Kërko

Nënë Tereza Nënë Tereza 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Nënë Tereza e biseda e saj me të rinjtë

Fillon nesër periudha, gjatë së cilës çdo vit, bota shqiptare kujton më intensivisht Nënë Terezën. Vërtet, ajo lindi më 26 gusht dhe ndërroi jetë, pra, u lind për Qiell, më 5 shtator. Jetën e saj, ndërmjet viteve 1910 e 1997, e ktheu në dhuratë të jashtëzakonshme për Zotin, në shërbimin e më të varfërve ndër të varfër, duke u bërë “shenjtja e bamirësisë”. Sot, do t’ju njohim me fjalët e saj për të rinjtë e PIME (Istituti Papnor për Misionet e Jashtme) në vitin 1973, aktuale edhe sot

R.SH. – Vatikan

         Më 20 tetor 1973, në prag të mbrëmjes së parë misionare të lutjes, Nënë Tereza udhëhoqi një procesion nëpër rrugët e Milanos. Por që një mbrëmje më parë, rreth 2 mijë vetë u mblodhën në selinë e PIME (Instituti Papnor për Misionet e Jashtme) për të njohur nga afër murgeshën shqiptare me sarin bardh e blu. Pas përshëndetjeve të rastit, Nënë Tereza e shndërroi takimin në dialog me të pranishmit, e ndihmuar nga pyetjet e tyre.

         Nënë Tereza, çfarë mendoni për lajmet e këqija, që shohim çdo ditë në gazeta dhe në televizion; shpresa, gëzimi, për të cilin flisni, si mund të qëndrojnë bashkë me fjalët për luftë e dëshpërim?

Vuajtja për çka ndodh në botë është rrjedhojë e asaj që bëjmë, kur mendojmë se mund t’ia dalim të vetëm. Shumë njerëz janë përpjekur të dëshmojnë se Zoti nuk ekziston, ndërsa Zoti jep prova se Ai ekziston. Lufta dhe dëshpërimi janë gjithçka prodhojmë, kur mendojmë se mund t’ia dalim të vetëm.

Mendoni atëherë se njerëzit janë të këqij?

Njerëzit e botës nuk janë të këqij; ata janë të etur për Zotin dhe na takon neve dhe juve, të gjithë së bashku, t’u dëshmojmë se Zoti është dashuri, se Ai na do dhe ne duhet ta duam njëri-tjetrin ashtu siç na deshi Ai.

Cili është qëndrimi juaj në punë, në veprimtarinë tuaj bamirëse në Kalkutë, në Limë, në Romë…?

Të varfërit i pranuan motrat tona me shumë dashuri dhe respekt. E, për rrjedhojë, puna e tyre i vuri të varfërit ballë për ballë me të pasurit. Motrat u bënë një urë, ku të varfërit dhe të pasurit takohen dhe ndihmojnë njëri-tjetrin. Të pasurit bëhen më të mirë, sepse e kanë për detyrë të tregojnë dashurinë e Zotit në shërbim të të varfërve. E të varfërit bëhen më të mirë përmes dashurisë, që marrin nga të pasurit. Mendoj se ky bashkim do t’i sjellë paqen botës, sepse njohja e njëri-tjetrit jetohet me dashuri, madje me dashurinë e shërbimit. Prandaj, ju kërkoj t’i doni të varfrit me gjithë zemër dhe me duart tuaja t’u shërbeni atyre. Lutuni edhe për ne që të vazhdojmë ta ndezim dritën e Krishtit në botë.

Nënë Tereza, çfarë gëzimi ndjeni në mesin e varfërisë, të mjerimit, ku instinktivisht, njeriu ndihet i trishtuar?

“Gëzimi i Zotit është forca jonë” shkruhet në Bibël. Pra, ne nuk kemi arsye të jemi të pakënaqur dhe të trishtuar, por i kemi të gjitha arsyet për të qenë të lumtur dhe për ta sjellë këtë gëzim në botë, sepse Krishti, shpesh, ka ngulur këmbë se Ai është shkaku i gëzimit tonë e, edhe Zoja është “arsye gëzimi”. Kur pagëzohet një shpirt, meshtari i thotë fëmijës dhe të pagëzuarve: “Shkoni e shërbejini Kishës me gëzim”. Të gjithë ne, nëse kemi Jezusin me vete, duhet t’ia sjellim gëzimin si risi gjithë botës, nëpërmjet gëzimit tonë. Për të sjellë gëzim në botë duhet të kemi gëzim në familje, sepse paqja dhe lufta fillojnë në shtëpi; nëse vërtet duam paqen në botë, së pari ta duam njëri-tjetrin në familje e, kështu, do të kemi gëzimin e Krishtit – forca jonë deri në fund të jetës.

Vërtet, duhet ta jetojmë plotësisht jetën familjare, duke e treguar gëzimin; nganjëherë është shumë e vështirë t’i buzëqeshim njëri-tjetrit. Unë ngul këmbë vazhdimisht me bashkëpunëtorët tanë, duke u thënë të bëhen të aftë të buzëqeshin në familjen e tyre. Shpesh është e vështirë për burrin t’i buzëqeshë gruas së tij dhe gruas t’i buzëqeshë burrit, në fund të një dite të lodhshme. Një herë, më pyetën nëse isha e martuar, thashë po dhe shtova se nganjëherë është e vështirë për mua t’i buzëqesh Krishtit. Ne kemi një dhuratë të mrekullueshme për t’i dhënë Zotit: mund t’i ofrojmë zemrat tona përmes buzëqeshjes kur u shërbejmë të tjerëve, në familjet tona dhe në ato të fqinjëve”.

Nënë, kush janë të varfërit për ju?

Ata që s’i njeh kush, ata që s’janë të lirë, edhe në familjet e pasura ka zemra shumë të varfra. Jezusi na foli për gjykimin e mbramë: “Isha i uritur dhe më dhatë të ha, isha i zhveshur dhe më veshët, isha i pastrehë dhe më mirëpritët”. Do të thotë se ne do të gjykohemi sipas dashurisë dhe të varfërit janë Krishti, që ka nevojë për mua. Por të varfërit mund të jemi ti dhe unë për çdo njeri, që është aq i sjellshëm sa të na dëshmojë dashurinë e tij”.

Në çfarë kuptimi të varfrit janë shpresë?

Nëse sot kryejmë veprën tonë të dashurisë për ta, të varfrit do të jenë për ne rruga drejt Zotit. Në këtë kuptim ata janë shpresë: nëpërmjet tyre do të shkojmë në Parriz.

Ne bëjmë përpjekje të vazhdueshme për të zhdukur varfërinë në botë, por, ndërkohë, duhet të paraqitemi si të varfër para Hyjit. A s’është kontradiktë kjo?

“Pa e kaluar përvojën e varfërisë, nuk mund ta dimë cilët janë të varfërit. Nuk mjafton të përjetosh varfëri shpirtërore; duhet ta njohësh atë, që ka nevojë, duhet të të mungojë diçka, të mos kesh. Kjo është e vështirë. Në shumë vende, sidomos për punën tonë, marrim gjatë gjithë ditës para dhe sende të tjera, të cilat vërtet vijnë nga njerëz, që bëjnë sakrifica të mëdha. Dhurojnë me dashuri, aq sa ta prekin zemrën. Në Angli, për shembull, njerëzit bëjnë shumë sakrifica, veçanërisht në disa famulli. Duke ndenjur pa një vakt në javë, ata mblodhën në dy vjet mjaft para për të blerë një ambulancë. Mund t’i kishin dhënë njëlloj ato para për të blerë ambulancën, por zgjodhën t’i mblidhnin përmes një sakrifice. Kjo është mënyra, me të cilën marrim pjesën më të madhe të ndihmave që shihni: është dhuratë e vërtetë dashurie nga njerëzit, nga të pasurit dhe të varfërit”.

Fjalët e Nënë Terezës për të rinjtë e PIME (Instituti Papnor për Misionet e Jashtme) do të keni mundësinë t’i ndiqni edhe të enjten e ardhshme, kur do të transmetojmë pjesën e dytë të kësaj bisede.

25 gusht 2022, 09:15