Kërko

XIX Domenica Ordinaria - Anno C - Vangelo della Domenica XIX Domenica Ordinaria - Anno C - Vangelo della Domenica

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës 19-të gjatë vitit kishtar 'C'

Në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele nga Luka ( 12,32-48), jehon tri herë thirrja "jini gati". Po çka pret shërbëtori besnik? Nga e ardhmja nuk vjen diçka, po Dikush. Në mbarim të natës, agon shkëlqimi i një takimi. E jo me Zotin vjedhës të jetës, por me Zotin që bëhet shërbëtor i shërbëtorëve të vet, që përkulet para njeriut dhe e nderon, që e gëzon dhe e ushqen jetën, me Zotin dashurues i jetës.

R.SH. - Vatikan

Ungjilli i kësaj së diele të 19-të gjatë viti kishtar 'C' nga Luka (12,32-48), na vënë përsëri përballë të mirave të kësaj bote materiale dhe para zgjedhjes e përcaktimit tonë: shëmbëlltyrat ungjillore na tregojnë e ftojnë të jemi të gatshëm, të përgatitur,” të veshur e të ngjeshur me llamba të ndezura, porsi ata që presin Zotërinë e vet kur kthehet”; “jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë çast kur s’jua merr mendja”. Këto fjalë janë thirrje të kemi besim në Zotin.

Në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele, Jezusi na fton të jemi vigjilentë, të jemi të vëmendshëm, jo vetëm për të mësuar si ta presim kur Ai do të vijë e do të trokas në portën e jetës sonë, por për ta njohur çdo herë që, në shëmbëlltyrën apo në imazhin e vëllait tonë, do të na kërkojë ta duam e ta ndihmojmë.

33 Shitni pasurinë tuaj dhe jepni lëmoshë! Bëni për vete strajca, që nuk vjetërohen, thesar në qiell, që nuk mbaron kurrë, ku vjedhësi nuk afrohet e tenja nuk bren. 34 Vërtet, ku është visari juaj, aty do të jetë edhe zemra juaj. 35 Jini gati – të veshur e të ngjeshur me llamba të ndezura - 36 porsi ata që presin zotërinë e vet, kur kthehet prej dasmës, për t’ia çelur derën posa të vijë e të trokëllijë. 37 Lum shërbëtorët, që kur kthehet zotëria, i gjen zgjuar! Përnjëmend po ju them: ai vetë do të ngjeshet, ata do t’i ulë në tryezë do të afrohet dhe vetë do t’u shërbejë…

42 Cili vallë është ai mbarështues besnik dhe i mençur, që do ta verë zotëria përmbi shërbëtorët tjerë për t’i dhënë në kohën e duhur  pjesën e ushqimit? 43 Lum ai shërbëtor, të cilin, kur kthehet zotëria e tij, e gjen duke vepruar kështu. 44 Përnjëmend po ju them: do ta vërë mbi të gjithë pasurinë e vet. 

45 Porse, po bëri e mendoi shërbëtori në zemër të vet: ‘Zotëria im do të vonojë të kthehet’ dhe fillon të rrahë shërbëtorët dhe shërbëtoret, të hajë, të pijë dhe të dehet, 46 zotëria i tij do të vijë atë ditë kur nuk e pret, atë orë që nuk ia merr mendja dhe do ta ndëshkojë rëndë e do t’ia japë fatin e të pafeve” (Luka 12,33-37.42-46).

Të lutemi së bashku:

Ka një takim,

që është vendimtar

për jetën tonë:

nuk është në lojë lumturia

apo gëzimi i një çasti,

por krejt amshimi.

Ja përse, o Jezus, ti na paralajmëron

mundohesh të na largosh nga gjithçka,

që mund të na bëjë ta humbim atë ofertë unike.

E kështu, Ti na fton të jemi gati,

gjithnjë të veshur për nisje,

me zemrën zgjuar,

të lirë nga gjithçka e rëndon

dhe e vonon hapin tonë.

E kështu, Ti na kërkon të mos e lemë

mpirjen, ose zhurmën, të na mposhtin,

që ta dëgjojmë

Atë, që rri tek porta

e jetës sonë

e na kërkon të hyjë.

E kështu, Ti na dhuron mundësinë

të dallojmë krejt qartë

cilat janë visaret e vërteta,

për të mos e shitur zemrën

në këmbim të ndonjë vjeturine joshëse.

Do të ishte e trishtueshme, në fakt,

sikur në çastin vendimtar

të kishim në dorë veç një grusht me miza.

Ja pse duhet të vigjëlojmë

e të shqyrtojmë horizontin

si rojet symprehta e shpirtzgjuar.

06 gusht 2022, 09:04