Kërko

Concistori i vitit 1935 me Papën Piu XI Concistori i vitit 1935 me Papën Piu XI

Ç’do të thotë fjala “koncistor”? Papa mbledh kardinajtë në fund të gushtit

Të gjithë kardinajtë e Kishës Katolike do të takohen në një mbledhje solemne, kryesuar nga Papa, të shtunën, më 27 gusht. Me atë rast, Françesku do t’u vërë kësulën e kuqe mbi krye 20 kardinajve të rinj e gjatë ceremonisë, e cila është publike, Ati i Shenjtë do t’i japë çdo kardinali edhe unazën, së bashku me emrin e kishës së Romës, ku do të jetë titullar, në shenjë bashkimi me Pasardhësin e Shën Pjetrit. Këto mbledhje a takime quhen “koncistorë”. Por ç’do të thotë kjo fjalë?

R.SH. – Vatikan

Të gjithë kardinajtë e Kishës Katolike do të takohen në një mbledhje solemne, kryesuar nga Papa, të shtunën, më 27 gusht. Me atë rast, Françesku do t’u vërë kësulën e kuqe mbi krye 20 kardinajve të rinj (ishin 21, por njëri hoqi dorë) e gjatë ceremonisë, e cila është publike, Ati i Shenjtë do t’i japë çdo kardinali edhe unazën, së bashku me emrin e kishës së Romës, ku do të jetë titullar, në shenjë bashkimi me Pasardhësin e Shën Pjetrit. Më pas, në një mbledhje tjetër kardinajsh, do të votohet për kanonizimin, pra, shpalljen shenjtorë për Kishën, të dy të Lumëve, Giovanni Battista Scalabrini, ipeshkëv i Piaçencës (Itali), themelues i Kongregatës së Misionarëve të Shën Karlit dhe të Kongregatës së Misionareve të Shën Karl Borromeut, si edhe Artemide Zatti, laik i Shoqërisë Saleziane të Shën Gjon Boskos (salezianët). Këto mbledhje a takime quhen “koncistorë”. Por ç’do të thotë kjo fjalë?

Po të shohim fjalorin, nga latinishtja “consistorium”, që do të thotë mbledhje, asamble, këshill, aty ku jemi të gjithë së bashku, fjala është përdorur fillimisht për të përcaktuar “sallën e pritjes” e pastaj një mbledhje formale të kolegjit të këshilltarëve të një sovrani. Perandorët romakë kishin këshilltarët e tyre, që mblidheshin në “kolegjin e shenjtë”, apo “sacrum consistorium”. Ata ishin bashkëpunëtorët më të ngushtë, si kreu i administratës së perandorisë (magister officiorum), ministri i financave (comes sacrarum largitionum), ministri i drejtësisë (quaestor sacrii palatii), ministri i tokave – pronë private (comes rerum privatarum). Mund të merrte pjesë, por jo gjithmonë, edhe çambelani i madh (praepositus sacri cubiculi).

Përdorimi i fjalës “koncistor” në Kishë

Më vonë, fjala “koncistor” u përdor në Kishë, në të cilën ka një histori të lashtë. Është mbledhja solemne e të gjithë kardinajve, kryesuar nga Papa, për trajtimin e disa çështjeve me rëndësi në qeverisjen e Kishës. Mbahet në Vatikan e ka gjithnjë vlerë këshillimore e jo vendimmarrëse. Sipas së drejtës kanonike (neni 353), kardinajtë kanë për detyrë ta ndihmojnë Atin e Shenjtë në udhëheqjen e Kishës, sidomos përmes koncistorëve, në të cilët thirren nga vetë Papa.

Lloje të ndryshme koncistorësh

Ka koncistorë të zakonshëm e të jashtëzakonshëm, forma që kanë zëvendësuar ato më të lashtat: koncistorin publik, gjysëmpublik dhe të fshehtë. Koncistori i zakonshëm mblidhet kryesisht për krijimin e kardinajve të rinj dhe në të duhet të marrin pjesë të gjithë kardinajtë, që ndodhen në Romë. Ndërsa, koncistori i jashtëzakonshëm mblidhet për konsultime mbi argumente me rëndësi të veçantë, ose për të shpallur akte, që pasqyrojnë nevojat urgjente të Kishës në atë moment, ose që u japin përgjigje problemeve jashtëzakonisht të rënda. Në të duhet të marrin pjesë të gjithë kardinajtë, pa përjashtim. Koncistori i zakonshëm është gjithnjë “publik”, pra në të marrin pjesë, përveç kardinajve, edhe persona të tjerë të ftuar.

Koncistori i të shtunës, 27 gusht

I tillë është koncistori i të shtunës. Papa do të krijojë 20 kardinaj të rinj, emrat e të cilëve dihen, sepse janë shpallur nga vetë Françesku. Por një Papë mund të vendosë të krijojë edhe kardinaj, që për arsye të caktuara, nuk u bëhet publik emri. Kjo ka ndodhur me Papën Gjon Pali II e me të tjerë para tij. Këta kardinaj quhen “in pectore”. Ai krijoi tre të tillë. I fundit, i krijuar në vitin 2003, gjatë koncistorit të fundit të Papës Vojtila, nuk u mor vesh për shkak të vdekjes së Atit të Shenjtë më 2005.

Nga 20 kardinajt, që Papa do të krijojë në koncistorin e 27 gushtit, 16 kanë të drejtë zgjedhore; katër janë mbi 80 vjeç (ishin pesë, por njëri hoqi dorë nga kardinalati), tre janë krerë dikasteresh të Kuries Romake. Është fjala për imzot Arthur Roche, Prefekt i dikasterit për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, imzot Lazzaro You Heung-sik, Prefekt i dikasterit për Klerin dhe imzot Fernando Vergez Alzaga, President i Komisionit Papnor për Shtetin e Vatikanit dhe president i Guvernatoratit të Shtetit të Vatikanit.

Lista e kardinajve të rinj konfirmon edhe një herë vullnetin e Papës Françesku, në koncistorin e tetë të papnisë, për të favorizuar periferitë e botës, pa marrë parasysh ato vende që dikur konsideroheshin tradicionalisht “kardinalore”. Ndërmjet kardinajve të rinj spikasin kryeipeshkvi i Marsejës, imzot Jean-Marc Aveline dhe ipeshkvi i Komos, imzot Oscar Cantoni, i vetmi kardinal në krye të një dioqeze midis Italisë Veriperëndimore dhe Verilindore.

I rëndësishëm, emërimi i imzot Giorgio Marengo, prefekt apostolik në Mongoli, i cili në moshën 48-vjeçare do të bëhet më i riu i kolegjit kardinalor. Nga Azia vijnë edhe katër kryeipeshkvij aktualë. Dy, ipeshkvijtë nga Afrika, nga Nugeria dhe nga Gana. Katër prej kardinajve të rinj vijnë nga Amerika: një nga SHBA-të e tre nga Amerika Latine. Më 27 gusht, kolegji kardinalor do të ketë 229 anëtarë, ndër të cilët 131 kardinaj zgjedhës. Me 29 e 30 gusht, ata do të mblidhen menjëherë me Papën Françesku për të diskutuar mbi Kushtetutën e re Apostolike “Praedicate Evangelium”.

Para Koncilit II të Vatikanit

Para Koncilit II të Vatikanit, koncistori për krijimin e kardinajve zhvillohej në tri faza: “koncistori sekret”, gjatë të cilit Papa u shpallte anëtarëve të kolegjit kardinalor listën e të zgjedhurve të rinj, “koncistori publik”, gjatë të cilit kardinajt e rinj merrnin nga Papa qeleshen tricepëshe, ndërsa faza e tretë parashikonte “vendosjen e një kapeleje” nga duart e Atit të Shenjtë - ceremoni, që mund të bëhej edhe pas koncistorit. Natyrisht, kjo praktikë nuk përdoret më e as kapela e dikurshme e kardinalit, ndërsa ka mbetur kësula, qeleshja tricepëshe dhe unaza kardinalore, mitra dhe stema dalluese.

“Koncistori” per të krishterët e tjerë

Termi “koncistor” në Kishat protestante, në përgjithësi, është sinonim i “Këshillit të kishës”, organ qeverisës, formuar nga “pleqtë”, apo “të urtët”, e zgjedhur nga bashkësia e besimtarëve. Është organ suprem i Kishës kalviniste dhe i asaj luterane. Ndërsa për Kishën ortodokse, “koncistori i peshkopëve” është i zgjedhur nga Sinodi i Shenjtë dhe përbën një lloj gjykate.

25 gusht 2022, 09:22