Kërko

Të krishterë afrikanë Të krishterë afrikanë 

Në Nairobi fillon Kongresi Katolik Panafrikan

Nga dita e sotme e deri më 22 korrik, në Universitetin Katolik të Afrikës Lindore mbahet Kongresi, i organizuar nga Rrjeti Teologjik dhe Baritor Katolik Panafrikan. Nisma, edicioni i parë i së cilës u zhvillua në vitin 2019, në Nigeri, i kushtohet teologjisë, shoqërisë dhe jetës baritore. Qëllimi është promovimi i praktikave të mira për përmirësimin e Kishës dhe të shoqërisë

R.SH. – Vatikan

 “Të ecim së bashku për një Kishë plot gjallëri në Afrikë dhe në botë”: kjo është tema e Kongresit të dytë Katolik Panafrikan mbi Teologjinë, Shoqërinë dhe Jetën Baritore, i cili po mbahet në Nairobi të Kenias, duke filluar nga dita e sotme, 18 korrik, për të vijuar deri të premten. Marrin pjesë më se 80 krerë fetarë dhe studiues nga 5 kontinentet. Organizuar nga Rrjeti Teologjik dhe Baritor Katolik Panafrikan, takimi zhvillohet në Universitetin Katolik të Afrikës Lindore dhe, përmes konferencave e seminareve, ndihmon në reflektimet kishtare mbi sinodalitetin, gratë, fëmijët dhe të ardhmen e Kishës Afrikane. Mūmbi Kīgūtha, i sekretarisë organizative të Rrjetit Teologjik dhe Baritor, shpjegon se kongresi do të nxjerrë në dritë trashëgiminë e pasur të Kishës dhe të kontinentit afrikan.

Mbushja e hendekut ndërmjet praktikës baritore dhe punës akademike

Punimet, të cilat mund të ndiqen online, promovohen nga Simpoziumi i Konferencave Ipeshkvnore të Afrikës dhe Madagaskarit (SECAM). Në to, nga ana e Selisë së Shenjtë, merr pjesë Emilce Cuda, bashkësekretare e Komisionit Papnor për Amerikën Latine dhe Át Lucio Adrian Ruiz, sekretar i Dikasterit për Komunikimin. Rrjeti Teologjik dhe Baritor Katolik Panafrikan synon të mbushë hendekun ndërmjet praktikës baritore dhe punës akademike multidisiplinare në kontinentin afrikan, duke dëgjuar Fjalën e Zotit dhe njerëzit, në mënyrë që të frymëzojë shpresë dhe besim, si edhe të promovojë praktikat e mira për përmirësimin e Kishës dhe të shoqërisë. Edicioni i parë i këtij Takimi u mbajt në vitin 2019, në Nigeri.

18 korrik 2022, 13:52