Kërko

Evropa në flakë! Evropa në flakë! 

CCEE për Kohën e Krijimit: dora e njeriut ta frenojë shkatërrimin

Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore të Evropës, në një mesazh nënshkruar nga Imzot Angelo Massafra, O.F.M, Kryeipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pultit, Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Shqipërisë dhe kreu i seksionit për Mbrojtjen e Krijimit, rithekson, në vazhdën e pohimeve të Papës, urgjencën e ndryshimit të zakoneve dhe qëndrimeve, për t’i vënë pritë fatkeqësisë që po pëson Planeti i pushtuar nga ndotja, i përzhitur nga zjarret, i rrënuar nga luftërat!

R. SH. - Vatikan

“Dëmet e mëdha ambientale, që po i shohim të gjithë, të lidhura me luftën, zjarret dhe ndotjen, kërkojnë urgjentisht kthesë serioze të qëndrimeve dhe zakoneve: dora e njeriut, që shkatërron, mund të vendosë ende një kufi. Të krishterët janë nismëtarët”. Kjo është zemra e mesazhit të CCEE, Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës, nënshkruar nga Imzot Angelo Massafra, kreu i Seksionit për Ruajtjen e Krijimit - botuar sot, në prag të Ditës së ardhshme Botërore të Lutjes për Kujdesin ndaj Krijimit, që do të kremtohet më 1 shtator, datë në të cilën do të fillojë edhe Koha e Krijimit, kohë e veçantë për të krishterët, që të mund të reflektojnë e edhe të veprojnë për të mbrojtur ambientin tonë, dhuratë e Zotit për njeriun.

Plane, që duhen ruajtur e britmë, që duhet dëgjuar!

Në përvjetorin e shtatë të Enciklikës Laudato si’, po bëjmë bilancin e punës së realizuar deri tani e edhe të ndikimit që patën fjalët profetike  të Françeskut për t’i shpjetuar proceset…Këtë pohojnë ipeshkvijtë, që e vlerësojnë lart ndikimin e Mesazhit të Papës për Ditën kushtuar ambientit, publikuar më 16 korrikun e kaluar, në një çast - kujtojmë - kur “shumëkush në botë ishte i interesuar të kallte ato flakë, që shkatërruan një pjesë të mirë të zonave të gjelbra të Planetit”.

Toka po digjet dhe epoka tjetër do të jetë “piroceni”

Fotografia e bërë në këtë drejtim nga ipeshkvijtë e Evropës nuk lë vend për interpretim: katastrofa e vërtetë në Kontinentin e Vjetër, në 97% të rasteve është pasojë e dorës së njeriut. Në 27 vendet e Bashkimit Evropian – lexojmë në Mesazhin e Imzot Massafrës, që niset nga vlerësimet e fundit - që nga fillimi i vitit zjarret kanë shkatërruar tashmë një total prej 517,881 hektarësh krahasuar me 470,359, një vit më parë. E çka të shqetëson më shumë e që vërtetohet nga studiuesit, është kalimi nga epoka jonë (antropocene) në tjetrën, e cila njihet me emrin “pirocene”, efektet e të cilës tashmë janë të dukshme, nëse kemi parasysh se emetimet e CO2 (anhidridit karbonik), kanë arritur nivele që planeti nuk i kishte njohur gjatë më se 3 milionë vjetëve.

“Ekocidi” i luftërave

E gjithë kësaj - shpjegojnë ipeshkvijtë - duhet t’i shtojmë edhe dëmin e madh mjedisor shkaktuar nga konfliktet - që në Ukrainë është ende i pallogaritshëm - si dhe nga shkaku i kancerit dhe sëmundjeve të frymëmarrjes! Ndaj ne mund të përdorim edhe termin e trishtuar të “ekocidit”,  në modë ndër vitet ’60, krijuar pas fushatës ushtarake në Vietnam. E të mendosh se gjithë kjo nuk mjafton: duhet të vlerësojmë edhe ndotjen e ajrit, shkaktuar nga zjarri i fabrikave të naftës në Kuvajt gjatë Luftës së Gjirit (1990- 1991) dhe nga luftërat në Jemen dhe Siri, me ndotjen e tokës dhe të rrugëve ujore.

Dora shpëtimtare të jetë kryesisht ajo e të krishterëve

Nuk ka humbur ende gjithçka: “Nëse dora e njeriut - shkruajnë ipeshkvijtë - është shkaku kryesor i kësaj gjendjeje, kjo gjithashtu të ngjall shpresën se e njëjta dorë mund t’i vërë cak kësaj që po ndodh para syve të mbarë njerëzimit”. Për këtë arsye, ia vlen të rifillojmë me forcë, çka Papa e shkroi në Mesazhin e tij për 1 Shtatorin, “jo një nxitje e devotshme, por një sfidë e vërtetë drejtuar të fuqishmëve të tokës dhe udhëheqësve të kombeve të pasura e të varfëra, thirrje për kthesë, që duhet të jetë konkrete nga ana e të gjithë të krishterëve, në mënyrë që ne të jemi dora e aftë për t’i vënë fre  gjithë këtij shkatërrimi”.

Urim për një Ditë, që të kujton fatin e njerëzimit

Urojmë pra që dita e 1 shtatorit, si gjithë Koha e Krijimit,  e cila do të vazhdojë deri më 4 Tetor, të jetë  rast për lutje, por mbi të gjitha, për “kthesë” qëndrimesh dhe zakonesh. Ipeshkvijtë e Evropës janë zëdhënës të mendimit të Françeskut: të krishterët - është ftesa e tyre - të ngrenë zërin aq sa mbarë bota t’i dëgjojë kërkesat e Planetit, i cili lëshon nga dhimbje një “klithmë të hidhur” që shpresojmë se mund të arrijë deri tek Froni i Zotit, e Ai ta dëgjojë e t’i dhurojë njerëzimit një “zemër të aftë për dhembshuri”. Që këtu mund të nisin “gjestet konkrete” nga të cilat pritet rikompozimi i harmonisë së universit!

20 gusht 2022, 16:31