Patriarku ekumenik Athenagora 50 vjet pas vdekjes së tij
R.SH. - Vatikan
“Edhe ne ishim ndër ata që e admiruam dhe e deshëm shumë”: me këto fjalë, pas lutjes së Engjëllit Tёnzot, më 9 korrik 1972, Papa Pali VI deshi të kujtonte Patriarkun Ekumenik Athenagora (1886-1972), dy ditë pas vdekjes së tij, që ndodhi më 7 korrik 1972, pesëdhjetë vjet më parë. Nё këto fjalë kuptohet vlerësimi që Papa Montini kishte për patriarkun Athenagora, me të cilin kishte ndarë animin drejt unitetit të dukshëm të Kishës, duke u nisur nga kapërcimi i asaj periudhe të gjatë përçarjeje dhe kundërshtimi që për shekuj kishte shënuar marrëdhëniet mes Romës dhe Kostandinopojës.
Patriku i Kostantinopojës, Athenagora, protagonist, me Papёn Pali VI, i dialogut ekumenik ndërmjet dy Kishave - katolike e ortodokse, u përkujtua sot nё 50 vjetorin e vdekjes, ndёrroi jetё më 7 korrik 1972. Pesëdhjetë vjet pas vdekjes së tij, fjalët dhe gjestet e patriarkut përbëjnë një burim të çmuar për unitetin e gjallë në diversitet si një pasazh themelor në shpalljen e Krishtit, dritë e popujve.
Athenagora e Pali VI protanist të dialogut ekumenik
Së bashku, Pali VI dhe Athenagora kishin arritur të ndanin gëzimin e takimit e të dialogut për Krishtin dhe në Krishtin, edhe pse i përkisnin traditave të ndryshme kishtare, në mosmarrëveshje të thella për pika a çёshtje jo dytësore, por tashmë ishin të bashkuar thellësisht pikërisht në zbulimin e një trashëgimie të përbashkët shpirtërore. Athenagora ka qenё një protagonist absolut i lëvizjes ekumenike të shekullit të njëzetë (XX), aq sa mund të konsiderohet një profet i unitetit, siç theksoi Valeria Martano në një studim monografik që, megjithëse u botua gati tridhjetë vjet më parë, ende përfaqëson një pikë të çmuar referimi për të njohur figurën e patriarkut.
Që në hapat e tij të parë, interesi i Athenaros për rritjen e bashkimit në Kishë ka qenë qendror, me një rilexim dhe riinterpretim të ngjarjeve historiko-teologjike që do të lejonte të kapnim të gjithë elementët e aftë për të favorizuar bashkimin, duke filluar nga ai ndёrmjet Kishave ortodokse.
Athenagora u impenjua për ndërtimin e bashkimit midis Kishave Ortodokse dhe Patriarkanës Ekumenike, duke u përpjekur të shёronte e tejkalonte tensionet dhe thyerjet që ishin përkeqësuar me kristalizimin e Kishave territoriale në Evropën Lindore; evokimi i tij i vazhdueshme i trashëgimisë së përbashkët, falë edhe një leximi të ri të patristikës, kontribuoi ndjeshëm në krijimin e një klime të re, e cila - edhe pse nuk bashkёndahet nga të gjithë (aq sa nuk munguan kritikat ndaj qëndrimeve të tij për ndërtimin e unitetit, veçanërisht ndaj atij me Kishën e Romës) - tregoi një fytyrë tjetër e ndryshe të traditës ortodokse.
Takimet ndërmjet Patrikut e dy papëve
Papa i Romës dhe Primati ortodoks u takuan tri herë: për herë të parë në Jeruzalem e pastaj në Stamboll e në Vatikan. Para se të njihte Palin VI, Athenagora kishte njohur e nderuar Papën Gjoni XXIII të cilit, siç thoshte vetë, i pati sugjeruar idenë e një Koncili ekumenik. Nuk duhet të harrojmë se në Koncilin II të Vatikanit qenë të pranishëm vëzhgues ortodoksë të dërguar nga Athenagora, nga të cilët meriton të kujtohet posaçërisht, Atë Andrè Climat, që luajti rolin e ndërmjetësit të Patrikut ortodoks pranë Papës Pali VI.
Takimet ndërmjet Patrikut e dy papëve, patën një rëndësi të dorës së parë për mirëkuptimin, hap drejt bashkimit, dëshira më e zjarrtë e Papës Gjon Pali II dhe e gjithë të krishterëve të mirë katolikë e ortodoksë: katolikët zbuluan ortodoksinë, ortodoksët - papatin, d.m.th katolicizmin, gjë që solli si pasojë ndryshimin e ndjenjave dhe davaritjen e mendimeve negative për njëri tjetrin. Ishte një hap i madh drejt bashkimit të pritëm! Hapi i dytë i madh do të jetë zgjidhja e problemit të parisë, të domethënies e të vendit të saj në Kishë. Vetë Papa Gjon Pali II në encilkikën "Ut unum sint" - "Që të jemi një" - flet për nevojën e dialogut ekumenik në këtë drejtim e jo vetëm kaq, por edhe i fton kishat ortodokse të ulen në tryezën e bisedimit. Për fat të keq, nuk ka pasur atë përgjigje, që do të shënonte një hap tjetër të madh përpara në atë rrugë, që e hapën Papa Pali VI e Patriku Athenagora, e vijoi Gjon Pali II, Benedikti XVI e Françesku në gjurmët e të cilit po ecën me zell të madh..
Athenagora lindi në një familje shqiptare
Athenagora lindi, më 25 mars 1886, në një familje shqiptare, në një fshat në Greqinë e sotme, që në atë kohë ishte pjesë e Perandorisë Osmane. Lidhur me Patrikun e Madh po kujtojmë edhe një hollësi tjetër tepër interesante për shqiptarët: ai ishte me origjinë shqiptare. Monsinjor Eleuterio Fortino, zëvendës-sekretar i Këshillit papnor për dialogun ndërmjet të krishterëve, duke e takuar për herë të parë në Kostantinopojë, ku ishte me një delegacion ekumenik të Vatikanit, i tha se ishte shqiptar, nga arbëreshët e Italisë. Për çudinë e tij të madhe dëgjoi Patrikun t’i përgjigjej me një përshëndetje në gjuhën shqipe, pasuar nga shpjegimi se origjina e tij e largët ishte shqiptare. Nuk çuditemi! A s'qe lindur e rritur në rrethinat e Stambollit edhe Fan Noli? E sa e sa shqiptarë të tjerë të shquar në historinë e largët e të afërt të Turqisë e të Shqipërisë?
Pesëdhjetë vjet pas vdekjes së tij - falë edhe botimeve të fundit që ndihmojnё ta kupojmё më mirë dimensionin ekumenik të Patriarkut Athenagora në përvojën e përditshme të fesё (siç del qartё në faqet që kanë rindërtuar marrëdhënien e tij me Chiara Lubich) - fjalët dhe gjestet të patriarkut përbëjnë një burim të çmuar për unitetin e gjallë në diversitet si një pasazh themelor dhe tё patjetërsueshëm në shpalljen e Krishtit, dritë e popujve.