Kërko

Të krishterë nigerianë duke u lutur në kishë Të krishterë nigerianë duke u lutur në kishë 

Nigeri, alarmi i meshtarëve: gjithnjë në rrezik

Nga vendi afrikan, thirrja e meshtarëve për të shmangur sulmet vrasëse dhe për t’u mbështetur te lutja, përballë dhunës që synon t’i shfarosë. Ndihmë për Kishën që Vuan flet për 18 priftërinj të rrëmbyer vetëm në vitin 2022, tre prej tyre të vrarë.

R. SH. - Vatikan

“T’i jepet fund kundërshtimit të dhunshëm! Mbështetuni në lutje!”. Kjo është thirrja e ipeshkvijve nigerianë përballë shtimit dramatik të rrëmbimeve, vrasjeve dhe të dhunës në vend. Sipas Fondacionit “Ndihmë për Kishën që Vuan” gjithnjë pranë “të vuajturve”, si nigerianët, qysh nga fillimi i vitit 2022 në vend janë rrëmbyer të paktën 18 meshtarë. Pesë prej tyre, javën e parë të korrikut. Shumica e të rrëmbyerve më pas u liruan, ndërsa tre u gjetën të vrarë!

Meshtarët, ‘specie’ e rrezikuar

“Është vërtet e trishtueshme - shkruhet në një deklaratë të Shoqatës së Meshtarëve Katolikë Dioqezanë Nigerianë, dërguar ‘Ndihmës për Kishën që Vuan’ - të bëhemi specie e rrezikuar pikërisht gjatë veprimtarive tona të zakonshme baritore”.

 Sipas Shoqatës, disa herë dhe në nivele të ndryshme, qeverisë i është kërkuar ndihmë, megjithatë, siç u vërejt edhe në Konferencën e Ipeshkvijve Nigerianë, dhuna e vrasjet vazhdojnë! E kjo i tregon qartë  gjithë kombit se qeveria ka dështuar në detyrën e saj kryesore: “mbrojtjen e jetës së qytetarëve nigerianë”.

Ne ‘luftojmë’ me Ungjill, jo me armë

Meshtarët nuk i përgjigjen kurrë forcës me forcë e dhunës me dhunë! Nuk janë “terroristë, as bandë hajdutësh e vrasësish”. Ata e vënë në pikëpyetje dobinë e pjesëmarrjes ndër protestat në rrugë, duke dyshuar për vlerën e tyre dhe duke bërë thirrje për armatosjen, me armën e parë e kryesore të njeriut të Zotit:

 “Arma jonë meshtarake është shpallja e Fjalës së Zotit në kremtimin e Eukaristisë, si kujtim i Krishtit dhe misionit të tij mbi tokë. Gjë që tregon se jemi të armatosur me Ungjij e uratë, jo me armë. Krishti nuk na ka bërë kurrë thirrje të rrëmbejmë armët kundër kujtdo, ose të kryejmë akte hakmarrjeje”.

Ky, qëndrimi i këtyre meshtarëve të admirushëm, kandidatë për martirizim, në vendin e tyre! Që, megjithatë, e vijojnë misionin e ungjllëzimit, në ato vise të vështira, që kanë aq shumë nevojë për Ungjillin!

Një javë lutje dhe agjërim për siguri

Prandaj, priftërinjtë theksojnë se do ta vazhdojnë misionin, pavarësisht nga mungesa e sigurisë,  e se do të mbeten “mbrojtës të jetës dhe të paqes”, duke ftuar vëllezërit e tyre të bashkohen këto ditë me një nismë të jashtëzakonshme lutjeje dhe agjërimi, eukaristie, adhurimi, rruzarjeje të njëzëshme. Të gjitha, veprimtari, që plotësojnë programet e tjera tashmë të vendosura nga dioqezat, për të frenuar problemin e pasigurisë në Nigeri.

14 korrik 2022, 15:13