
Shpirti ynë shpreson në Zotin,
ai është ndihma dhe mburoja jonë.
Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot,
sikurse ne shpresojmë në ty.
____________
 

Leximi i dytë Heb 11, 1-2.8-19

Lexim prej drejtuar Hebrenjve

Vëllezër, feja është një mënyrë pasjeje të sendeve që shpresohen, mjet të njihen sendet që nuk shihen. Në fuqi të saj, madje, të parët tanë fituan një dëshmi të mirë.
Me anë të fesë, Abrahami, kur qe grishur, dëgjoi të çojë dhe të niset drejt vendit që do ta fitonte në trashëgim; e lëshoi vendin edhe pse nuk dinte se ku do të shkonte. Me anë të fesë erdhi të banojë në tokën e premtuar si në tokën e huaj dhe jetoi nën tenda me Izakun dhe me Jakobin, bashkëtrashëgimtarët e të njëjtit premtim, sepse priste Qytetin me themele të palëkundshme, arkitekti dhe ndërtuesi i të cilit është Hyji.
Me anë të fesë, edhe vetë Sara beronjë fitoi mundësinë të bëhej nënë, megjithëse i kishte kaluar mosha, sepse e mbante besnik Atë që i dha premtimin. Këndej, prej një njeriu, dhe ai gati i vdekur, lindi një shumicë e madhe porsi yjet në qiell dhe rëra e panumërueshme në bregun e detit.
Të gjithë këta vdiqën në fe pa marrë çka u qe premtuar. Ata vetëm e vërejtën prej së largu dhe e përshëndetën duke pranuar se janë të huaj dhe udhëtarë përmbi tokë. Vërtet, ata që flasin kështu dëftojnë qartazi se kërkojnë atdheun. Patjetër, po të kishin menduar për atdheun prej të cilit dolën, do të kishin pasur kohë të ktheheshin. Por tashti, ata dëshirojnë një atdhe më të mirë, domethënë atmen qiellore. Për këtë arsye Hyjit nuk i vjen turp të quhet Hyji i tyre: vërtet, Ai ua ka bërë gati Qytetin.
Me anë të fesë, Abraha-mi, i vënë në provë, e flijoi Izakun. Flijonte djalin e vetëm ai që kishte marrë premtimin, të cilit i qe thënë: “Pasardhësit e tu do të rrjedhin prej Izakut”, plotësisht i bindur se Hyji mund të ngjallë edhe të vdekurit. Prandaj edhe e rifitoi, dhe qe një shëmbëlltyrë. Fjala e Zotit.

ALELUJA, aleluja.

Rrini zgjuar, sepse nuk e dini ditën
kur do të vijë Zoti.
Aleluja.

Ungjilli Lk 12, 32-48

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Mos druaj, o grigjë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’jua japë Mbretërinë! Shitni pasurinë tuaj e jepni lëmoshë! Bëni për vete strajca që nuk vjetrohen, thesar në qiell që nuk mbaron kurrë, ku vjedhësi nuk afrohet e tenja nuk bren.
Vërtet, ku është visari juaj, aty do të jetë edhe zemra juaj. Jini gati – të veshur e të ngjeshur me llamba të ndezura – porsi ata që presin zotërinë e vet kur kthehet prej dasmës për t’ia çelur derën posa të vijë e të trokëllitë. Lum shërbëtorët që, kur kthehet zotëria, i gjen zgjuar! Përnjëmend po ju them: ai vetë do të ngjeshët, ata do t’i ulë në tryezë, do të afrohet dhe vetë do t’i shërbejë. Po erdhi në të dytën ose në të tretën rojë të natës dhe po i gjeti kështu, lum ata!
E mos e harroni këtë gjë: po ta dinte i zoti i shtëpisë në të cilën orë i vjen vjedhësi, nuk do të linte t’i thyhej shtëpia. Edhe ju, pra, jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë çast kur s’jua merr mendja.” Atëherë Pjetri tha: “Zotëri, a po e thua këtë shëmbëlltyrë vetëm për ne, apo për të gjithë?
Zotëria i përgjigji: “Cili, vallë, është ai mbarështues besnik e i mençur që do ta vërë zotëria përmbi shërbëtorët tjerë për t’u dhënë në kohën e duhur pjesën e ushqimit? I lumi ai shërbëtor, të cilin, kur kthehet zotëria i tij, e gjen duke vepruar kështu. Përnjëmend po ju them: do ta vërë mbi të gjithë pasurinë e vet.
Porse, po bëri e mendoi shërbëtori në zemrën e vet: ‘Zotëria im do të vonojë të kthehet’, dhe fillon të rrahë shërbëtorët e shërbëtoret, të hajë e të pijë e të dehet, zotëria i tij do të vijë atë ditë kur nuk e pret, atë orë që nuk ia merr mendja, dhe do ta ndëshkojë rëndë e do t’ia japë fatin e të pafeve. Shërbëtori që e diti vullnetin e zotërisë e nuk u bë gati dhe nuk e kreu vullnetin e tij, do të marrë shumë të rëna. Ndërsa ai që nuk e diti, por bëri punë që duhet të ndëshkohen, do të rrihet më pak. Kujt iu dha shumë, prej tij do të kërkohet shumë. Kujt iu besua shumë, prej tij do të kërkohet shumë. Fjala e Zotit.

Homelia nga famullitari në Rranxa-Bushat, dioqeza e Shkodrës, dom Dritan Ndoci:

Homelia nga dom Dritan Ndoci

 

E DIELA XIX GJATË VITIT: KU ËSHTË VISARI JUAJ, ATY DO TË JETË EDHE ZEMRA JUAJ!

(Urt 18, 3. 6-9; Ps 33 (32); Heb 11, 1-2. 8-19; Lk 12, 32-48)

Qartësia e të shprehurit nga ana e autorit të Letrës së drejtuar Hebrenjve ndërsa përshkruan se ç’është feja, është vërtet e rrallë. Thotë: «Vëllezër, feja është një mënyrë pasjeje e sendeve që shpresohen, mjet të njihen sendet që nuk shihen.» Me fjalë të tjera: nëse unë e besoj diçka të cilën ma dikton feja, është sikur ta kisha tashmë atë që e besoj. E thënë kështu, i bie që, duke qenë se ne besojmë në ekzi­sten­cën e lumturisë së pasosur për të drejtët, është një mënyrë pjesë­marrjeje qysh tani në këtë lumturi.

Pastaj autori vazhdon të tregojë efektet e një feje të tillë: «Në fuqi të saj, të parët tanë fituan një dëshmi të mirë.» E fillon të na e kujtojë se si Abrahami, vetëm i shtyrë nga një fe e tillë, qe nisur drejt tokës së premtuar, duke shpresuar në një pasardhësi, edhe kur mosha e tij dhe e gruas së tij, Sarës, ishte tashmë shumë e thyer, dhe pranoi të flijonte djalin e tij të vetëm kur Hyji ia kërkoi. Madje, për këtë gjest të fundit, kjo Letër na tregon edhe një detaj shumë interesant: Abrahami ishte i gatshëm ta flijonte djalin e tij, i bindur se, nëse do të donte Hyji, Ai edhe mund ta ngjallte atë nga të vdekurit, për të realizuar premtimin e pasardhësisë që i kishte dhënë: «Ishte plotë­sisht i bindur se Hyji mund të ngjallë edhe të vdekurit.»

Por autori i shenjtë thotë edhe diçka tjetër: «Të gjithë këta vdiqën në fe pa marrë çka u qe premtuar. Ata vetëm e vërejtën prej së largu dhe e përshëndetën, duke pranuar se janë të huaj dhe udhëtarë përmbi tokë.» Nga njëra anë e dimë se premtimet e Hyjit të bëra Abrahamit dhe etërve të tjerë u realizuan, por këtu autori na thotë se paskan vdekur pa i marrë gjërat që u ishin premtuar. E thotë ngaqë e ka kuptuar se premtimet e përkohshme ishin vetëm një shenjë e premtimit të madh që i bëhet çdo të drejti, ishin shenjë e lumturisë së amshuar me Hyjin që do të na fitohej prej meritave të Jezu Krishtit. Ata nuk e përjetuan kohën kur Jezusi do të na e hapte rrugën për tek Ati, por «e vërejtën prej së largu dhe e përshëndetën, duke pranuar se janë të huaj dhe udhëtarë përmbi tokë». Feja që kishin në Hyjin, ishte siguria se, ajo çka u ishte premtuar, do t’u jepej një ditë.

Por ne të krishterët nuk duhet ta kuptojmë fenë si një formë të vazhdueshme ankthi«Ku fillon feja, përfundon ankhi; ku fillon ankthi, përfundon feja.», predikonte Xhorxh Myler, pastori luteran i shekullit XIX. Feja na ndihmon ta lëshojmë jetën tonë në duart e Zotit, të brumosemi me fjalët e Ungjillit e të besojmë te përmbushja e premtimeve që Jezusi u bën në Ungjill atyre që i shkojnë pas.

Në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, edhe leximi i parë flet për fenë: «Natën e lirimit, izraelitëve u dhe për prijës në udhë të panjohur një shtyllë zjarri të ndezur, diell të butë në shtegtim të lavdishëm.» Tradita e krishterë zakonisht ka parë në këtë «shtyllë të zjarrtë» praninë e Shpirtit Shenjt që i printe popullit të zgjedhur, por besoj se nuk gabojmë po të themi edhe se ajo shtyllë zjarri ishte edhe një simbol i jashtëm i zjarrit të brendshëm të fesë që Shpirti Shenjt kishte ngjallur në zemrat e izraelitëve gjatë atij shtegtimi. Ishte në saje të kësaj feje që ata ecnin. Shkretëtira rrezikonte t’ua errësonte këtë fe (dhe shpesh e bënte) por forca e të Gjithëpushtetshmit ndërhynte për ta rindezur këtë dritë, këtë «diell të butë në shtegtim të lavdishëm». Feja i shoqëronte në shtegtimin e tyre drejt tokës së premtuar, e cila ishte edhe ajo simbol i një toke tjetër, i atdheut qiellor, shtegtimi drejt të cilit e meriton plotësisht të quhet «shtegtim i lavdishëm».

Caku i tyre ishte atdheu qiellor: «Tashti, ata dëshirojnë një atdhe më të mirë, domethënë atmen qiellore.». Fjala “atdhe” në shqip tregon shumë: at + dhé, që do të thotë “dheu i atit”. Dëshironin, pra, taki­min me Atin e amshuar.

Ky ishte caku i Izraelit të vjetër dhe ky është edhe caku i Kishës, Izraelit të Ri. Jezusi në Ungjill e thotë: «Mos druaj, o grigjë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’jua japë Mbretërinë!» Kemi një Atë që dëshiron të na e japë në trashëgim dheun e vet. Një tekst shumë i bukur i shekullit të dytë, që njihet si Letra e drejtuar Dionjetos, thotë shumë bukur: «Për të krishterët çdo tokë e huaj është atdhe, ndërsa çdo atdhe për ta është tokë e huaj.»

Atje duhet ta kemi të ngulur vazhdimisht shikimin tonë. Atje gjendet visari për të cilin jemi krijuar: dheu i Atit tonë. Të mos lejojmë që diçka tjetër të na e shpërqëndrojë shikimin tonë të ngulur kah ky visar i pakrahasueshëm! Nëse këtë atdhe e kemi si visar tonin, atje do ta kemi edhe zemrën tonë, siç thotë Jezusi sot: «Ku është visari juaj, aty do të jetë edhe zemra juaj.» «Të ngulësh zemrën» tek ky visar, është një mënyrë tjetër për të thënë «të besosh në ekzistencën e tij» e, besimi (e tha Letra e drejtuar Hebrenjve) «është mënyrë pasjeje e sendeve që shpresohen, mjet të njihen sendet që nuk shihen».

Por mund të ndodhë që gjatë ecjes sonë tokësore ta sjellim shikimin tonë kah ndonjë visar tjetër, kah ndonjë mënyrë të jetuari për të cilën nuk kemi qenë krijuar.

Në jetën e Shën Antonit të Padovës thuhet se ai, në predikimet e veta, vazhdimisht fliste kundër një dukurie që po i mjeronte gjithnjë e më fort padovanët e varfër të kohës së tij, me përfitim të madh të pasanikëve të atij qyteti. Pasanikët jepnin para me kamata shumë të larta. Nga ana tjetër kishin në dorë ligjet e vendit dhe e sillnin politikën në atë mënyrë që njerëzit gjithsesi të gjendeshin të dety­ruar që të merrnin para borxh prej tyre. Shenjti shumë ashpër fliste kurndër kamatarëve. Kur njëri prej këtyre kamatarëve vdiq, Shën Antoni i doli para karvanit mortor që ishte drejtuar për tek varreza dhe u tha që trupin e atij njeriu të mos e varrosnin në varre­zën e të krishterëve, duke qenë se shpirti i tij ishte në mundimet e Ferrit për shkak se, tepër i dhënë pas pasurisë, kurrë nuk ishte kthyer kah Hyji. Si shenjë se kjo ishte e vërtetë, Shenjti u tha: «Zemrën ky njeri nuk e ka në kraharor, por e ka në arkën e parave të veta.» Duke e njohur famën e mrekullive të Fratit të Shenjtë, disa shpejtuan të shkojnë tek shtëpia e pasanikut dhe panë se vërtet në arkën e thesarit gjendej një zemër njeriu. Pastaj u kthyen edhe një herë tek kufoma, ia hapën kraharorin e, për habinë e të gjithëve, zemrën nuk ia gjetën aty. Jezu Krishti ka lejuar ndonjë herë që, fjalët e thëna nga Ai në Ungjill, të realizo­heshin germë për germë. Nuk i ka folur kot, në fakt.

Prandaj Krishti na porosit sot në Ungjill që të qëndrojmë zgjuar. «Rrini gati, të veshur e të ngjeshur me llamba të ndezura, porsi ata që presin zotërinë e vet kur kthehet prej dasmës për t’ia çelur derën posa të vijë e të trokasë!» Kjo do të thotë se, në këtë «shtegtim tonin të lavdi­shëm» drejt atdheut tonë qiellor, duhet të na shoqërojë ajo «shtyllë e zjarrtë» e «diell i butë» që është feja, e cila është «mjeti i njohjes së sendeve që nuk shihen». E feja duhet të na shoqërojë çdo ditë; jo një ditë po e një jo; jo vetëm në çastet e vështira apo kur të afrohet pleqëria, por çdo ditë. Madje çdo orë.

Pastaj, ku e dimë ne se me siguri do të plakemi? Është për t’u habitur fakti që, shumë të rinjve, u duket punë pleqsh të fillojnë të mendojnë për vdekjen, ndërkohë që çdo ditë dëgjohen lajme që flasin për vdekje të rinjsh! Shën Gjon Bosko, të rinjve të oratorit të vet, thuhet se u organizonte rrëfime një herë në muaj dhe u thoshte se duhej të përgatiteshin për atë rrëfim thuajse do të vdisnin të nesërmen. Mbase metoda të tilla duken të frikshme për fëmijët e të rinjtë, por është shumë më e frikshme ideja që shumë të rritur kanë për vdekjen. Vdekja nuk është rënie në hiçin absolut, por, për të krishterin, është takimi i lumtur me Atin e vet qiellor. E ku e dimë ne se ky takim është lënë për më vonë?

Ne duhet të jemi shërbëtorë që gjithnjë e presim ardhjen e Zotërisë së vet: «Lum shërbëtori që, kur kthehet zotëria, e gjen zgjuar!» E prandaj nuk na lejohet të sillemi me arrogancë me mendimin se mbase Zotëria do të vonojë: «Po bëri e mendoi shërbëtori në zemrën e vet: ‘Zotëria im do të vonojë të kthehet’ dhe fillon të rrahë shërbëtorët, e shërbëtoret të hajë e të pijë e të dehet, zotëria i tij do të vijë atë ditë që nuk e pret, atë orë që nuk ia merr mendja e do t’i japë fatin e të pafeve.»

Feja është drita që, me ndihmën e Hirit Hyjnor, duhet ta mbajmë të ndezur gjithnjë në zemrën tonë. Ajo na ndihmon që zemrën ta ngulim në Krishtin, i cili është visari i paçmueshëm i njeriut. Edhe kur feja duket sikur është e vogël, të mos shqetësohemi. Shën Fran­çesku i Asizit thoshte: «Një rreze drite është e mjaftueshme për të mbajtur larg shumë errësira.» E kjo vlen sidomos për errësirat e egoizmit e të plogështisë shpirtërore.

 

Dom Dritan Ndoci

06 gusht 2022, 08:54