Kërko

Takimi Evropian i Taizé-së Takimi Evropian i Taizé-së 

Të rinjtë nga e gjithë Evropa në Takimin e Taizé-së, pas pandemisë

Nisi dje në Torino, Takimi europian i të rinjve, i organizuar nga Bashkësia e Taizé-së. Djem dhe vajza kanë ardhur në Itali nga e gjithë Evropa, por edhe nga Egjipti, Indonezia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lutje e veprimtari deri më 10 korrik, që arrijnë kulmin ditën e shtunë, më 9 korrik, me “Natën e Bardhë të Fesë”. Tradicionalisht, në këtë Takim marrin pjesë edhe shqiptarë

R.SH. – Vatikan

Nisi dje në Torino etapa e dytë e Takimit të 44-të evropian të të rinjve nga 18 deri në 35 vjeç, organizuar nga Bashkësia e Taizé-së. Etapa e parë u zhvillua po në kryeqendrën piemonteze, në fund të vitit të kaluar, por, për shkak të pandemisë, morën pjesë vetëm të rinjtë italianë, ndërsa të tjerët u lidhën virtualisht. Shumë nga veprimtaritë e këtyre ditëve, që do të vijojnë deri më 10 korrik, janë organizuar nga Fondacioni Carlo Acutis, si për shembull, seminari dhe ekspozita “Fytyrat në Fytyrën e Krishtit”, që u përurua mbrëmë.

Pjesëmarrës edhe nga Ukraina e nga Rusia

 150, të rinjtë vullnetarë nga jashtë Italisë, që së bashku me italianët, u shërbejnë pjesëmarrësve nga e gjithë Evropa, përfshirë ata nga Ukraina e Rusia, por edhe nga Egjipti, Indonezia e SHBA-të. Sipas traditës së Taizé-së, të rinjtë janë strehuar në familjet torineze, ose në famullitë vendase. Mbrëmë, në orën 21, lutja e parë e madhe, që i mblodhi të gjithë në kishën e Shën Filip Nerit. Sot paradite, veprimtaritë në grupe, nëpër famullitë e dioqezës. Pasdite, takime me tema kulturore, artistike, shoqërore e shpirtërore. E së fundi, si përherë, “Lutja e mbrëmjes”, tejet sugjestive e madhështore.

Të shtunën në mbrëmje vizita në Kapelën e Sindonës

E shtuna, 9 korrik, është dita kulmore e Takimit evropian të Taizé-së. Në orën 19, do të nisë “Nata e Bardhë e Fesë”, me “Festën e Popujve” në Oborrin e Pallatit Mbretëror të Torinos, gjatë së cilës do të ketë muzikë, valle, dëshmi dhe një darkë të lehtë. Pas Lutjes së fundit të Mbrëmjes, rreth orës 22.30, të ndarë në grupe, pjesëmarrësit do të nisen për të përshkuar itineraret shpirtërore dhe artistike në qendër të qytetit, ndër të cilët, edhe ai drejt Kapelës së Sindonës, hapur enkas për këtë rast.

Një ekspozitë kushtuar të riut të lum, Frassati

Takimi do të përfundojë ditën e diel, më 10 korrik, me meshën në famulli dhe me drekën në familjet, ku strehohen të rinjtë. Gjatë këtyre ditëve janë parashikuar tri tryeza të rrumbullakëta me temat: “Piemonte për t’u zbuluar”, “Të rinjtë dhe Sindona” dhe “Të rinj... e shenjtorë!”. Gjithashtu, ka një ekspozitë kushtuar të Lumit Pier Giorgio Frassati, të riut terciar domenikan torinez, që konsiderohet shenjt nga bashkëvendasit, për impenjimin e tij shoqëror. Vdiq në moshën 24 vjeçare nga poliomeliti, të cilin e mori duke u shërbyer të varfërve.

08 korrik 2022, 12:48