Kërko

Lutja Lutja 

Të meditojmë me Ungjillin e dielës së 17-të ‘C’: “Ati ynë, që je në qiell…”

Ti, atë ditë, / u mësove dishepujve të tu / lutjen, që përfaqëson/ modelin dhe simbolin e çdo lutjeje të vërtetë. / Sepse Ti, o Krisht, e di fort mirë se nuk mjafton / të rreshtosh fjalë pa fund / e, as t’i shoqërosh me dhurata e oferta. Vërtet, ka më rëndësi / ndjenja, që ta përshkon zemrën, / nga e cila burojnë ndjetet, / të cilat marrin gjithnjë përgjigje

R.SH. - Vatikan

Në të dielën XVII të vitit liturgjik, Ungjilli sipas Lukës (11,1-13) na mëson të lutemi, madje na paraqet lutjen, me të cilën vetë Jezu Krishti na tha t’i drejtohemi Atit Qiellor. E nëse një mik nuk na e mungon sadopak ndihmën, kur i trokasim në derë, si do të mund të na e mungojë Ati, nëse i lutemi? Natyrisht, kur e kemi bërë tonin shqetësimin e Zotit - që emri i tij të njihet e të shenjtërohet e që Mbretëria e tij të vijë në botë – vetëm atëherë, Hyji i bën të vetat shqetësimet tona. “Atyna” përmbledh krejt Ungjillin, prandaj, është baza e shpirti i gjithë lutjeve njerëzore. Të ndjekim pjesën ungjillore…

Një ditë Jezusi po thoshte uratë diku në një vend. Kur e kreu uratën, i tha njëri prej nxënësve: “Zotëri, na mëso edhe ne të lutemi, sikurse i mësoi edhe Gjoni nxënësit e vet.”

“Kur të luteni – u tha Jezusi– thoni: O Atë! U shenjtëroftë Emri yt! Ardhtë Mbretëria jote! Na jep çdo ditë bukën tonë të përditshme! Na i fal mëkatet tona, sepse edhe ne i falim fajtorët tanë. E mos lejo të biem në tundim!” Dhe u tha: “Nëse ndonjëri prej jush ka një mik dhe i shkon në mesnatë e i thotë: ‘Mik, m’i jep hua tri bukë se më erdhi prej udhe miku im e nuk kam çka t’i jap për darkë’, e ai prej brenda iu përgjigj: ‘Mos më trazo! Dera është tashmë e mbyllur e fëmijët e mi e unë ramë në shtrat! Nuk mund të çohem t’i jap!’ – Unë po ju them edhe nëse s’çohet t’ia japë pse e ka mik, do të çohet me siguri për t’i dhënë aq sa kërkon për shkak të trazimit. Edhe unë po ju them: lypni e do t’ju jepet, kërkoni e do të gjeni, trokëllitni e do t’ju çelet. Sepse, kushdo lyp, merr; kush kërkon, gjen; atij që trokëllit, i hapet dera.

Dhe, cili prej jush që është baba, po i lypi djali, peshk, në vend të peshkut do t’i japë gjarpër? Ose, nëse i lyp vezë, do t’i japë akrep? Nëse, pra, ju, edhe pse të këqij, dini fëmijëve tuaj t’u jepni dhurata të mira, sa më tepër Ati qiellor do t’u japë Shpirtin Shenjt atyre që ia kërkojnë?”

Të lutemi së bashku

Sa herë, o Jezus, kemi menduar

se lutja jonë është

krejt e kotë, e padobishme.

Sa herë kemi pasur

përshtypjen e hidhur se

nuk na dëgjon e nuk na ndihmon kush.

Prandaj, për ç’arsye t’i drejtohemi

me zemër e me besim të flaktë

Atit tënd që është në qiell,

nëse Ai nuk kujdeset për ne,

për kërkesat e për nevojat tona më urgjente?

 

Pikërisht për këtë, Ti, atë ditë,

u mësove dishepujve të tu

lutjen, që përfaqëson

modelin dhe simbolin e çdo lutjeje të vërtetë.

Sepse Ti, o Krisht, e di fort mirë se nuk mjafton

të rreshtosh fjalë pa fund

e, as t’i shoqërosh me dhurata e oferta.

 

Vërtet, ka më rëndësi

ndjenja, që ta përshkon zemrën,

nga e cila burojnë ndjetet,

të cilat marrin gjithnjë përgjigje.

Po, sepse marrëdhëniet tona me Zotin

nuk mund t’u nënshtrohen

teknikave, pak a shumë dinake,

tipike për shkëmbimet tregtare

e as përpjekjeve për ta thyer

vullnetin e të Gjithpushtetshmit, sipas qejfit tonë.

Lutja e vërtetë lind nga besimi pa kushte

e dhurata, që kurrë s’na refuzohet, është Shpirti Shenjt

23 korrik 2022, 10:56